Trahana në çerdhe, prindërit kundër menysë së re

640
Ndryshimi i menysë së fëmijëve në çerdhe dhe kopshte është një nga çështjet më të diskutuara gjatë ditëve të fundit, veçanërisht për prindërit. Këta të fundit, duhet se janë ndarë në dy pjesë, ata që e mbështesin menynë e re dhe ata që e kundërshtojnë masivisht. Menyja ushqimore e çerdheve dhe kopshteve të Tiranës ka ndryshuar. Në ditët e para fëmijët janë përballur me shije të reja dhe disa prej tyre nuk e kanë ngrënë ushqimin. Në mëngjes fëmijët kanë ngrënë trahana dhe jo të gjithë vogëlushët e kanë pëlqyer. “Mëngjesi ka qenë bukë me gjalpë, djathë dhe qumësht, u zëvendësua me trahana. Drekën tani e kanë me mish pule, spinaq, oriz, selino, majdanoz, vezë, karotë dhe mendojmë se këto ingredientë janë shumë të shëndetshëm”, shprehen drejtueset e çerdheve. Sipas tyre, menyja është përgatitur sipas rekomandimeve të OBSH për një ushqyerje të shëndetshme. “Nga raportimet në të gjithë çerdhet ka pasur dhe fëmijë që nuk janë përshtatur, por ata kanë qenë më pak se sa ne prisnim. Me pak durim do të mësohen”, shprehen drejtueset. Ndërkohë, dietologia Blerina Bombaj shpjegon se si është përgatitur menyja. “Është konceptuar që më shumë se 2/3 e ushqimit të nevojshëm ditor të fëmijës të merren në kopësht dhe brenda tyre të merret maksimumi i hekurit, i vitaminës C, folateve, vitaminës A, dhe të evitohen sheqeri i tepërt, evitohen yndyrnat e ngurta”, thotë Bombaj. Pritet që pas Tiranës kjo meny të shpërndahet edhe në qytetet e tjera. Megjithatë prindërit kanë reaguar negativisht, duke kërkuar edhe zbatimin e pjesshëm të këtyre ndryshimeve, në mënyrë që fëmijët të përshtaten gradualisht.
Sigal