Tradhtia e nuses në Librazhd/ Sociologu: Po dënohet me metoda mesjetare

78
Sigal

Një ngjarje e rëndë ka shokuar opinionin publik ditën e sotme, pas publikimit të disa videove ku vërtetohej tradhëtia bashkëshortore. Rasti ka ndodhur në qytetin e Librazhdit, ku mësohet se vjehrri, vjehrra dhe disa të afërm kanë kapur “mat” nusen me të dashurin në shtratin e saj.
Skena e rëndë është filmuar nga njerëzit e burrit të saj, të cilët më pas e kanë përzënë nga shtëpia. Por më e keqja nuk ka kaluar ende për gruan në fjalë, pasi prindërit e saj, të tronditur nga lajmi, i kanë mbyllur derën.

Sociologu Gzim Tushe, është shprehur se sjellja e prindërve të dhëndrit ndaj nuses nuk është e justifikueshme.

Nuk është qëndrim normal, modern i qytetëruar, ndaj nuses. Hipokrizia që ka shpërthyer në rrjetet sociale është e turpshme. Kjo lloj sjellje na paralelizon me sjellje barbare”.

I pyetur për shkakun që mund ta ketë çuar gruan në mungesë të besnikërisë martesore, sociologu është përgjigjur se mungesa e një marredhënie intime të rregullt, por edhe largësia mund të ketë çuar në tradhti nga ana e gruas.

“Migracioni është një ndër shkaqet kryesore, pasi e ka çuar martesën në një marrëdhënie ‘part-time’”, u shpreh Tushe.

I pyetur se pse palët nuk shkojnë drejt procesit të divorcit, por zgjedhin të veprojnë me vetëgjyqësi, sociologu është shprehur se në Shqipëri ka një mungesë të kulturës martesore.

Divorci është një institucion i rëndësishëm, që shkon paralel me martesën. Divorci për një grua të martuar me një burrë maskilist është një shpëtim, ajo martesë më mirë është të mos vazhdojë. Ne vendin tonë raporti martesë-divorcë është, një divorc në 3 martesa. Divorci për gratë është më i vështirë krahasuar me burrat, pasi këto të fundit dhunohen, lihen në rrugë, nuk mbështeten nga familja. Institucionet duhet të jenë më radikale dhe prezente për t’u qëndruar më pranë rasteve të tilla.”

Në lidhje me rastin në Librazhd, sociologu nuk e justifikon gruan në lidhje me aktin e tradhëtisë, por kjo nuk u jep të drejtë familjarëve të ushtrojnë dhunë mbi të.

“Organet dhe organizatat për mbrojtjen e gruas duhet të ndërhyjnë në këto raste. Ajo mund të gjykohet moralisht, por nuk mund të përdoren ndaj saj metoda mesjetare. Morali është çështje personale. Institucionet duhet të jenë në mbështetje të saj për ta rehabilituar, apo për ta ndihmuar ekonomikisht nëse është e nevojshme. Institucionet duhet ta marrin “në mbrojtje”. Mëkati për burrat tek shoqëria maskiliste është i rikuperueshëm, ndërsa për gratë nuk ekziston. Nuk mund të kemi dy morale, një për gratë e një për burrat”, u shpreh sociologu