Tërmeti zbeh atmosferën e festave dhe fuqinë blerëse në Tiranë

542
Sigal

Në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dritat dhe dekori i festave nuk e fshehin dot ankthin, frikën dhe pasigurinë për të ardhmen që la pas tërmeti vdekjeprurës i 26 nëntorit tek banorët e kryeqytetit.

Në parkun e gjelbëruar të Sheshit Skënderbej, Silvana Sata është ulur në një nga stolat që rreh dielli, ndërsa shprehet se rrezet e zbehta të dimrit janë nga ato pak gjëra që shndritin në jetën e saj këtë sezon festash. Gruaja 53 – vjeçare shton se trinomi i ngjarjeve politike, sociale, dhe natyrore nuk e ka bërë aspak të gëzueshëm këtë fundvit për kryeqytetin.

“Tirana është bërë si ato nuset që kanë vuajtur shumë, e cila kur shkon në një dasmë fshati është lyer me të kuq e me të zi nga e keqja,” shprehet Silvana.

“Pastaj nga njëra anë jemi akoma të fiksuar me tërmetin dhe mendojmë do bjeri tani, do bjeri pastaj,” shtoi ajo, duke nënvijëzuar se trauma që i lanë pas lëkundjet sizmike po ia bën të vështirë të gjej gëzimin dhe paqen që tradicionalisht shoqëron sezoni festiv.

Në prag të Krishtlindjeve dhe festës së Vitit të Ri, banorët e kryeqytetit po mundohen të lënë pas ngarkesën negative psikologjike që shkaktoi tërmeti 6.4 i shkalles Rihter që goditi Shqipërinë në fund të nëntorit si dhe qindra paslëkundjet që e shoqëruan. Pavarësisht se shumica ndjehen të lehtësuar se rreziku i drejtpërdrejtë ka kaluar, ato shprehen se trauma dhe shqetësimi i shkaktuar nga jetët e humbura dhe dëmet materiale mbeten.

Të zhgënjyer me atmosferën e sezonit festiv shprehen dhe pronarët e bizneseve të vogla, të cilët nënvizojnë se në krahasim me vitet e shkuara njerëzia po shpenzojnë pak, për shkak të ndjenjës së pasigurisë që lanë pas lëkundjet shkatërrimtare e tokës. Sipas tyre frika dhe paranoja që ka shkaktuar ky tërmet ka krijuar një gjendje të rënduar psikologjike që ka ndikuar si pasojë edhe tek fuqia blerëse në biznese.

Tërmeti i 26 Nëntorit i cili u ndje kryesisht në zonat e Durrësit, Thumanës dhe Tiranës dhe që shkaktoi 51 viktima dhe më shumë se 900 të plagosur, nuk po e lë kryeqytetin të fle i qetë apo të gëzojë në paqe festimet e fundvitit. Sipas një raporti të vlerësimit të situatës të publikuar nga organizata “world Vision” 81 % e të rriturve në zonat e prekura nga tërmeti ndjehen të traumatizuar dhe raportojnë simptoma ‘frike, stresi, ankthi dhe humor të keq.”

Rrugëve të Tiranës çdo zbukurim dhe çdo tingull të bën të ndjesh atmosferën e festave, por banorët e kryeqytetit mesa duket janë akoma në një pendulum që luhatet midis hezitimit dhe shpresës për vitin që do vijë.

“Nuk i kemi ndjerë festat si vitet e tjera dhe përgatitjet domosdoshmërisht i kemi filluar pak më vonë,” shprehet Shpresa, një zonje e ulur në një stol në bulevard, ndërsa po bisedonte me shoqen e saj për tërmetin.

“Për shkak të fëmijëve jemi tronditur nga ana psikologjike dhe prandaj jemi disi te frikësuar për t’u fokusuar ashtu siç duhet tek festat,” shtoi ajo, duke nënvijëzuar se “rëndësi ka të jemi të gjithë bashkë me familjen dhe të jemi mirë.”

Mrika Deda, në biznesin e saj në Tregun e Madh të Tiranës | Foto : Nensi Bogdani

Besiana Taka, 26 vjeç, pret të bëhet nënë vitin e ardhshëm. Ajo shprehet se pas tronditjes që pësoi nga tërmeti, po mundohet këtë sezon festash të gjejë qetësinë e humbur, duke shtuar se edhe pse përgatitjet e fundvitit është duke i marrë ‘pak avash-avash,’ po mundohet ti realizojë si çdo vit tjetër.

“Unë jam dhe shtatzënë dhe shpresoj që viti tjetër 2020 të jetë një vit i qetë, pasi fundin e këtij viti e përjetova pak me stres pas tronditjes qe na dha tërmeti para një muaji,” tha ajo , ndërsa sodiste në një dyqan lodrash duke kërkuar një dhuratë për beben në pritje.

“Të trembesh nga gjëra që vijnë krejt papritur nuk është mirë gjatë shtatzënisë. Ky beb do të jetë dhurata ime më e mirë për vitin tjetër,” shtoi ajo.

Zërat e ndryshëm tregojnë se një pjesë e qytetarëve të thjeshtë e shohin Vitin e Ri si një fillim të ri dhe si një katarsis nga frika që shkaktoi aktiviteti i shtuar sizmik, e disa të tjerë, siç janë pronarët e bizneseve të vogla, e shohin Vitin e Ri si një luftë të re për t’u rimëkëmbur ekonomikisht nga goditja që pësuan të ardhurat e tyre – një tjetër efekt i traumës nga tërmeti.

Sipas tregtarëve të ndryshëm në Tiranë, gjendja e rënduar psikologjike ka pasur dhe një efekt të drejtpërdrejtë mbi shpenzimet për festat, duke regjistruar një rënie të fuqisë blerëse të konsumatorëve në krahasim me vitet e tjera.

Mrika Deda, tregtare në Tregun e Madh të Tiranës fajëson tërmetin dhe ekonominë e dobët për rënien e kërkesës blerëse gjatë këtij sezoni festiv në krahasim me vitet e tjera.

“Me thënë të drejtën, shitjet kanë ecur dobët, për arsye se gjendja ekonomike nuk është shumë e mirë dhe pasojat e tërmetit i kanë trembur njerëzit,” tha ajo.

“Ngaqë nuk kemi fitime, mezi po përballojmë dhe taksat, dhe kjo na ka renduar pak tani para Vitit te Ri, pasi dhe ne duam të festojmë sa më gëzueshëm,” shtoi gruaja 60-vjeçare.

Bardhyl Doçi, në biznesin e tij në Tiranë, duke paketuar një buqetë lulesh | Foto : Nensi Bogdani

Bardhyl Doçi, 35 vjeç, administratori i një dyqani lulesh, shprehet se me afrimin e festave biznesi nuk i ka ecur shumë mirë, ndërsa shton se e keqja më e madhe ka kaluar dhe uron që të gjithë të gjejnë një mënyrë të festojnë të qetë këtë Vit të Ri.

“Pas rënies së tërmetit në nëntor blerjet në dyqan tregojnë se njerëzit nuk e kanë pasur shumë mendjen tek këto gjërat e qejfit, sepse ne hyjmë tek bizneset e qejfit,” shpjegoi Bardhyli.

Ndryshe nga lule ushqimi mbetet gjithmonë tema kryesore kur bëhet fjalë për festat; megjithatë, edhe tregtarët e fruta-perimeve raportojnë shitja më të ulëta gjatë këtij sezoni.

“Festat e fundvitit për mendimin tim këtë vit janë më të brishta se vitet e tjera,” tha Femi Ndoka, 44 vjeç, i cili është shitës tek tregu i fruta-perime tek Pazari i Ri.

Duke thënë me bindje se ka një rënie në blerje, Femiu shprehet se sipas opinionit të tij ndjenja e pasigurisë që ka krijuar tërmeti i ka shtyrë blerësit të jenë të kujdesshëm me shpenzimet e tyre. Gjithsesi, ai e shikon me shpresë të ardhmen pasi vigjilja e Krishtlindjeve e ka përmirësuar lehtë biznesin

“E vë re nga njerëzit që shoh përditë këtu tek puna që e gjithë popullata është tronditur shpirtërisht; megjithatë, shqiptarët kanë festuar çdo vit dhe sigurisht që edhe këtë vit do festojnë,” tha Femiu.

“Unë personalisht jam mysliman por do i festoj dhe Krishtlindjet sepse kam shumë miq të krishterë dhe i respektoj të gjitha fetë,” shtoi ai ne lidhje me festen e Krishtlindjeve, duke theksuar edhe një herë tolerancën fetare që mbizotëron në Shqipëri nuk e lëkundin as fatkeqësitë natyrore.

BIRN