Tërmeti dhe pandemia trembin shqiptarët drejt sigurimit

328
Sigal

Shqiptarët nuk kanë një kulturë të fortë të sigurimit, por ngjarje si tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia botërore e Covid-19, kanë trembur një pjesë të popullsisë drejt sigurimit të pronës apo shëndetit të tyre.

Kriza ekonomike këtë vit është pasqyruar edhe te kompanitë në këtë treg, që për 7 muajt e parë të vitit kanë nënshkruar 200 mijë kontrata më pak krahasuar me një vit më parë, me një humbje prej 4,6 milionë eurosh.

Statistikat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në këtë ecuri negative, spikasin dy produkte. Sigurimi i sëmundjeve, që ofron kompensimin e shpenzimeve mjekësore në rast sëmundjeje apo problemesh shëndetësore, përfshirë këtu trajtimin në rast të infektimit me Covid-19, arriti në vlerën e 499 milionë lekëve, 12,7% më të lartë se janar-korriku i një viti më parë.

Sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, ku përfshihen edhe dëmet nga tërmeti, arritën një vlerë të paguar prej 832 milionë lekësh, apo 17,7% më të lartë. Pavarësisht rritjes së të siguruarve për këto dy produkte, efekti pritet të jetë i përkohshëm dhe të kthehet në nivele më të ulëta.