OSHEE sistem vetëshërbimi online për qytetarët tek “Infokioska”

600
TIRANE – Tashmë të gjithë qytetarët mund të kryejnë vetëshërbime të ndryshme ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në mënyrë online. Kjo do të arrihet falë pajisjes që do jetë në qendra tregtare dhe qendra publike.
“Infokioska” është konceptuar në formën e vetëshërbimit për tu vendosur në zona të ndryshme, përfshi këtu qendra tregëtare apo publike, që garantojnë një sistem të sigurtë, transparent, të shpejtë dhe efektiv.
Qytetarët në kohë reale mund të njihen me faturat e energjisë, të paguajnë faturat online, të njihen me statusin e ankesë/kërkesave të tyre ose të depozitojnë një të tillë. Kjo pajisje praktike dhe lehtësuese për abonentët, mundëson marrjen e informacioneve në kohë reale, duke evituar rradhët e gjata pranë Qendrave të Kujdesit ndaj Klientit për të kryer të tilla shërbime.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ka deklaruar se përmirësimi i situatës financiare të sektorit dhe kompanisë përkthehet në shërbime më të mira për qytetarët.
“Shërbime më të mira për sa i përket furnizimit me energji që kërkon kohën e vet, vite dhe investime. Pse jo edhe me pak para, të përmirësojmë bazën e shërbimit me klientin. Konsumatori shqiptar, sa më shumë i bashkohet formalizimit të tij në sistem, aq më tepër kërkon shërbim cilësor. Qëllimi ynë është pikërisht që të ofrojmë shërbime alternative dhe korrekte përmes formave moderne online”, theksoi ministri.
Administratori i OSHEE-së Ardian Çela sqaroi se gjatë këtij viti janë hedhur hapat e parë për modernizimin e shërbimit ndaj klientit dhe viti 2016 do të shënojë një ndryshim edhe më të dukshëm.
“OSHEE e ka në fokusin e saj gjithnjë e më tepër përmirësimin në mënyrë të dukshme të marrëdhënies me klientin. Gjatë këtij viti kompania mori disa nisma për krijimin e kompanive alternative për shërbimin e pagesës si përmes telefonit, pikave të këmbimit valutor etj. Në këto sportele ka rritje të ndjeshme të veprimeve nga abonentët. Vetëm në muajin tetor u regjistruan 120 mijë pagesa nga sportelet ndërsa nga shkurti janë mbi 820 mijë pagesa në formë elektronike”, u shpreh Çela.
Vetëm një ditë më parë, Kryeministri i vendit, Edi Rama lançoi edhe vendimin më të fundit për faljen e kamatë-vonesave për familjet më në nevojë, të cilat kanë nënshkruar dhe vijojnë që të shlyejnë energjinë elektrike në mënyrëtë rregullt. 
Sigal