Të emëruarit e ministrit të Energjetikës, hajdutët që po rrjepin çdo ditë shqiptarët

509
Sigal

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike: 70 % e vlerës së energjisë humbet në rrjet

Humbjet e energjisë elektrike në Shqipëri sa vijnë dhe thellojnë gropën e zezë të ministrisë së Energjetikës. Megjithëse u fol se do përmirësoheshin treguesit, e kundërta po ndodh çdo ditë dhe shqiptarët tanimë janë të detyruar të paguajnë rritjen e energjisë, e cila duke krahasuar rrogat dhe pensionet, na renditë në vendet më të shtrenjta në botë. Shqiptarët janë të detyruar të paguajnë maskarallëqet dhe pazaret që drejtuesit e Ministrisë të Energjetikës bëjnë duke emëruar të paaftë dhe hajdutë ordinerë në krye të drejtorive rajonale dhe qendrore të CEZ Shpërndarje ( sot OSHEE). Këta njerëz janë lidhur me faturuesit dhe aforfetë që këta vendosin, favorizimet e ndërmarrjeve private dhe sh.a-ve bëjnë që gropa të hapet me shpejtësi, duke përpirë jo vetëm drejtoritë e OSHEE-së, por edhe vetë ministrinë dhe titullarin e saj. Vetëm para ca kohësh në një emision investigativ, ne pamë se si drejtuesit rajonalë te OSHEE-së bënin pazare, duke deklaruar “që paguaj nën dorë kaq milion,ë që të falim kaq milionë të tjera”. Ja, pra, këto janë marrëzitë e kësaj ministrie, paratë e të cilave mblidhen nën dorë dhe dërgohen deri në majën e piramidës së energjisë. Sot shqiptarëve i duhet të paguajnë paaftësinë e të emëruarve dhe familjarëve të ministrisë së Energjetikës, në krye të drejtorive qendrore dhe lokale. Nga ana tjetër, Banka Botërore kërkon rritjen e energjisë vetëm e vetëm se do që të ketë të sigurt kredinë, e cila përsëri paguhet nga shqiptarët. Ne do fillojmë investigimet për t’u thënë shqiptarëve se sa është kostoja e prodhimit dhe se pse shteti vazhdon të mbajë monopolin e energjisë. Por, le t’i kthehemi situatës konkrete.

 Sipas të dhënave të Kompanisë së Shpërndarjes vlera e energjisë elektrike e hedhur në treg për një periudhë një vjeçare arrin në 30 miliardë lekë, nga të cilat rreth 21 miliardë lekë, ose 70% e totalit të vlerës është energjia e humbur apo që vidhet.Operatori i shpërndarjes është i detyruar t’i mbulojë humbjet me energji të importuar ose e blerë brenda vendit me çmimin e tregut. Ndaj, pjesa e energjisë që shkon humbje i kushton sistemit më shtrenjtë se energjia që konsumohet nga familjet apo bizneset. Për të kuptuar peshën e madhe të kësaj vlerë mjafton t’u themi se humbjet në një vit llogaritet rreth 180 milion dollarë. Shifër kjo më e lartë se vlera e huasë prej 150 milionë dollarë që Banka Botërore pritet të miratojë këto ditë pikërisht për investimet në sektorin e energjisë.
Niveli i humbjeve vazhdon të mbetet shqetësues, edhe për nga sasia e energjisë së shpërndarë. Nga bilanci i kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, rezulton se 45% e sasisë së energjisë së blerë nga kjo kompani dhe e shpërndarë në rrjet, është energji e humbur. Sipas të dhënave të CEZ, sot Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike, në një vit janë blerë 7.1 milionë megavatorë energji, sasi e siguruar kjo nga Korporata Elektroenergjetike shqiptare dhe nga importi.Nga kjo sasi në total, energjia e humbur në rrjet, ku përfshihen edhe energjia e vjedhur, e ka arritur në 3.8 milionë megavatorë vitin e kaluar. Me këtë bilanc, pritet që edhe shpërndarësi i energjisë t’i kërkojë entit rregullator rritje të çmimit të energjisë, ndonëse drejtuesit e kompanisë ende nuk e konfirmojnë zyrtarisht.