Përmet/ Rruga e Psarit, “viktimë” e tenderit që “hëngri” 480 milionë lekë… dhe nuk u bë

771
Sigal

Afro 5 vite e gjysmë më parë, konkretisht më 10 prill 2009, në Komunën e Ballabanit në Përmet, ish-qeveria “Berisha”, vetëm 3 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare hapi “thesin” dhe akordoi një fond të “majmë” për një rrugë në fshatin Psar të kësaj komune. Banorët e zonës së Psarit në Komunën Ballaban, valëvitën flamujt e PD-së dhe organizuan një “festë” popullore “fshatçe” për lajmin që u dha “beu” i komunës Agim Dumani, se brenda 3 muajve do të ndërtohej rruga e këtij fshati, që do ta lidhte Psarin e krejt zonën me qendrën e Komunës Ballaban. Rruga nisi me një traktor-rruspë, i cili të nesërmen e firmosjes së tenderit të shumë përfolur, mbushi disa gropa, rrafshoi disa “brigje” çakulli mbi trasenë e vjetër afro 70 -vjeçare dhe i ndaloi punimet me kaq. Po çfarë ndodhi me rrugën e fshatit Psar? Troç, ajo nisi e nuk u bitis. Kjo gjë i përket qeverisë e drejtësisë, të zbardh se, çfarë ka ndodhur me letrat e tenderit dhe si janë “qepur” ato. Ajo që shqetëson banorët është fakti që rruga nisi, u bë në masën 35% (rrugë i thënçin) dhe nuk vazhdoi më tej. Madje është katandisur me keq, se gjendja në të cilën ishte përpara punimeve. Siç shprehen banorët në 62 letra drejtuar Këshillit të Qarkut, Prefektit e Prokurorisë të Qarkut Gjirokastër, KLSH dhe ish-qeverisë “Berisha” e së fundi 11 herë edhe qeverisë “Rama”, rruga nuk u bë mbasi (sipas tyre) me fondet e saj u abuzua prej firmës ndërtuese në bashkëpunim me kreun e komunës Agim Damani dhe deputetin e zonës Genc Ruli, “sekserin” e akordimit të fondeve dhe “kumbarin” e “shpalljes” së fituesit. Sa për konkretizim, në Buletinin e datës 9 mars 2009, Agjencia Kombëtare e Prokurimit Publik, ka publikuar shpalljen e tenderit përkatës, me objekt prokurimi “Ndërtim-Asfaltim i rrugës + urë të aksit Ballaban-Psar në Përmet. Sipas projektit, kjo rrugë do të ndërtohej me këtë  investim: Loti i parë në vlerën 35 milion, 663 mijë e 420 lekë pa TVSH dhe loti i dytë në vlerën 4 milion, 098 mijë e 150 lekë pa TVSH. Sipas projektit, afati i përfundimit të punimeve ishte përcaktuar 90 ditë kalendarike, nisur nga dita e lidhjes së kontratës. Data e zhvillimit të tenderit ishte 10 prill 2009, ora 12:00 në zyrat e Komunës Ballaban-Përmet. Jashtë këtij afati, ndalohej të pranoheshin dokumente gare. Se çfarë “çorbe e qelbur” është bërë me organizimin dhe zhvillimin e tenderit, këtë “sekret” e di më mirë kreu i komunës Agim Damani, komisioni i tenderimit në Komunë, Agjencia Kombëtare e Prokurimeve Publike që ka ankimimet, KLSH që ka dosjen e tenderit, Këshilli Qarkut, Prefektura e Prokuroria në Gjirokastër, si dhe kryeministria që ka letrat denoncuese të banorëve për këtë rrugë të papërfunduar edhe pse janë dhënë afro 480 milionë lekë fonde me gjithë TVSH.  Ajo që dihet është fakti, se të drejtën për të ndërtuar rrugën me gjithë urë në aksin Ballaban-Psar në Përmet e ka fituar firma ndërtuese “B-93” me president Sh. Liço, me rezidencë në Mallakastër. Nuk dihet, se përse nuk po hapen “letrat” e tenderit të kësaj rruge, por dihet fakti që rruga nuk është përfunduar e madje, nuk është gërmuar asnjë metër katror në 65% të gjatësisë së saj, paçka se letrat u firmosën e u vulosën për mrekulli për ndërtimin e saj “me sinjalistikë, vepra arti, kanalizime, drenazhe, siguri teknike, urë dhe gjithë standardet sipas kontratës e projektit. Specialistët e rrugëve në Qarkun e Gjirokastrës, deklarojnë se kjo rrugë nuk është rrugë edhe pse janë shpenzuar 480 milionë lekë. Lidhur me këtë çështje, një javë më parë zhvilluam një bisedë telefonike me kreun e Komunës Ballaban, zotin Agim Damani, duke i kërkuar informacion në lidhje me realitetin dhe shkaqet e mos përfundimit të rrugës Ballaban-Psar. Fillimisht, ai e quajti “shpifje” informacionin tonë, pastaj e pranoi dhe nxori si shkak “fondet e pamjaftueshme”! Ne shkuam në Ballaban e Psar, vëzhguam dhe fotografuam rrugën në pjesën e ndërtuar të lënë pa ndërtuar, pastaj kërkuam takim me kreun e komunës, por banorët na thanë se nuk ishte në komunë, mbasi ai jeton edhe në… Tiranë! Nga biseda telefonike që zhvilluam, kuptuam se kreu i Komunës së Ballabanit në Përmet  “Ballaban Pasha” Agim Damani, nuk u ndje aspak mirë kur i përmendëm “historinë” e mos ndërtimit të kësaj rruge! Banorët e Psarit, kanë bërë qindra ankesa për shkaqet e mos ndërtimit të rrugës, por nuk i ka përfillur askush deri sot. Ajo që ka mbetur nga gjithë “historia” e rrugës së Psarit në Ballaban të Përmetit është vetëm rruga gërmadhë e pa përfunduar, krejt e mbushur me zhavor e baltë lumi të Dëshnicës në pjesën e pandërtuar, asfaltuar si rrugë baxhoje vetëm në 1800 metër gjatësi në hyrje të komunës edhe kjo jashtë çdo standardi teknik e fizik, por që në letra figuron si “autostradë”. Banorët vazhdojnë të qarkullojnë në rrugën e mbetur gërmadhë siç ka qenë 70 vite më parë, duke u përballur me vështirësi serioze e shqetësuese në punët dhe jetën e tyre.

 Përparim HALILI