Tallje qeveritare për pensionistët

14
Sigal

Rilindja sërish tallet me të moshuarit, rrit me 900 lekë pensionet ose 8 bukë, teksa pensionistët  vazhdojnë të presin 100-200 euro nga fëmijët jashtë për të mbijetuar. Eksperti Nonda Buxhuku: Nga indeksimi i pensioneve, përfitojnë vetëm ish-ministrat, deputetët dhe zyrtarët e shtetit

Efektet e përjashtimit nga pagesat e kontributit për sigurimet shoqërore te pensionistët e vetëpunësuar si të vetëm në sektorin privat llogariten nga 1 prilli 2023 sipas ekonomistëve.

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, përjashtimin e kësaj kategorie vetëm nga sigurimet shoqërore, pagesat për sigurimet shëndetësore për periudhën 3-mujore (prill-maj-qershor) janë në vlerën e rreth 8,200 lekëve nga rreth 33,000 lekë që paguhej më parë për periudhën 3-mujore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaroi për Monitor se “Për të vetëpunësuarit e vetëm si pensionistë duke zgjedhur kategorinë i vetëpunësuar, që përfiton nga pensioni i pleqërisë nuk paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore. Ndërsa për sigurimet shëndetësore paguajnë mbi dyfishin e pagës minimale pra me 2,720 lekë”.

Pensionistët që vetëpunësohen si të vetëm në sektorin privat më përpara paguanin kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore. Përfituesve të pensionit të pleqërisë, koha e punësimit nuk u njihej si periudhë sigurimi.

Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore paguhen çdo tremujor, brenda datës 20 të muajit të parë, pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik. Pra, jo më vonë se datat: 20 prill, 20 korrik, 20 tetor, 20 janar.

Nga masa lehtësuese përfitojnë 1,484 pensionistë të vetëpunësuar në sektorin privat sipas të dhënave në relacionin e projektligjit. Vlera mujore e kontributit që paguajnë ata është rreth 14,2 milionë lekë, ndërsa vlera vjetore është 169,8 milionë lekë. Kjo vlerë do të pakësohet nga të ardhurat e fondit të sigurimeve shoqërore.

Miratimi i ndryshimeve ligjore nuk përfshin përjashtim nga pagimi i kontributeve për pensionistët e punësuar në sektorin privat. Lidhur me arsyen e mospërjashtimit të kësaj kategorie në relacion argumentohet se për personat e punësuar kontributet paguhen ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit.