Taksa e pronës, ulet vlera që do të paguajnë qytetarët

647
Reagimet e shumta i detyrojnë Financat të tërhiqen. Diskutohet për nivelin 0.05% të vlerës së banesës, ndërsa mund të ketë diferencim tek viti i ndërtimit
Taksa e pronës pritet të nisë zbatimin nga 1 janari 2018, sipas një modeli të ri, në bazë të të cilit do të jetë vlera e tregut. Megjithatë ende Ministria e Financave nuk ka një projekt përfundimtar, ndërsa janë hartuar disa versione. Deri përpara zgjedhjeve ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar që vinte theksin tek kadastra fiskale, ndërsa periudha post-zgjedhje ka rezultuar me një amulli që lidhet me ristrukturimin e institucionit, duke sjellë për rrjedhojë edhe vonesa në procese të caktuara. Ndryshimi i taksës së pronës nuk ka bërë përjashtim. Burime pranë Ministrisë së Financave thanë se drafti është në ndryshime dinamike ditë pas dite.

Niveli 0.05% si varianti më i mundshëm
“Aktualisht në ministri po bëhen modelime tatimore, llogaritje dhe analiza në mënyrë që të gjendet një përqindje e përshtatshme. Kur themi e përshtatshme kemi parasysh që vlera e taksës të paktën në dy vite zbatim që do të ketë, deri në finalizimin e kadastrës, të mos jetë shumë e lartë. Varianti mbi të cilin po rrihen diskutimet për momentin është që taksa të jetë sa 0.05% e vlerës së pronës. Kjo përqindje garanton që vlera të përballueshme dhe që synon formalizmim”, shprehen për “Monitor” të njëjtat burime. Megjithatë ky version mbetet më i ulët se ato që kanë qarkulluar më parë. Në diskutimet e bëra në Ministrinë e Financave propozimet varionin nga 0.076%, 0.1% dhe 0.114% të vlerës së pronës. Në të tria variantet, zotëruesi i një shtëpie me sipërfaqe 100 metër katror dhe që kushton 100 mijë euro (pra 1 mijë euro për metër katror, me çmimin e tregut) do të paguante 76 euro, 100 euro ose 114 euro në vit. Tashmë me nivelin 0.05 % pagesa do të shkojë rreth 50 euro në vit.

Kush do paguajë dhe kush jo
Taksa e pronës sipas modelit të ri edhe pse fillimisht është lakuar se do të paguhej edhe mbi truallin edhe mbi tokën bujqësore në fakt në vitin e parë të zbatimit do të prekë vetëm ndërtesat. Pjesa tjetër do të vazhdojnë të paguajnë taksën sipas modelit në legjislacionin përkatës, domethënë me vlerë fikse sipas zonave ose vendndodhjes. “Në diskutime më herët ka pasur një synim për të ndarë pjesën e taksimit në disa kategori edhe kur vjen puna tek ndërtesat. Për shembull ishte menduar një ndarje për ndërtesat rezidenciale, për ato me funksion biznesin apo për ato që janë të pashfrytëzuara. Kjo do ta bënte më të vështirë menaxhimin e taksës në këtë vit të parë, ndaj gjasat janë që të aplikojmë taksën e njëjtë për të gjitha”, konfirmojnë të njëjtat burime brenda Financave. Por ministria ka në diskutim edhe një nën komponent që lidhet me një ndarje të mundshme të ndërtesave sipas vitit. Skepticizmi në këtë rast lidhet me faktin që çdo nën komponent shtesë mund të komplikojë disi procesin ndaj ende mbetet për t’u marrë një vendim për këtë pjesë.

Mbledhja, OSHEE apo ujësjellësit
Aktualisht taksa e pronës në disa qytete si Korça apo Tirana mblidhet përmes faturës së ujit. Jo rastësisht është menduar që ujësjellësit në vend mund të ishin një agjent tatimor, por duket se situata e vetë këtyre ndërmarrjeve me arkëtimet ka stepur Financat. “Me shumë mundësi, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mund të jetë agjenti tatimor për mbledhjen e kësaj takse. Kjo lidhet me faktin që treguesit e kompanisë janë pozitivë për arkëtimet. Nuk është vendosur ende nëse OSHEE do të hyjë menjëherë si agjent apo do të pilotohet në disa bashki për të parë rezultatin dhe më pas për ta shtrirë në të gjithë vendin”, pohojnë burimet pranë Financave.

Strukturë e re dhe ligj i ri
Në harkun e dy viteve, duhet që të mbyllet komplet kadastra fiskale e cila do të jetë baza e vetme zyrtare e të dhënave për qëllime taksimi, për çdo pasuri në vend duke gjeneruar përmes saj detyrimin përkatës, që duhet të paguajë çdo qytetar që ka një pasuri të paluajtshme. “Në Ministrinë e Financave do të ngrihet një strukturë e veçantë, e cila do të ndjekë reformimin e kësaj takse, pra nga nisja e zbatimit në janar 2018 e deri tek kadastra fiskale e përfunduar. “Sigurisht që kjo situatë kërkon rishikimin e legjislacionit dhe ndoshta vitin tjetër, do të punohet për të bërë një ligj të ri, që trajton specifikisht taksën e pronës, përfshirë procedurat për mbledhjen e saj”, konfirmojnë burimet. Aktualisht ajo që ka mbetur për t’u hartuar është metodologjia e përcaktimit të vlerës që mendohet të bëhet me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Baza e të dhënave si do të sigurohet
Që të nisësh taksimin duhet patjetër që të kesh një bazë të mirë të dhënash. Aktualisht njësitë e qeverisjes vendore, që janë edhe përfituesit direkt të kësaj takse, kanë ndërmarrë iniciativa individuale për krijimin e një baze të vetën, por që në përgjithësi këto baza janë të paplota dhe informacioni jo shumë të saktë ose përditësuar. Sipas projektit të ri, mendohet që kadastra fiskale të jetë një sistem qendror duke përcaktuar përgjegjësitë specifike të dy pushteteve në funksion të përmirësimit të bazës së të dhënave. Pushteti vendor mund të ketë akses në sistem, vetëm për pjesën që i takon, por deri në finalizimin e kuadrit ligjor duket se do të ketë ende debate dhe ndryshime. Aktualisht institucioni që ka edhe bazën më të gjerë të të dhënave është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që përmes edhe një projekti të fundit për sistemin e adresave siguroi edhe disa tregues të rëndësishëm, që mund të përdoren për kadastrën fiskale. Kuptohet kjo mund të realizohet vetëm përmes marrëveshjeve ndërinstitucionalë, si dhe duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale konform kërkesave ligjore. Të pasurit të kësaj baze e bën OSHEE-në dy herë të përshtatshëm si agjent tatimor, por që raporti mes agjentit dhe përfituesit të taksës do të duhet të përcaktohet me marrëveshje të re. Pavarësisht alternativave pritet që detajet finale për ngritjen e kadastrës së plotë fiskale dhe teknikalitete të tjera për fillimin e zbatimit të një sistemi të ri të taksës së pasurisë ndërtesë mbi bazën e vlerës, mbetet të caktohen në vijim.
Sigal