Takim me ambasadorin, Presidenti Meta ftohet në Katar për Konferencë e OKB

236
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ambasadorin e Katarit në Tiranë.

Gjatë këtij takimi, ambasadori Ali Bin Hamad Al-Marri i ka dorëzuar presidentit Meta, ftesën për të vizituar Dohan.

‘Kënaqësi e veçantë të mirëprisja sot Ambasadorin e Katarit, Ali Bin Hamad Al-Marri, i cili më dorëzoi personalisht ftesën e Emirit të Katarit, Lartësisë së Tij, Tamim Bin Hamad Al Thani, për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Katar, si dhe për të marrë pjesë në Konferencën e Pestë të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm në Doha.

I kërkova Ambasadorit t’i përcjellë Emirit të Katarit përshëndetjet e ngrohta dhe falënderimin e përzemërt Emirit për ftesën, të cilën e pranova me shumë kënaqësi.

Me këtë rast i shpreha falënderimin dhe mirënjohjen e sinqertë edhe për ndihmat bujare të shtetit të Katarit për Shqipërinë dhe popullin shqiptar ndër vite, si dhe e sigurova për mbështetjen time të plotë për forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve dypalëshe’, shkruan presidenti Ilir Meta në Facebook.

Image