Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Njeriu i Ambasadës

Ndonjëherë, historitë e vjetra nuk na pëlqejnë. Ato na e trazojnë humorin; por s’kemi nga mbajmë. Jeta i ka të gjitha kohët. Kështu, përpara shumë e shumë vitesh, shkollën tonë të mbrëmjes e frekuentonte një djalosh me emrin Lako Dudumi. Kishte ardhur nga një fshat për të ndjekur arsimin e mesëm; jetonte te disa të afërm që, mesa dukej, kishin vendosur ta ndihmonin. (Të bënte ca shkollë. Të zinte edhe ai një vend në jetë.) Ashtu. Mirëpo nuk ishte faji ynë që mbiemri i tij, kjo fjala dudumi, përshtatej në mënyrë fatale me cilësitë e atij djali. Ai nuk nxinte fare. Fare. Kur i bëje ndonjë pyetje, hutohej sakaq, ngrinte kokën, hapte sytë, skuqej, psherëtinte sa të shtinte drithmat; me një fjalë, vuante kaq shumë, sa të dhimbsej.  Por s’ishte e thënë të kishte vetëm të këqija. Ai e frekuentonte mësimin rregullisht. Dhe ishte i urtë sa më s’bëhej. Megjithatë mbeti në klasë dhe i duhej të kthehej në vjeshtë për të paktën dy provime. Njërin prej tyre, për dreq, me mua… Një mëngjes, kolegu dhe miku im më i afërt – të cilin këtu po e quaj thjesht Miku – më fton për një kafe dhe më thotë se do të qante një hall të madh me mua. Ky hall i madh ishte pikërisht Lako Dudumi. “Dëgjo vëllanë, më tha, ashtu është puna, kam ca detyrime e më kanë zënë ngushtë… Jemi njerëz të gjallë, apo jo? Do t’ia japësh një pesë; për mua. Për mua.”  Ashtu si e gjithë trupa mësimore (e atëhershme) unë nuk isha pedant e zemërngushtë; por as edhe ndonjë i rënë nga qielli, për të bërë mirësi. I thashë Mikut se më kishte kapur keq; ai djalë ishte tapë topi. Nuk mundesha. Atëherë Miku m’u përgjërua, më zuri në gojë miqësinë, bisedat tona të shpërfillura… Nuk kisha nga të mbaja. Në sezonin e vjeshtës, kur Lako Dudumi erdhi në tryezën e provimit – atëherë këto bëheshin kryesisht me gojë – unë u përpoqa të tregohesha sa më i duruar; fleksibël, siç thonë tani. Djali kishte mbërthyer tezën e provimit me të dyja duart, sikur do ta shtrydhte. Dhe vetëm psherëtinte.

-Hë, Lako!… Jepi! – i thoshte herë pas here Miku. – Çfarë i ka rënë këtij? Gjermania? Oh, pyetje e bukur! Grep fare!

Sigal

E bukur, por tjetri njëherë për njëherë vetëm zgurdullonte sytë.

-Gjermania… – tha ai pas pak. – Për shembull, Gjermania…

Këtë “Për shembull” e kishte gjithnjë në majë të gjuhës. I dukej sikur mbahej e merrte zemër pas atyre dy fjalëve…

-Tregoje, tregoje në hartë! Ja steka. Thuaji profesorit, ku është Gjermania! – i jepte zemër Miku. – Ti je përgatitur shumë mirë…

Mirëpo e mori sysh me atë frazë. Lako Dudumi shkoi e tregoi Britaninë e Madhe.

-E jo jo! Ca më poshtë… se ti je përgatitur mirë. Ashtu! Më poshtë!

Lako Dudumi kishte filluar të dridhej i tëri. Ndërkaq, ai vërtet po e zbriste stekën më poshtë, por shkoi e ndaloi diku midis Francës dhe Spanjës.

-Jo jo! Jo aty, Lako! – Miku u bë më keq se i preferuari i tij. – Është përgatitur, – më thoshte mua ndërkaq. – Është përgatitur mirë; por ka një të keqe: Hutohet. Hutohet shumë. Se për të ditur i di. Këtu, Lako!

Steka ishte ndalur më së fundi aty ku duhej.

-Shumë mirë! Grep fare! Tani, lumenjtë e Gjermanisë. Është e thjeshtë. Mjaft të shikosh në hartë, – e nxitte pareshtur Miku. Pastaj kthehej nga unë. – Ky është përgatitur, profesor. Ja pra, lumenjtë që e përshkojnë vendin, janë… E di, e di. Mirëpo hutohet. Ja, na thuaj një lumë…

Dudumi më së fundi dha shenja jete. -Për shembull, Devolli, – tha ai papritur, duke më parë mua gjithë shpresë.

-Eh, jo jo! Ky vërtet është një lumë. Shumë mirë! Grep fare! Ju thashë, profesor, që ka mësuar… Por këtu, këtu në Gjermani. Këtu kemi E… El…

-Elbasani… – tha ditëziu Lako; dhe mua, nuk e di pse, m’u krijua përshtypja që do të fillonte të lagte pandallonat.

-Jo jo! Elbasani mirë, bukur, grep fare! Por këtu kemi Elbën, – s’pushonte edhe Miku – Tani na thuaj, në cilin det derdhet Elba?

-Në Pogradec për shembull…

-Jo jo! Le që ky nuk është det njëherë. Mos u huto! Ah, more profesor, sa hutohet ky djalë…

Ai djalë, thjesht nuk dinte asgjë. Dhe kjo ishte më e pakta që mund të thuhej. Mirëpo Miku këmbënguli. Kanakari i tij do ta tregonte veten në pyetjen e dytë. Kisha për ta parë unë. Në pyetjen e dytë, Lako Dudumi do të ishte “grep fare”. Ai qe përgatitur; vetëm se hutohej. Pyetja e dytë, për të cilën Miku sërish i kishte bërë keq llogaritë, kishte të bënte me Ballkanin. Përshkrim i përgjithshëm. Vendndodhja. Shtetet.

-Hajde, Lako. Pyetja është grep fare. Na folë! Na folë për Ballkanin.

Por Dudumi nuk kishte çfarë të fliste. Ai ishte bërë me të vërtetë për t’i qarë hallin… Psherëtinte dhe i lëvizte duart kuturu. Shkonte te harta, mblidhte supet dhe pastaj kthehej dhe na tregonte atë fytyrën e tij të skuqur, mbytur në djersë. Dhe thoshte vetëm “Për shembull…” Dhe asnjë shembull nuk nxirrte nga goja. Sytë e tij të butë, të pafajshëm, na shikonin sikur të kishim zbritur nga ndonjë tjetër planet. E tërë qenia e tij dukej sikur thoshte: Aman-i, ç’kini që më torturoni?

Ndërkaq, unë përpiqesha të bëja indiferentin. Kurse Miku vazhdonte t’i binte fyellit gjithë në atë vrimë:

-Ky është përgatitur mirë, profesor; mirëpo hutohet. Hajde pra, Lako, qetësohu. Ti ke zhvilluar edhe konsultime. Merre stekën dhe na e trego njëherë Ballkanin.

Djali tapë topi e kapi stekën sikur të ishte ndonjë copë hekur i skuqur. E ndërsa atë të uruar Ballkan e kishte përpara syve, shkoi e u ngatërrua diku andej nga stepat e Rusisë.

-Dale! Dale, La

ko!, – iu qep Miku. – Ç’kërkon andej lart? Kush është Ballkani? Ne ku jetojmë?

-Në Korçë, për shembull, – u përgjigj i shkreti djalë.

-Patjetër, në Korçë, – e inkurajoi Miku. – Po shteti ynë, ne si shqiptarë ku jemi? Ne jemi në… B… Ba…

-Në Barç, për shembull…

-Jo jo! Lëre fshatin tënd! Ne po flasim për një rajon… Dhe ky është Ballkani. Tani, tregoja profesorit. Ashtu! Më poshtë! Majtas! Jo jo, djathtas! Aty! Po jo, or pykë, jo! – e ngriti zërin Miku. – Këtu je në Siçili… Hy, kokëlesh i xhaxhait!

Ashtu shkoi ai provim, gropa-gropa. Por Lako Dudumi e mori një pesë. E mori edhe shkollën e mesme. Kohë më vonë, shumë kohë më vonë, tani pensionistë, por bashkë si gjithnjë, unë dhe Miku po pinim nga një kafe, duke u qarë, si gjithnjë, për vështirësitë e jetës, pensionet, çmimet. Për fat, ishte një ditë e ngrohtë, me një diell rrëzëllitës, që i largonte sadopak brengat tona. Papritur, një pëllëmbë pranë bordurës së mbushur me lule, qëndroi një veturë e zezë, shik. Shoferi nxitoi të hapte derën e pasagjerit. Prej andej, doli një burrë i pashëm, i veshur shumë bukur. Ai shkëmbeu me shoferin dy-tre batuda; dhe po kaq herë tha “Për shembull…” Pastaj përshkoi me hap të sigurt trotuarin dhe u ngjit drejt nesh; më sakt, kaptoi shkallët dhe hyri në kafene me kokën lart.

Nuk e di pse m’u bë sikur kolegu im u trishtua paksa.

-Ç’i hap sytë ashtu? – iu përgjigj ai vështrimit tim zhbirues. – Ty nuk të vjen inat?

-Përse të më vijë inat?

-Si përse? Që ai nuk na foli…

-Kush është ai?

-Ai? Ehë. Tani punon në një ambasadë. Grep fare! Ore ti! Me të vërtetë s’e njohe Lako Dudumin?

Unë edhe njëherë ngrita supet. Ndërkaq, zotëria në fjalë po dilte nga lokali. Ai kaloi përpara nesh për herë të dytë. Dhe prapë nuk u trazua. Tani Miku u bë keq fare:

-Sojsëzi! Ia tregoj unë… I kemi vënë edhe pesë pa le. Ti domethënë.

Por unë vazhdoja të gjerbja me ngè kafenë time.

-Majmuni! Ta dija kështu… Apo jo? Plehra!

Miku nuk ngushëllohej dot. O Zot, na jep durim! Për çfarë bëhej fjalë? Lako Du… Dudumi?! Kush shkonte aq thellë e aq larg në kohë! Hë, po… Kur mua më erdhën mendtë, mallkova veten; jo për pesën e atëhershme, por pse isha lodhur aq shumë tani për ta sjellë në kujtesë atë djalë të çuditshëm, aq të trashë, aq naiv, aq me fat. Fundja, me kohë kishin ndryshuar gjërat për të gjithë; pse jo edhe për atë.

Kujtimet mund të na e kishin çuar prapa kurrizit atë të shkretë kafe. Por ne shpejt iu kthyem filxhanëve të ftohur. Kurse dielli i ngrohtë, sërish po e mundte trishtimin tonë.

Epo kaq. Ishte një ditë si gjithë të tjerat. Në jetë të jetëve.