Strasburgu paralajmëron: Konfiskimi pa prova është shkelje e së drejtës së pronës

Nga Avokati Myftar Rusta

Më 25 shtator 2025, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Strasburg) konstatoi, me shumicë votash, shkelje të Nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Europiane (E drejta për pronë) nga shteti italian.

Sigal

Gjykata theksoi se:
• Italia nuk arriti të provojë lidhjen konkrete midis pronarëve të pasurive të konfiskuara dhe ndonjë aktiviteti kriminal;
• Procedurat gjyqësore nuk ofruan garanci të mjaftueshme për të shmangur arbitraritetin dhe për t’u dhënë individëve mundësi reale për mbrojtje;
• Ndërhyrja mbi pronën ishte disproporcionale, duke cenuar thellësisht të drejtat themelore të paditësve.

Në përfundim, Gjykata la të qartë se:
• masat parandaluese mund të jenë të ligjshme, por nuk mund të mbështeten vetëm mbi dyshime të përgjithshme;
• konfiskimi duhet të bazohet mbi prova të forta dhe vendime gjyqësore të formës së prerë;
• çdo ndërhyrje mbi pronë pa garanci procedurale përbën shkelje të Konventës.

Implikimet për Shqipërinë

Ky vendim ka peshë të drejtpërdrejtë edhe për Shqipërinë, ku sekuestrimet dhe konfiskimet nëpërmjet OFL-së janë kthyer në praktikë të përditshme.

Ligji për OFL-në, i miratuar në vitin 2009, ka fuqi prapavepruese, por vetëm nëse në kohën kur është vendosur prona ekzistonte një indicje ose dyshim penal ndaj personit përfitues. Nëse një pronë është fituar më parë, në periudha kur nuk ka pasur asnjë dyshim penal, atëherë sekuestrimi i mëvonshëm është i pambështetur ligjërisht dhe në kundërshtim me Konventën.

Rasti i A.K. nga Cërriku – pasuri e konfiskuar padrejtësisht

Në Gjykatën e Elbasanit u sekuestrua dhe më pas u konfiskua prona e vetme e familjes së shtetasit A.K.: një ndërtesë dykatëshe në zonë rurale, e ndërtuar në vitet 2006–2007 me kontributin e gjithë familjes, mbi një truall të trashëguar që nga viti 1991.

Prokuroria justifikoi sekuestron me faktin se në vitin 2017 djali i A.K. ishte dyshuar në Belgjikë për shfrytëzim prostitucioni – një çështje ende në gjykim në Apelin e Brukselit, pa vendim përfundimtar.

Megjithatë:
• nga viti 1991 deri më 2015 A.K. nuk ka pasur asnjë procedim penal, asnjë dyshim dhe asnjë vendim gjyqësor;
• prona është ndërtuar në vitet 2006–2007, shumë kohë përpara se të lindte çdo dyshim penal;
• çështja penale e vitit 2017 është ende në proces dhe nuk ka marrë një vendim të formës së prerë.

Pavarësisht këtyre fakteve, gjykata vendosi sekuestrimin dhe konfiskimin, pa dëgjuar mbrojtjen e avokatit dhe nën presionin e prokurorisë.

Përfundim

Ky rast është një shembull i qartë i mënyrës se si OFL-ja po shndërrohet në një mjet arbitrar për t’u rrëmbyer qytetarëve pronat në mungesë të provave. Vendimi i Strasburgut kundër Italisë është një paralajmërim i fortë: nëse Shqipëria vazhdon këtë praktikë, do të përballet me të njëjtat pasoja – humbje procesesh dhe dëmshpërblime të rënda.

Lufta kundër krimit është e domosdoshme. Por ajo nuk mund të justifikohet duke shkelur të drejtat themelore të qytetarëve. Drejtësia duhet të mbështetet mbi prova të forta, mbi garanci procedurale dhe mbi vendime të formës së prerë – e jo mbi dyshime apo indicie të përgjithshme.