SPAK dhe KLSH  të rinisin  hetimet për  “ujqërit e bardhë” të “check-up”

67
Sigal

Koncesionari I Check-up ka marrë mbi 8 miliard lekë nga ministria e Shëndetsisë për shërbime që nuk i ka kryer. KLSH dhe SPAK të rihapin dosjen dhe të hetojë kontratën e Beqajt për pagesat e pajustifikuara dhe të auditojë mbylljen e pikave të errëta që u bënë me ndryshimet antiligjire të kontratës, pasi ishte shpallur fituesi.Roli i Ahmetajt dhe disa informacione që duan përgjigje për auditimin dhe hetimin e plotë.

 

Engjëll Musai

Gazeta Telegraf

Është koha që KLSH dhe SPAK të rihapin dosjen e CHECK-UP dhe të vënë para përgjegjësisë abuzuesit e vjedhjes më spektakolare të fondeve të shëndetësisë. Sipas burimeve konfidenciale flitet se për dosjen e CHEC-up gjatë auditimeve janë mbyllur shumë pika të errëta , pas të cilave fshihen miliona euro abuzime. Ndaj është detyra e SPAK të rihap këtë dosje, e cila përbën krim shëndetësor. Madje gojët e liga thonë se janë bërë pagesa të majme nga drejtuesit e institucioneve të kohës së shëndetësisë në lidhje me këtë procedurë kriminale, ku pavarësisht se sa vizita apo analiza do të bëhen, paratë do merren sikur janë të plota.’ Telegraf’ prej kohësh ka nisur ribotimet të shoqëruara edhe me fakte të reja që kanë dalë, ku dyshohet se abuzimi me check-up është shumë herë më i madh se ai i Sterilizimit, Laboratorëve dhe Dializës. Ndaj është mission i KLSH dhe detyrë e SPAK të hapi gropën e zezë të abuzimeve me jetën dhe shëndetin e qytetarëve , të kryera në rastin konkret me PPP e Check-Up.

 Koncesionari i Check-up ka marrë 6.5 milionë euro nga shteti për shërbime, që nuk i ka kryer

Në kontratat koncesionare, të cilat janë shtuar dukshëm vitet e fundit, po rezulton që kompanitë private janë të mbrojtura dhe të gjithë rrezikun po e merr përsipër shteti. I tillë është dhe rasti i koncesionit të check-up, apo atij të kontrollit shëndetësor, ku kompania private është paguar dhe për shërbime, që ajo nuk i ka realizuar, duke garantuar fitime të qëndrueshme për gjithë periudhën e koncesionit. Kjo shumë në 4 vjet, që kur ka filluar aktivitetin koncesionari llogaritet në 801 milionë lekë, ose rreth 6.5 milionë euro, sipas vlerësimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në raportin e buxhetit faktik 2018 ka konstatuar nga auditimi mbi monitorimin e kontratës së kontrollit bazë CHECK-UP me PPP rezultoi se, edhe këtë vit nuk janë arritur projeksionet e kontratës duke bërë që, pagesat e marrë tepër nga koncesionari, për punën e pakryer për vitet 2015, 2016, 2017 dhe 2018, pra kosto shtesë progresive (duke zbritur shpenzimet stabël) është 801 milion lekë (241 milion lekë për shpenzimet variabël të kontrolleve të parealizuara dhe 560 milion lekë TVSH-ja e faturuar e këtij shërbimi), ndërsa për vitin 2018, kjo kosto shtesë llogaritet për 168 milion lekë (22 milion lekë për shpenzimet variabël të kontrolleve të parealizuara dhe 146 milion lekë TVSH-ja e faturuar e këtij shërbimi). Koncesionari i check-up, ndonëse shërbimet mjekësore janë të përjashtuara nga TVSh rezulton që ka faturuar me TVSH. KLSH thekson se në rastin e TVSH ka një mosveprim të unifikuar të disa institucioneve shtetërore të cilat pasojnë përgjegjësitë nga njëri tek tjetri. KLSH konstaton me shqetësim trajtime të ndryshme për aplikimin e TVSH.

 Pagesat për “check-up” bllokojnë ministrin

Vazhdojnë të mbeten sekret të dhënat e kontratës koncesionare. Edhe dikasteri i Financave, i paqartë për shifrat dhe pagesat. Koncesionet në shëndetësi kanë vënë dje në vështirësi ministrin e Financave, Arben Ahmetaj. I pyetur për koncesionin e “Check-up” dhe pagesat që duhet të bëjë shteti ndaj privatit, kreu i dikasterit të Financave e ka pasur të vështirë të japë shifra të sakta. Gjatë diskutimeve për projekt-buxhetin e shtetit në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, ministri Ahmetaj është pyetur për kostot e kontratës koncesionare për “Check-up”. Ka qenë deputeti demokrat, Agron Shehaj, ai që e ka këmbëngulur për të marrë një përgjigje të saktë, por ministri nuk ka dhënë një vlerë për pagesat që bëhen ndaj kompanisë private.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, bëri me dije se tavani për vlerën totale të kontratave, në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), për të gjitha projektet me Partneritet Publik Privat, ekzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi për vitin 2018, është 40.1%. “Kufizimi i pagesave vjetore në vetëm 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike do të sjellë kontrollin e kontratave me PPP. Shuma totale që kemi alokuar shkon 9.4 miliardë lekë“,- tha ministri. Sipas Ahmetajt, janë 213 kontrata koncesionare, prej të cilave 178 janë lidhur para vitit 2013. Nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, fatura e koncesioneve në shëndetësi do të kushtojë plot 3.97 miliardë lekë. Ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë apo Check up-it do të kushtojë në 2018-n 876 milionë lekë, ndërsa ofrimi i shërbimit të sterilizimit kushton në vitin e ardhshëm 1.56 mld lekë. Për ofrimin e shërbimit të dializës kosto do të jetë 655 milionë lekë dhe për shërbimet laboratorike 886 milionë lekë. Pesha e faturave e koncesionarëve në shëndetësi në 2018-n është 42 për qind e totalit të faturave koncesionare. Ndërkohë, koncesionet në infrastrukturë dhe energji do të kushtojnë 2.8 miliardë lekë apo 28 për qind e totalit të faturave për koncesionet. Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të Partneritetit Publik Privat (PPP), si edhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale. Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneritetin publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.

Aktualisht, janë në fuqi 8 kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik Privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2018 të startojnë dhe 3 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë/Bashkisë Tiranë (bashkëfinancim). Kufiri i lejuar prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës, pra i vitit 2017, është rreth 20 miliardë lekë.

Debati

Agron Shehaj: “Zoti ministër sa i kushton Buxhetit të Shtetit ‘chek-up’-i i një personi të vetëm, këtë dua të di unë? Se kohët e fundit i kemi parë lajmet në lidhje me detyrimet që i bëhen administratës që të shkojnë e të bëjnë këto kontrolle.

Arben Ahmetaj: “1537 i kushton sot buxhetit të shtetit një chek-up. Do ta nis me pyetjen tuaj të dytë, ka një numër të caktuar ‘check-up’ që duhet të bëhen…”.

Agron Shehaj: “Sa, pak a shumë?”

Arben Ahmetaj: “Nuk dua të jem i pasaktë në shifra, e ke zakon jo të mirë që më ndërpret”.

Erjon Braçe: “Zoti Ministër po të sqaron”.

Arben Ahmetaj: “Nuk mund të quhet kërcënim, një thirrje dhe një mesazh që i bëhet administratës, a mund ta mbaroj unë djalë?”.

Erjon Braçe: “Zoti ministër do përgjigjesh apo do merresh…”.

Arben Ahmetaj: “Është normale që ne të bëjmë thirrje për ‘check-up’”.

Agron Shehaj: “Ndryshe do hiqesh nga puna. Zoti ministër kjo është tallje, sa do të jetë kostoja reale”?

Arben Ahmetaj: “1537”.

Agron Shehaj: “Kostoja reale është e ndryshme nga ajo nominale, në lajmet që dolën duket se kompania ka probleme. Unë parashikoj që ju do të bëni 80 mijë, dhe kjo përbën diferencën mes kostos nominale dhe asaj reale”.

Arben Ahmetaj: “Detyrimi për këtë vit është 437 mijë kontrolle, nuk është detyrë e ministrit që të shkojë e të numërojë sesa kontrolle do të bëhen”.

Agron Shehaj: “Nëse ndryshon numri i kontrolleve, ndryshon edhe kostoja. Është kështu apo nuk është kështu?”

Arben Ahmetaj: “Po kështu është”.

Check-Up, 731 mijë euro fitime në vitin 2018

Koncesioni i kontrollit bazë Check-Up nëpërmjet kompanisë 3P LifeLogistic realizoi në vitin 2018 të ardhura në masën 876 milionë lekë, teksa fitimet ishin rreth 90 milionë lekë ose 731 mijë euro, sipas të dhënave nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc) më 2018. Një vit më parë, fitimet e kompanisë ishin 750 mijë euro mbi 100 milionë lekë. 3P LifeLogistic, kompania e themeluar për mbarëvajtjen e koncesionit 10-vjeçar të checkup-it zotërohet në 80% të aksioneve nga kompania Marketing & Distribution dhe në 20% nga kompania Trimed. E vendosur shpeshherë në shënjestër për koncesionin, qeveria është përpjekur ta mbrojë atë me argumentin se kompania private ka kryer investime, që buxheti i shtetit nuk kishte mundësinë t’i bënte. Por bilanci i kompanisë duket se nuk e mbështet këtë argument. Kompania 3P LifeLogistic, e themeluar në dhjetor 2014 me një kapital themeltar prej vetëm 30 milionë lekësh, ka deklaruar investime totale në laboratorë shumën prej 337 milionë lekësh, ndërkohë që të ardhurat nga taksapaguesit kanë qenë në vlerën e 554 milionë lekëve. Gjithashtu, koncesioni i ka mundësuar kompanisë që pas një investimi në kapital themeltar prej vetëm 30 milionë lekësh, brenda nëntë muajve nga fillimi i aktivitetit të nxjerrë një fitim neto prej 45 milionë lekësh, me një normë kthimi prej 150%. Kontrata do të zgjasë për dhjetë vjet, gjatë të cilave, tatimpaguesit do të paguajnë rreth 54 milionë euro, pavarësisht se sa do të jetë numri i analizave të kryera.

Disa informacione që kërkon “Telegraf” lidhur për aktivitetin e “Check-up”

  1. Kopje të plotë të Kontratës Koncesionare të “Check-up”.
  2. Procesverbalin e VKM, të firmosur nga ministrat në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, për miratimin e “Check-up”.
  3. Procesverbalin e shpalljes fituese të firmës së Vilma Nushit, të firmosur nga anëtarët e KVO.
  4. Akt-Vlerësimin financiar, për shërbimin koncesionar “Check-up”.
  5. Vendimin për shpalljen e koncesionit (jo në Buletinin e Prokurimit Publik).
  6. Informacion shkresor, për dosjet e pjesëmarrësve, në garën për koncesionin.
  7. Numrin total të personave që kanë kryer “Check-up”-in, deri më 31 dhjetor 2016, sipas qendrave mjekësore të çdo bashkie.
  8. Vendimin e MSH për ndarjen e aksioneve të “Check-up”, me shoqërinë e karburanteve dhe mbetjeve spitalore “3P LIFE LOGISTIC” Shpk, të administruara nga z. Altin Fani.
  9. Cilat janë spitalet dhe laboratorët privatë, ku sipas kontratës koncesionare, duhen bërë kontrollet e “Check-up”.
  10. A ka marrë kompania koncesionare, regjistrat e shtetasve nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe me çfarë urdhri?
  11. A i janë bërë ndryshime kontratës koncesionare të “Check-up”?
  12. Pagesa e bërë, krahasuar me numrin e shtetasve që kanë kryer “Check-up”-in.
  13. Procesverbalet ditore të evadimit dhe asgjësimit të mbetjeve të aktivitetit të “Chek-up” sipas qarqeve.
  14. Detyrimet tatimore, të shlyera prej kompanisë koncesionare “3P LIFE LOGISTIC” shpk., për detyrimet ligjore kontraktuale të “Chekup”.
  15. Raportet e ballafaqimit të veprimtarisë së koncesionit në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese dhe në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë.
  16. Akt-Kontrollet e MSH, për zbatimin e kontratës, si shërbim shëndetësor.
  17. Gjendja penale dhe administrative ligjore e shoqërisë “3P LIFE LOGISTIC” shpk dhe e administratorit Altin Fani, për veprimtarinë në biznese e koncesione të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë.
  18. Motivi i hetimit të nisur prej Prokurorisë, për koncesionin “Check-up”.
  19. Lidhje të kompanisë apo ortakëve të saj me bizneset ndërkombëtare të naftës bruto, me ish-diktatorin Sadam Hysein.
  20. Lidhje të kompanisë së impulseve telefonike rurale “HERMES” me pronar ministrin Arben Ahmetaj, me kompaninë e cigareve dhe “Check-up”-in e Vilma Nushit ndërmjet kontratave koncesionare, ndonëse shërbimet që ofrohen nga këto kontrata janë të përjashtuara nga TVSH.