Sot protestë, zbulohet skenari i opozitës jashtë Kuvendit dhe brenda sallës së seancave

30
Sigal

Zbulohet një pjesë e skenarit të opozitës për ditën e sotme. Teksa jashtë Kuvendit do të mbahet një protestë, deputetë të tjerë opozitarë do të futen në sallën e seancave plenare, për të vijuar me skenarin e bllokimit të punimeve, atë të hedhjes së tymueseve.

Mbështetës të Gazment Bardhit do të jenë në sallën e Kuvendit, po ashtu edhe ligjvënës të grupit të Berishës që nuk janë të përjashtuar nga punimet. Ndërkohë, në protestën e opozitës pritet të flasin deputetë të përjashtuar dhe jo vetëm, mbështes të Berishës, si dhe vetë ish-kryeministri.

Kujtojmë se dje Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e 30 deputetëve të opozitës për të cilësuar antikushtetuese masat ndaj Berishës, ndërsa ajo ia kaloi procedurën e radhës Kuvendit. Sakaq, dje ish-kryeministri Sali Berisha iu bëri thirrje qytetarëve që të jenë pjesë e protestës së opozitës. Nën moton “O sot, o Kurrë”, Berisha theksoi se kjo protestë do të mbahet pasi qeveria Rama po ndërmerr vendime antikushtetuese, si dhe paralajmëroi se jo vetëm jashtë Parlamentit, por më datë 21 dhjetor do të vijojë edhe mosbindja civile e deputetëve brenda sallës se seancës plenare.