Sot protestë tek Teatri Kombëtar/ Kryemadhi: Nuk ka organizator, kush është kundër Ramës të na bashkohet

276
Sigal

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një intervistë live për News24 ka theksuar se protestat për Teatrin nuk kanë organizator.

Sipas saj nuk i organizon as Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe as opozita por janë qytetarë që vijnë për të protestuar për Teatrin.

Më tej ajo thekson se të gjithë që janë kundër Ramës të bashkohen tek Teatri, filluar nga gjyqtarët e prokurorët e shkarkuar nga Vettingu deri tek policët mbi 55 vjeç.

“Nuk jam organizatorja e protestës por ajo protestë nuk ka organizator. Janë qytetarë që vijnë dhe duhet të ketë një organizim që të vijnë gjithë njerëzit që janë kundër Edi Ramës. Edhe gjyqtarëve edhe prokurorëve që nuk kishin bërë pazare me Ramën të vijnë në shesh.

Për gjithë burrat e gratë që janë shkarkuar nga administrata, për policët mbi 55 vjeç që Rama i ka quajtur barkderra.

Nënave që i ka veshur me të zeza Edi Rama sepse djemtë e tyre i ka lënë peng në Kolumbi e tutje, në tytën e pistoletës dhe derisa të vinin kamionët me drogë.

Thirrje gjithë djemve dhe vajzave, që u vendosi kokën në asfalt dhe gjurin në fytyrë për t’i terrorizuar. Artistët që në fytyrën e tyre rrjedhin lot.”- tha Kryemadhi.