Skënder Kapiti: Politika shqiptare ta dëgjojë “foltoren” e Bashkim Hoxhës

313
Sigal

Këtë shkrim po e filloj me një përshëndetje time për drejtuesin e emisionit “Koha për t’u zgjuar” e z. Bashkim Hoxha, i cili më shumë se kushdo tjetër  dhe përditë merr përshendetje nga folësit e shumtë në emisionin e tij. Ka vite e vite që emisioni i Bashkim Hoxhës është një foltore apo emision tërësisht i publikut,  fjalës së lirë të qytetarit të lirë shqiptar.

Këtë emision apo foltore të publikut së pari duhet ta dëgjojë politika, sepse aty  i tregohet  asaj e vërteta, të cilën politika e fsheh dhe nuk dëshiron as ta dëgjojë.

Kjo sepse në foltoren e Bashkim Hoxhës qytetari flet, ankohet dhe kritikon  të këqijat politike dhe korrupsionin e zullumet e politikës, pushtetit, administratës e të drejtësisë.

Emisioni i Bashkim Hoxhës nuk është politik, në kuptimin e asaj se te z. Hoxha nuk bëhet propagandë për këtë apo atë politikë, parti apo politikan. Dhe aty nuk është parësor interesi i politikës as i mbartësve të tyre e të pushtetit, por te foltorja e z. Hoxha, qytetarit i mundësohet që të flasë, gjykojë e të denoncojë të këqijat e politikës e të pushtetit; i mundësohet qytetarit që të  flasë për hallet e problematikat , shqetësimet e tij dhe të publikut; që  të denoncojë dhe të ankohet kundër padrejtësive, dhe i mundësohet qytetarit  të interesohet  për interesin e vet dhe atë publik.

Kjo foltore nuk i  shërben asnjë krahu politik, por është emision apolitik dhe më shumë është antipolitik, sepse aty qytetari i bën politikës denoncimin dhe gjyqin publik.

 

Ky është dallimi i foltores së Bashkim Hoxhës nga ato foltoret e politikës, të pushtetit dhe të emisioneve dhe opinioneve të disa  televizioneve e të disa gazetave, që janë zgjatime dhe interesaxhij e në shërbim të politikës e pushtetit.

 

Pra në këtë aspekt themi se foltorja e Bashkim Hoxhës nuk është politike.

Por ama në aspektin tjetër edhe nuk mund të thuhet se nuk është foltore politike , pasi edhe ndonjë qytetar shprehet te ai emision që të mos flasim për politikën.

Por sot nuk mund të jesh thellësisht dhe krejtësish apolitik dhe i paanshëm e indiferent karshi saj.

Mundesh edhe mos me qenë anëtar i ndonjë partie ose mos me i shprehë botërisht qëndrimet politike, por nuk mundesh me pasë qëndrim të paanshëm në politikë.

 

Kjo nuk ka  mundësi, sepse, edhe nëse do të qëndrosh i paanshëm, politika të prek ty, sepse ajo premton shumë e gjithçka dhe  përderisa edhe kërkon votën tënde; përderisa politika të prek  dhe kur ajo ka nevojë shkon te qytetari punëtor, i papunë, shkon te studenti, te i moshuari, te i kamuri, te i skamuri, arsimtari, te intelektuali,  artisti, shkon te pensionisti e kudo.

Pra,  politika prek qytetarët dhe interesin qytetar se ka të bëjë me punësimin , me mirëqenien , me arsimin, me shëndetësinë, me dritat e ndiçimin, me sigurinë etj. Dhe  këto ia  mundëson publikut që ai të shprehet te foltorja e Bashkim Hoxhës, të cilën duhet ta dëgjojnë politika, sidomos pushteti, kryeministri, ministrat si dhe gjyqtarët, prokurorët dhe shteti, administrata e institucionet e tij. Prandaj qytetarët i janë mirënjohës Bashkim Hoxhës për këtë mision publik e në shërbim të publikut bërë me mjaf përkushtim prej tij.