Skenar për të shkrirë Organizatën e Veteranëve të LANÇ

872
Mund të duket një propozim “rastësor dhe rutinë”, por në fakt është një skenar djallëzor me akt të turpshëm, që sipas informacioneve është ideuar brenda zyrave të larta të Qeverisë “Rilindja” dhe kupolës së PS, parti e cila edhe në këtë pushtet që ka marrë, ka në themel votën dinjitoze e masive të qindra mijëra veteranëve dhe familjarëve të veteranëve të LANÇ. Sipas një reagimi të dërguar dje në redaksinë e gazetës “Telegraf” nga Komiteti Kombëtar i LANÇ, njoftohet një skandal i turpshëm që mendohet të bëhet nga kryeministri dhe kreu i PSSH, për të shkrirë ose më saktë për të zhdukur Organizatën e Veteranëve të LANÇ, duke sajuar një gjoja “riorganizim” të konceptit dhe strukturës së Statusit të Veteranit e të Organizatës së Veteranëve. Çfarë ka shpikur mendja e kryeministrit dhe e kreut të PSSH? Sipas reagimit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ dhe investigimit të bërë prej gazetës “Telegraf”, zbulohet se Këshilltari i Kryeministrit, ushtaraku Aleksandër Lleshi, duke vepruar tinëz për qëllime që i di vetëm ai dhe ata që ndodhsha e kanë urdhëruar (siç shprehet ai), ka deklaruar se me iniciativën e Kryeministrit të Shqipërisë, njëherazi edhe kryetar i PS, qeveria dhe partia paskan menduar që në Shqipëri të ketë vetëm një Organizatë Veteranësh të Luftës, duke i shkrirë të gjitha në një grupim pa asnjë dallim ideologjik, pozicion politik e kontribute ndaj çështjes kombëtare. 

Sipas skenarit të Lleshit të qeverisë, në këtë “kolektivizim” do të bëjnë pjesë veteranët e LANÇ, ballistët, zogistët dhe gjithë llojet e kolaboracionistëve me nazi-fashizmin. Çdo të thotë, të bëhet realitet kjo ide çmendarake anti-histori e anti-kombëtare që ndot e mohon gjakun e derdhur nga 28 mijë bijë e bija që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Çdo të thotë ky turp që denigron dhe baltos luftën që bënë partizanët, sakrifica e të cilëve mëshirohet me dinjitet e kontribute kombëtare nëpërmjet Organizatës së Veteranëve të LANÇ që janë gjallë dhe të familjarëve të atyre që nuk jetojnë më! Të shkrish në një organizatë, të bashkosh e të barazosh atdhetarinë dhe tradhtinë kombëtare në një grupim. Do të thotë, që bashkosh e të barazosh ata që derdhën gjak për lirinë e atdheut me ata që e kaluan periudhën e luftës duke ngrënë petulla, pilaf e pula dhe duke spiunuar e derdhur plumba mbi partizanët. Sipas mendjes së këshilltarit Lleshi, duke uruar të mos jetë vërtetë “mendje e kryeministrit” siç thotë ai, nëse ky projekt trupi do të bëhet vendim qeverie, do të thotë që në këtë shoqatë të bëhen bashkë ata që hëngrën barut në beteja me pushtuesin e tradhtarët, me ata që i kaluan vitet luftës nëpër restorante e rezidenca fashistësh duke pirë uiski të llojit “Duçe-Hitler”.

 Në këtë shoqatë të llojit “Mukje”, që Lleshi i kryeministrit kërkon ta quaj Shoqatë Veteranësh të Luftës, do të bashkoj ata që i dolën ZOT çlirimit të vendit dhe përballjes me pushtuesin, me ata që në 7 prill 1939 firmosën pushtimin, vodhën floririn, lanë popullin pa armë e ia mbathën nga sytë këmbët me veturat që u kishte bërë dhuratë Hitleri e Duçja! Nëse kjo është e vërtetë zoti kryeministër, atëherë Ti që drejton partinë të cilën e kemi mbajtur gjallë dhe e kemi sjellë në pushtet në vitin 2013, po bënë krimin historik kundër Epopesë më të Lavdishme të Popullit Shqiptar, që është Lufta e Ndritur Nacional Çlirimtare, duke e përzierë, barazuar e futur këtë faqe lavdie, në një grup me turpin e kësaj lufte! Duket se ky paralajmërim i këshilltarit Lleshi, bërë në emër të kryeministrit dhe kreut të PS, është vazhdimësi e skenarëve për të denigruar, mohuar dhe zhdukur historinë e LANÇ dhe të atyre që bënë këtë luftë heroike në emër të lirisë së Atdheut, mbasi ndryshe nuk ka asnjë shpjegim tjetër fakti, që ky akt trupi bëhet pas heqjes së dekoratave të të luftës çlirimtare dhe pas lënies të lirë të vandalëve pinjoll të tradhëtarëve për të shkatërruar lapidarët dhe pllakat përkujtimore të luftës. Ky akt turpi bëhet,në vijim të shpërfilljes prej qeverisë “Rilindja” të kërkesave të Organizatës së Veteranëve të LANÇ për të rindërtuar e mirëmbajtur varrezat e dëshmorëve të luftës, pas vendimit për të përjashtuar nga ceremonitë e festave kombëtare veteranët e luftës e për më keq e trup akoma, pas nderimeve që po u bëhen tradhtarëve të vendit me dekorata, pjesëmarrje qeveritare nëpër dokumentare, me pllaka përkujtimore, me pensione e ceremoni të veçanta shtetërore! Pikërisht për këtë djallëzi tipik politike, po reagojnë veteranët e LANÇ, duke i bërë të qartë kryeministrit, qeverisë dhe PS për të cilën kanë kontribuar maksimalisht, se lidhur me këtë trup të pafalshëm e të patolerueshëm, “ballafaqimi do të jetë tepër i ashpër”. 
DEKLARATA
E Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar
Asnjë vendim nga kushdo qoftë, nuk do të mund ta zhbëjë Organizatën e Veteranëve të LANÇ
Kohët e fundit, nëpërmjet një lajmi të publikuar në medie, Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ është vënë në dijeni, se në një takim që Këshilltari i Kryeministrit zoti Aleksandër Lleshi ka pasur me krerët e shoqatave të ushtarakëve, ndër të tjera ka deklaruar: “ Do të shkrihet koncepti i veteranit, sepse veteran nuk janë vetëm ata të luftës, sipas konceptit shqiptar, etj.”, ç’ka nënkupton shkrirjen e Organizatës së Veteranëve të LANÇ. Nëse ky lajm është i vërtetë, Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ deklaron në mënyrë të vendosur, se një veprim i tillë do të ishte jo vetëm antiligjor, por edhe anti-historik e antikombëtar, mbasi synon të fshijë nga historia e popullit shqiptar kontributin dhe sakrificat që dha e bëri kjo plejadë luftëtarësh partizanë sot veteranë, në luftën kundër pushtuesve nazifashistë e kolaboracionistëve, por për më tepër, synon të fshijë nga historia kombëtare shqiptare, atë epope të lavdishme të LANÇ e cila bëri të mundur çlirimin e vendit me forcat e veta dhe e radhiti Shqipërinë në krahun e fitimtarëve, në Koalicionin e Madh Antifashist Botëror Anglo-Sovjeto-Amerikan, pa të cilën (luftën çlirimtare) nuk do të ekzistonte Shqipëria e sotme, por do të ishte copëtuar nga shtetet shoviniste rreth nesh.

 Rrjedhimisht, Organizata e Veteranëve të LANÇ, ka një status të veçantë ndryshe nga çdo organizatë tjetër e cila nuk është krijuar nga qeveria, por me vendim të posaçëm të Gjykatës, bazuar në Programin dhe Statutin e saj, ku përcaktohet qartë: “Organizata e Veteranëve të LANÇ është organizatë politiko -shoqërore, pluraliste, jo qeveritare, e pavarur nga çdo forcë politike”. Ajo është e shtrirë në 37 qendra të mëdha urbane, ku janë të organizuara 37 komitete veteranësh, të cilët kanë strukturat e tyre në blloqe, lagje, njësi administrative e fshatra, që funksionojnë në mënyrë aktive, duke zhvilluar veprimtari përkujtimore lidhur me ngjarjet e datat historike të LANÇ. Si e tillë, Organizata e Veteranëve të LANÇ ka një rol e prestigj të lartë, jo vetëm brenda por dhe jashtë vendit, duke aderuar në tre forume ndërkombëtare veteranësh, në të cilat ajo është anëtare me të drejta të plota. Në këtë strukturim organizativo-ligjor që ka Organizata e Veteranëve të LANÇ, qeveria nuk ka asnjë tagër ligjor mbi të, veç ndihmës dhe mbështetjes që i jep e që duhet të vazhdoj t’i asaj në të gjithë veprimtarinë e vet, ashtu sikurse është përcaktuar në një numër aktesh ligjore. Arsyetimi që jep këshilltari i Kryeministrit Aleksandër Lleshi, “për krijimin e një organizate të re, ku të përfshihet dhe ajo e veteranëve të LANÇ, bëhet për t’iu përshtatur koncepteve perëndimore”, është i padrejtë, sepse Organizata e Veteranëve të LANÇ ndryshon nga ato perëndimore dhe e nga ato të Amerikës, për faktin se Organizata e Veteranëve në Shqipëri përfaqëson e mbron idealet dhe vlerat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ndërsa orgabinizata e veternaëve në vendet perëndimore e amerikane, përfaqësojnë dhe mbrojnë jo vetëm Luftën e Dytë Botërore, por dhe luftërat e tjera që kanë zhvilluar e zhvillojnë në vende të ndryshme pas luftës së dytë botërore, në të cilat përfshihen luftëtarë që më pas marrin Statusin e Veteranit. Pra, janë disa lloje veteranësh që u përkasin luftërave të ndryshme. 

Në këto rrethana, idenë e hedhur nga Këshilltari i Kryeministrit, Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ e konsideron abuziv dhe një lloj alibie, për të justifikuar marrëzinë e radhës pas asaj të heqjes së dekoratave të veteranëve, ku maskohet qëllimi i mbrapshtë për ta fshirë tërësisht Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, luftëtarët që e bënë atë dhe simbolet e saj. Nëse kjo është një ide e hedhur nga Këshilltari i Kryeministrit me iniciativën e tij, atëherë është gjysmë e së keqes. Ndërsa, po qe se ky është mendimi dhe ide e kryeministrit, problemi paraqitet tepër serioz, për të cilën Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ, duke shprehur vendosmërinë dhe indinjatën e 23. 000 anëtarëve të organizatës, bën apel dhe një paralajmërim serioz: Zotërinj qeveritarë, hiqni dorë nga veprime të tilla anti-historike e anti-kombëtare, sepse ne veteranët jemi të vendosur që organizatën tonë të mos e lëshojmë, por do ta mbrojmë me çdo kusht, duke iu kundërvënë çdo nisme tinëzare që e cënon atë. Jemi të bindur, se qëndrimin tonë do ta mbështesë gjithë opinioni atdhetar shqiptar, historianë e patriotë të shoqërisë sonë përparimtare, sepse mbrohet një çështje dhe një kauzë e drejtë. Mos u bëni vegla dhe shërbestarë të forcave të ekstremit të djathtë e të pinjollëve kolaboracionistë. Lëreni Organizatën e Veteranëve të LANÇ në të drejtën e saj historike dhe aktuale, që të kryejë misionin e vet Atdhetar. Ndryshe, paralajmërojmë se pasojat do të jenë tepër të rënda, sidomos për qeverinë dhe forcat politike të majta, të cilat kjo organizatë i ka mbështetur e votuar në vazhdimësi.

Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve 
të LANÇ të Populit Shqiptar
Sigal