Para pak ditësh, konsumatorët shqiptarë u lajmëruan të mos konsumojnë salsiçet “Wudy” e për të qenë sa më të besueshëm, përfaqësuesit e AKU, na treguan edhe numrin e Loteve që nuk duhet të konsumoheshin.
Po me të njëjtën kompetencë, drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Jeta Dedja, deklaron se produktet “Wudy” që kanë hyrë në Shqipëri janë të sigurta, të çertifikuara dhe nuk janë të prekur nga virusi “Listeria”. Një javë pasi AKU njoftoi se kishte marrë informacion nga “Sistemi i Menjëhershëm i Raportimit” i Bashkimit Europian se në disa lote të produktit “Wudy” është raportuar prezenca e ngarkesës virale, drejtoresha e këtij institucioni deklaron se “Lotet që kanë rezultuar problematike, nuk janë lote që kanë hyrë në Shqipëri”.
Kompania mëmë njoftoi gjithashtu se ka nisur tërheqjen nga tregu të disa lotëve të produktit “Wudy”, për të kryer ri-verifikimet dhe për të ri-hedhur në treg. Një masë e tillë është marrë edhe nga autoritetet shqiptarë, siç deklaron shefja e AKU-së, Jeta Dedja. Ajo sqaron se njoftimi nga struktura e Bashkimit Europian ka qenë vetëm për disa lote, por jo për të gjithë produktet “Wudy”. Dedja shton se “fakti që AKU njofton tërheqjen e disa loteve, nuk do të thotë që ato lote e kanë pasur atë ngarkesë virale. Është një mënyrë monitorimi tërheqja nga tregu për të parandaluar çdo rrezik”.“Është mënyra sesi ne monitorojmë tërheqjen e një produkti nga tregu për të parandaluar ndonjë rrezik të mundshëm. E njëjta gjë ka ndodhur me një produkt të çokollatës, që ishin disa produkte me prani të salmonelës në Mbretërinë e Bashkuar. Ne e tërhoqëm atë produkt, pavarësisht se ai produkt nuk kishte problematika. Kjo është një mënyrë që i bën mirë operatorit të biznesit ushqimor, sepse tregon një lloj ndërgjegjësimi”.
Me pak fjalë, Autoriteti i Kontrollit Ushqimor, dha alarmin, pa bërë një verifikim dhe krejt papritur tani u verifikuan të gjitha pakot me këtë lloj salsiçeje. Kjo do të thotë që AKU-ja po tregon mungesë serioziteti , duke rrezikuar shëndetin e shqiptarëve.
Dedja tha: Pas verifikimeve të kryera nga AKU, rezultoi se lotet e produkteve “Wudy” që kanë hyrë në tregun shqiptar janë nuk janë pjesë e atyre që kanë rezultuar problematike në stabilimentin e kompanisë prodhuese.” Por këtë fakt në vend që verifikonin në kohë, para se të alarmohej popullsia e bëjnë pas një jave.
Një tjetër problem është edhe mungesa e informacionit nga AKU apo Ministria e Bujqësisë se sa ishte sasia e këtyre salçiçeve që janë hedhur në treg dhe cilat ishin hapat e marra për bllokimin e saj.
Institucioni i AKU është formalisht përgjegjës për sigurinë ushqimore në vend, dhe e kryen atë në mënyrën më të rëndomtë të mundshme, me metodikën e kontrolleve dhe gjobave.Më herët AKU la që akulloret dhe biskotat me substanca të rrezikshme mbushin tregun shqiptar, teksa BE nuk i lejoi në qarkullim.Ideja është që inspektori i AKU të mos gjurmojë dyqanet, apo tregtarët për të marrë ndonjë lekë, por po t’i mbyllin sytë për këtë, u zbulua se vetë Inspektori i AKU që duhet të kontrollojë cilësinë e ushqimeve, prodhon vetë majonezë dhe ketch up në garazhdë dhe i shet.
Gjithsesi shpresojmë që kësaj herë AKU t’i qëndrojë deklaratave dhe vërtetë këto produkte që më herët këshilluan qytetarët të mos i konsumonin, të jenë të sigurta.