Skandali/ Bordi që shkrihet dhe çmimi i karburanteve mbetet i lartë

190
Sigal

Konkurrojmë Belgjikën për nga çmimi i hidrokarbureve, por jo nga cilësia dhe pagat. Ndërkohë 1 litër karburant është “mbytur” nga 5 taksa. Nga ana tjetër në çdo krizë Kryeministri Edi Rama e kapin “Ethet e Shpiragut”, por shpimet  mbeten shterpe njësoj si tezat e servirura.

 

 

Menjëherë pas vendimeve të njëpasnjëshme për rritjen e çmimit të hidrokarbureve në treg, Bordi i transparencës për karburantet u shkri menjëherë pas zgjedhjeve.

Sakaq Bord u krijua më 12 mars të vitit 2022, si pasojë e rritjes së çmimeve në vend të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe qëllimi ishte të mos lejoheshin abuzime ndaj qytetarëve nga ana e operatorëve, që tregtojnë këto produkte.

Megjithatë përgjatë gjithë kohës së funksionimit të bordit ka pasur pakënaqësi dhe dyshime nga përfaqësues të politikës dhe ekspertë, si dhe është kërkuar shfuqizimi i tij.

Aktualisht, Shqipëria bën pjesë në 19 shtetet me çmimin më të lartë të naftës në botë: më shtrenjtë se Spanja, Luksemburgu, Greqia, Austria dhe Hungaria. Por duke mos u krahasuar nga cilësia e dobët që hidrokarburet në vend kanë dhe gjithashtu duke qëndruar shumë larg pagave mesatare të këtyre vendeve.

Pra një qytetar shqiptar paguan 174 lekë/litër për naftën, 174 lekë/litër për benzinën dhe 93 lekë/litër për gazin e lëngshëm.

Sipas të dhënave, 5 vendet me çmimin më të ulët janë Venezuela, Irani, Arabia Saudite, Siria dhe Algjeria, të cilat konsiderohen si vende prodhuese të naftës, ndërsa vendet me çmimin më të lartë është Hong Kong me 270.69 lekë/litër, ndjekur më pas nga Islanda  me 2.024 lekë/litër, vende këto me nivel të lartë jetese.

Arsyet se përse Shqipëria renditet me çmimin më të lartë të rajonit, lidhen me nivelin e taksave që aplikohen mbi karburantet, ndryshimet fiskale të miratuara nga Këshilli i Ministrave, si dhe Inflacioni.

Konkretisht shqiptarët paguajnë 5 lloj taksash mbi karburantet duke zënë kështu 52.2% të çmimit final të naftës, vlerë kjo e llogaritur për muajin janar 2022. Aktualisht për 1 litër naftë, konsumatorët paguajnë 38 lekë Akcizë për karburante, 27 lekë/litër Taksë Qarkullimi dhe 3 lekë/litër Taksë Karboni. Kësaj vlere i shtohet TVSH prej 20%, e cila po ashtu rëndon konsumatorin në vlerën rreth 32 lekë/litër, duke bërë totalin rreth 100.2 lekë/litër vetëm taksa, pa marrë në konsideratë kosto të tjera të pikave të karburantit që operojnë në Shqipëri.

Vlera e akcizës e përllogaritur prej 38 lekësh, është vlerësuar duke indeksuar akcizën prej 37 lekë me normën e shpallur të inflacionit të vitit 2020 plus normën e rezultuar të shpallur të inflacionit deri në fund të 9-mujorit të vitit 2021.

Ky indeksim përcaktohet në ligjin e akcizave të ndryshuar, i miratuar nga Këshilli i Ministrave me ligjin 114/2021. Në këtë ligj, përcaktohet se akciza e llogaritur indeksohet çdo dy vjet në masën e normës zyrtare të inflacionit për dy vitet paraardhëse shpallur nga INSTAT-i, me përjashtim të duhanit dhe nënprodukteve të tij për të cilat akciza aplikohet sipas kalendarit specifik të përcaktuar. Megjithatë për vitin 2022, indeksimi do bëhet duke marrë në konsideratë normën e shpallur të inflacionit të vitit 2020 plus normën e rezultuar të shpallur të inflacionit deri në fund të 9-mujorit të vitit 2021. Ky ndryshim ka filluar efektet prej 1 janarit 2022, gjë e cila reflektohet edhe në rritjen e çmimeve të karburanteve, që paguajnë akcizë.

Ndërkohë sa herë lind nevoja qeveria Rama ka një tezë mjaft të vlefshme për të mbajtur trysninë e çmimit të lartë të karburantit. Që prej ardhjes në pushtet ndër të vetmet teza që riciklohen vetëm me fjale, por pa u definuar është  nafta në Shpirag.

Në kulmin e krizës së çmimeve të karburanteve, Kryeministri i Shqipërisë riktheu në vëmendje të publikut zbulimet hidrokarbure nga gjigandi holandez SHELL në Shpirag. Rama ka thënë vazhdimisht  se vendi është pranë një zbulimi nafte dhe gazi, që sipas tij do të ndikonte të ardhmen energjetikë të Evropës. Mirëpo vet kompania nuk ka ende një qëndrim zyrtar dhe dita kur “ethet e Shpiragut” do të mbarojnë duken mjaftë larg.