Skandal në Romanat të Shijakut, nxënësit kryejnë mësim në një stallë derrash

750
Sigal

Situatë alarmante në shkollat periferike të rrethit të Durrësit. Në Ishëm ndërpritet mësimi pasi s’ka autobus

Ditët e fundit është konstatuar një gjendje alarmante e zhvillimit të mësimit në disa shkolla të rrethit të Durrësit. Në shkollën e fshatit Romanat të zonës së Shijakut rreth 250 nxënës janë transferuar në një banesë private në ndërtim e sipër.

Ferma e shndërruar në shkollë

Nxënësit aty para se të hyjnë në klasa duhet të devijojnë rrugën pasi në oborrin e shkollës së improvizuar kanë traktorë, por edhe kafshë të ndryshme si derra, lopë etj.. Ndërsa në mesin e oborrit të fermës private ndodhet edhe një gropë gëlqereje e madhe. Shkallët e banesë, ku zhvillohet mësimi janë pa dritare pasi ajo është në ndërtim e sipër dhe nxënësit janë të rrezikuar, ndërkohë që banjot i kanë larg dhe përgjithësisht nuk kanë ujë. Në njërën prej klasave, ku ndodhen nxënës të klasës së II-të, ndodhet edhe një banak lokali që nuk funksionon. Prindërit e tyre janë shqetësuar për rrugëtimin që ata bëjnë në kushtet e tanishme pasi siç është shprehur njëri prej tyre autobusët nuk i marrin, sepse atyre ju kërkohen nga 5 mijë lekë (të vjetra) për nxënës. Një nga prindërit që është ankuar është edhe Shkëlqim Golemi. Ai thotë se ka 3 fëmijë, një djalë dhe dy vajza. Për shkollën ekzistuese, ka thënë ai, ka dy-tre javë që është ndërprerë mësimi, i kanë gënjyer me pretekstin se shkolla po shembet, ndërsa nuk po punohet në të. Nxënësit i kanë dërguar në breg të lumit Erzen, thekson prindi i shqetësuar, në një “stallë derrash”. Mjediset janë pa drita. Ky vend për zhvillimin e mësimit, është gjetur sipas Drejtorit të Shkollës Syrja Rrodhja nga DAR në bashkëpunim me komunën.

Shkolla 9-vjeçare në Draç

Një situatë e rënduar është edhe në shkollën 9-vjeçare të fshatit Draç që ndodhet nën juridiksionin e Komunës së Ishmit. Fëmijët kanë 2 ditët e fundit të javës që shkoi që kishin braktisur mësimin, pasi nuk kishin mjet transporti. Ka ditë me shi, thonë prindërit që nuk vijnë dot pasi bëjnë në këmbë rreth një ore e gjysmë rrugë. Dhe kjo edhe për fëmijët e klasës së parë. Një prind nga Biza thotë se ka fëmijë edhe nga Shetaj dhe janë 6-vjeçarë. Gjysma e rrugës, thotë ai është e dëmtuar. Autobusi që i sillte vitin e kaluar tashmë është lënë pushim për mungesë fondesh.

Reagimet

Drejtori i shkollës 9-vjeçare të Draçit “Prengë Simoni”, Martin Caka e ka konfirmuar faktin se shkolla ka pasur një bllokim të mësimeve në fund të javës që shkoi, ditën e enjte dhe të premte. Për këtë ka thënë Caka, kemi njoftuar edhe Drejtorinë Arsimore në Durrës. Për këtë është prononcuar edhe kreu i Komunës së Ishmit , i cili ka theksuar se nuk ka fonde. Për situatën është biseduar sipas tij me Prefektin Genc Alizoti dhe Drejtorin DAR, Filip Gjonçaj, pasi ata si komunë nuk kanë asnjë lloj buxheti për këtë problem. Ai ka akuzuar DAR që sipas tij po luante si macja me miun për këtë problem. Në rast mos zgjidhjeje, ai ka deklaruar se do të bënte denoncim në Prokurori. Ndërsa Drejtori i DAR ka deklaruar se në bazë të ligjeve ekzistuese, kur ekzistojnë linjat e brendshme, atëherë ato i bien t’i financojë pushteti vendor. Megjithatë duke qenë se situata është alarmante, ka sqaruar Gjoncaj, kemi bërë procedurën e tenderimit dhe pritet të zgjidhet. Megjithatë procedura ka dështuar, kjo mësohet nga juristja e DAR Elida Pecnikaj, pasi nuk janë paraqitur sipas kërkesës së tenderimit tre operatore. Për ta zgjidhur këtë, ka thënë ajo, do ta zgjidhim pas 10 ditëve sa e lejon procedura kur situata precipiton në këtë mënyrë. Gjonçaj ka thënë se do të gjejnë një solucion zgjidhës për të bërë që të fillojë mësimi ditën e hënë. Shoferi i autobusit që ka pasur rreth tre vite që bënte këtë linjë me nxënësit, thotë se ai nuk e dinte problemin e tenderimit.