Elbasan, invalidët në protestë, dy muaj pa marrë pensionin

503
Sigal

NEVOJAT NJERËZORE/ Protestuesit i kërkojnë Ministrisë së Financave që të zgjidhi situatën e krijuar

Shoqata e Invalidëve të Elbasanit organizoi ditën e djeshme një protestë për shkak të mosshpërndarjes së pensioneve të invaliditetit prej disa muajsh. Të shoqëruar edhe nga familjarët, grupet e personave me aftësi të kufizuara bënë thirrje për reagim të menjëhershëm të qeverisë dhe Ministrisë së Financave, për të zgjidhur situatën e krijuar, e cila ka mëse dy muaj që është krijuar. “Ne me atë pension invalidësh mbahemi. Me të blejmë dhe ilaçet dhe shteti as që e vret mendjen për të na i dhënë. Ne nuk jetojmë dot pa medikamentet, pensionin e duam vetëm për këtë punë, pasi nevoja të tjera nuk kryejmë dot”, thonë invalidët në protestën e organizuar me shpresën se fjala e tyre do të dëgjohet.

Protestuesit

Invalidët shpjeguan qartë se, kjo protestë është produkt i një nevoje njerëzore pasi prej një kohe të gjatë edhe pagesën modeste të invaliditetit nuk po e përfitojnë dot, për arsye që ata ende nuk i dinë. “Ne nuk na informon askush se deri kur do zgjasë kjo sorollatje që na bëjnë, duke na gënjyer dita ditës se pensionin do ta marrim, por po mbushet muaji i tretë dhe asnjë shenjë nuk ka nga Qeveria. Tanimë kemi ardhur në një pikë që nuk dimë se ku të drejtohemi pasi as kush nuk jep shpjegime se, cilat janë arsyet”, thanë protestuesit. Kjo ndihmë ekonomike sipas tyre, nuk po shpërndahet pa asnjë lloj shpjegimi, edhe pse pothuajse përditë ata interesohen pranë zyrave postare në komunat, ku jetojnë. Ditën e hënë grupet e invalidëve, të ndihmuar edhe nga familjarët, protestuan para institucioneve të pushtetit vendor dhe zyrave postare për të shprehur pakënaqësinë e tyre për situatën e krijuar, që u thellon njëkohësisht edhe krizën ekonomike, përveç pamundësive fizike si invalidë. Sipas të dhënave pritet që kësaj proteste t’i bashkohen dhe invalidët e rrethit Librazhd, Gramsh pse jo dhe më gjerë. Vetëm në rrethin e Elbasanit sipas listave që disponojnë institucionet vendore, janë mëse një mijë persona që trajtohen me këtë pagesë, të cilën nuk po e tërheqin dot prej një apo dy muajsh.