Skandal, 1500 euro një certifikatë pronësie e rinovuar për raste “urgjente”

566
Nuk ka institucion shtetëror ku aferat korruptive të mos kenë shtrirë tentakulat e tyre. Gjithçka bëhet hapur, fare hapur dhe askush nga zyrtarët e këtij shteti nuk ka frikë as nga ligjet, as nga qelia, as nga ndëshkimi ligjor dhe demaskimi publik. Zyrat dhe sportelet e institucioneve të shtetit janë kthyer prej vitesh në çerdhe dhe vatra korrupsioni, duke humbur dhe harruar misionin e tyre ligjor dhe kushtetues. Duket sikur gjithçka noton mbi ryshfetin, jeta e përditshme, aktiviteti privat dhe ai shtetëror. Veç shumë institucioneve të tjera, të cilat në qoftë se do t’i numëronim do të ishin shumë, në radhën e parë të institucioneve të shtetit ku aferat korruptive bëhen hapur fare, ka qenë dhe mbetet edhe Hipoteka. E quajtur ndryshe edhe si Zyra e Regjistrimit të Pasurive, ajo veç pasuri nuk regjistron, pasi për të mbaruar një punë të tillë, një qytetari të thjeshtë i duhen e pakta 5 vjet dhe e shumta 15 vjet, si edhe i duhet të paguajë sekserët jashtë dhe zyrtarët brenda, kurse një politikani apo zyrtari të lartë vetëm 15 minuta. Ka me qindra e mijëra raste, kur qytetarët janë rropatur dhe janë sëmurur zyrave, korridoreve dhe sporteleve të hipotekave dhe në fund, ata kanë mbaruar “punë”, pasi kanë gjetur sekserin e duhur. Korrupsioni në zyrat e shtetit ka një lidhje të mistershme me fije dhe rrjete, të cilat veprojnë si brenda dhe jashtë tyre. 

Sekserët e zyrtarëve dhe sportelisteve të hipotekave janë shtrirë në bar-kafene
Sekserët e zyrtarëve dhe sportelisteve të hipotekave tashmë janë shtrirë në bar-kafene, madje edhe në tregjet e fruta-perimeve. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh pothuajse çdo ditë edhe në Hipotekën e Elbasanit, e përfolur prej vitesh. Para disa ditësh një qytetar mjaft i lodhur, mjaft i fyer dhe i indinjuar i deklaroi “Telegraf” se “kam qysh në dhjetorin e 2013 që rropatem zyrave dhe sporteleve të ZVRPP, më kanë lodhur, fyer, dhe zemëruar, por kurrë punë nuk më kanë mbaruar, derisa në fund është dashur të mbaroj “punë” tek tregu fruta-perimeve që është ngjitur me hipotekën, me një tregtare e cila luante rolin e sekseres. Kërkoja thjesht, rinovimin e certifikatës së pronësisë, e cila mbante datën 11. 02. 1998, ashtu si qindra të qytetarë të tjerë. Më duhej sepse dua të shes apartamentin tim që kam bërë bashkë shtesat, por atje ishte skëterra, më kanë kthyer për dhjetëra dokumente mbi 100 herë, as skuqeshin dhe as turpëroheshin kur unë moshë e thyer e bëja vajtje-ardhje 3-4 herë në ditë atje dhe së fundi pa mbaruar punë. Hallin e mbarova tek sekseria, të cilën ma rekomandoi vetë një punonjëse por edhe shumë të tjerë që kishin paguar. Turp dhe skandal por ja që ky shtet kështu po ecën dhe funksionon”. 

Dëshmia e këtij qytetari i cili banon në lagjen “V. Xhuvani”, është 1/1000 dëshmi e atyre që kanë vite që sorollaten dhe vuajnë sporteleve të hipotekave dhe institucioneve të tjera të shtetit, dhe që shpëtimin e gjejnë tek sekserët. Rekrutimi i sekserëve edhe në tregjet e fruta-perimeve tregon sa të djallëzuar por edhe poshtë ka rënë niveli i zyrtarëve të shtetit. Lokalet rreth e qark institucioneve të shtetit në çdo qytet, edhe në Elbasanin e mijëra të papunëve, janë kthyer prej vitesh në vendet e njohura ku bëhen “shkëmbimet” dhe ku mbarohen punët dhe problemet e qytetarëve, që japin paratë dhe marrin dokumentin zyrtar së fundi edhe nga shitësit e fruta-perimeve. Pavarësisht se kishte vuajtur dhe ishte lodhur me vajtje-ardhjet për afro 3 vjet e gjysmë, duket se qytetari i thjeshtë që foli për “Telegraf” ishte edhe dinjitoz, pasi ai në fund deklaroi se kishte paguar jo pak, por 1500 euro tek sekseria, pasi e kishte me urgjencë zgjidhjen e problemit. Sërish qytetari mbeti dinjitoz kur tha se “unë emra nuk jap, por organet e kompetente të nisin hetimet, se do të zbulojnë fare lehtë sekseren, por edhe sportelisten, e cila është bërë pasanike vetëm nga paratë e hallexhinjve”. Çdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi, por edhe qytetarët e Elbasanit kërkojnë ndëshkimin e çdo zyrtari të lidhur me afera korruptive, kërkojnë demaskimin e tyre, dhe vënien para ligjit edhe të sekserëve që janë kthyer në “zyra” rruge ku hallexhinjtë turren të mbarojnë punë dhe problemet familjare. 
Sigal