Siguria në rrugë? Shiu shkakton 5 aksidente në pak orë

28

Pas ditëve të nxehta, kjo e enjte risolli shiun, i cili shkaktoi një sërë aksidentesh automobilistike në disa qytete të vendit. Si duket lagështia në rrugë ka qenë burimi kryesor i aksidenteve. Por a është e justifikueshme ndryshimi i motit, në sigurinë që duhet të ofrojnë rrugët e vendit?

Situata më shqetësuese paraqitet në Elbasan, qytet ku kanë ndodhur tre aksidente. Aksidenti më i rëndë ndodhi në aksin nacional Elbasan-Librazhd, në fshatin Mirakë, ku tre automjete janë përplasur mes tyre. Për pasojë të plagosur kanë mbetur dy persona nga mjete të ndryshme, të cilët janë dërguar me urgjencë në spitalin e Elbasanit dhe fatmirësisht nuk janë në rrezik për jetën.

Mjeti i rëndë i firmës që punon për rikonstruksionin e ujësjellësit të qytetit të Lushnjës për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi. Pakujdesia e drejtuesit dhe një problem teknik në mjet në një territor të pjerrët janë bërë shkaqet e aksidentit ku për pasojë janë dëmtuar disa mjete. Fatmirësisht brenda automjeteve dhe në rrugë nuk ka pasur persona apo këmbësorë. Një furgon i policisë Bashkiake së Shijakut është përfshirë në aksident.

Kufizimi i lëvizjeve për shkak të pandemisë Covid-19, ka reduktuar me 54.5% numrin e aksidenteve rrugore përgjatë muajit që lamë pas. Sipas INSTAT, muajin e kaluar kanë ndodhur 51 aksidente rrugore nga të cilat kanë humbur jetën 10 persona.