Si u zhdukën miliarda lekë të Bankës Botërore

592
Bardhyl Berberi
Secili që kalon poshtë rezidencës qeveritare në krahun e djathtë të rrugës që të çon në Tushemisht, i tërheq vëmendjen një ndërtesë luksoze me xhama me ngjyrë të errët, e zhytur në parkun e madh të rezidencës qeveritare, e cila ditën qëndron në shoqërinë e dy qenve, ndërsa natën ruhet nga një burrë gati 60 vjeçar, Isa Balliu, me një deng mustaqe mbi buzë i cili në mënyrë të pafajshme thotë se ka qenë aty roje që kur u krijua laboratori i monitorimit të ujërave të liqenit dhe tashmë ka katër vjet, që nga 22 nëntori i vitit 2012, që nuk merr asnjë kokërr leku por e ruan vullnetarisht ndërtesën. Ndërtesa u boshatis, brenda dy ditësh u morën laboratorët që më shumë se gjysma u shkatërruan dhe ikën ata që morën materialet, tamam ashtu siç u largua rusët nga ambasada sovjetike në Tiranë, pas prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mua, thotë Isai, më ngeli ndërtesa tamam si ai fëmija i huaj, që të lenë në prehër, që s’ke çfarë të bësh e nga t’ia mbash …Kam qëndruar vullnetarisht. pasi kjo punë më ka mbajtur me bukë me shpresë se një ditë do t’u vijë keq dhe do të më shpërblejnë për tërë këto vite pune…Nëse unë lagohem, ndërtesa shkatërrohet komplet brenda ditës…

Të njëjtën dramë po përjeton prej katër vjetësh edhe drejtuesi i skafit – laborator që merrte kampionet në liqen. Skafisti Gjetë Ivanaj ka punuar pranë këtij laboratori prej shumë vitesh si drejtues i skafit…Gjeta ishte drejtuesi i skafit – laborator, i pajisur me spirancë dhe zhytësa specialë që merrte kampionet e ujit në thellësitë maksimale të liqenit…Gjetën e takuam në një piceri, pasi i mbetur në rrugë të madhe kishte filluar punë sepse familja do të ushqehet. Kurse skafin – laborator që ka kushtuar 185 mijë euro ai e ka ankoruar tek moli i qytetit, atje ku vijnë tragetet nga Maqedonia… Edhe Gjeta është tepër i dëshpëruar, edhe ai ka katër vjet që nuk merr asnjë kokërr leku përkundrazi nga keqardhja se mos shkatërrohet skafi e furnizon me karburant (Benzol) nga xhepi i tij dhe bën shëtitje në liqen që ai të mos shkatërrohet. Sepse nëse skafi – laborator nuk do të ndizej ai do të merrte fund …

Po cila është e vërteta e këtij laboratori?
Ish përgjegjësi i fundit këtij laboratori, D. K, tha për gazetën “Telegraf “ se Banka Botërore ka bërë financime kolosale që ky laborator modern dhe bashkohor të mund të monitoronte ujërat e liqenit të Ohrit për pjesën shqiptare. Kështu u financuan qindra mijë dollarë për ndërtesën, e cila u ngrit edhe një kat tjetër nga ajo ekzistuesja kur ishte lokali i bllokut të udhëheqjes së lartë komuniste. U bë komplet rikonstruksion i ndërtesës ku vetëm sistemi i ngrohjes, kaldaja kushtoi 20 mijë dollar, përveç 13 sektorëve të laboratorit që kryenin 13 analiza të ujërave të liqenit në tre pika të ndryshme të tij. Monitorimi kryente analizat të gjithë lumenjve që derdheshin në liqen si dhe ujërave të impiantit të ujërave të zeza, i cili pas pastrimit dhe filtrimit tek impianti në Gurras i derdhte ujërat në liqen të pastra. Ky lloj monitorimi kryhej çdo muaj. Në këtë laborator modern punonin katër persona që merreshin me analizat dhe monitorimin e ujërave të liqenit. Madje sipas këtij financimi kolosal që shkonte më shumë se 540 mijë dollarë ishte caktuar që të monitoronin dhe dy liqenet e Prespës së Madhe dhe asaj të Vogël, pasi siç dihet 70% e ujërave të liqenit të Ohrit vijnë nga burimet e Prespës… Nga Nëntori i vitit 2012 këtu u ndërpre gjithçka si me thikë, laboratori u zhvendos në Tiranë, një pjesë e tërë atyre aparaturave bashkëkohore që kishin kushtuar qindra mijëra dollarë janë thyer gjatë transportit…
Kështu liqeni i Ohrit në pjesën shqiptare prej katër vjetësh jo vetëm nuk monitorohet, por u shkatërrua dhe laboratori i tij, ndërkohë që fqinjët përballë në qytetin e Ohrit kanë një institut të veçantë për liqenin që merren me monitorimin dhe me problemet e popullimit të liqenit me peshk, ndërsa ne të vetmin laborator që u ngrit nga Banka Botërore jo vetëm e shkatërruam, por ne po vëmë në rrezik futjen e pjesës sonë të liqenit në UNESKO, pasi kushti i parë i saj është monitorimi i të gjitha ujërave që derdhen në liqen.

Si u shkatërrua laboratori?
Ndërtesa, pajisjet e laboratorëve, skafi – laborator që merrte kampionet dhe infrastruktura e laboratorit u financuan nga Banka Botërore dhe laboratori filloi punë në vitin 2000. Projekti Bankës Botërore vazhdoi deri në vitin 2005 dhe pas mbarimit të varësisë nga Banka Botërore laboratori kaloi në vartësi të Institutit të Mjedisit në Tiranë. Në vitin 2007 u krijua Agjencia e Mjedisit, Ujërave dhe Pyjeve dhe deri në 22 nëntor 2012 ky laborator çuditërisht u mbyll. U tha se ndryshoi struktura dhe personeli i laboratorit u hodh në rrugë dhe ky numër i laboratorit në Pogradec u shtua në Tiranë. Por historia e parave të shkuara dëm nga Banka Botërore nuk mbaron këtu. Banka Botërore në vitin 2000 ndërtoi një ndërtesë dykatëshe buzë liqenit për menaxhimin e peshkimit të fshatin Hudënisht me një vlerë prej 80 milionë lekësh. Vitin e kaluar kur u prishën ndërtimet pa lejë buzë liqenit në Hudënisht fadromat e policisë ndërtimore e prishën edhe këtë ndërtim të Bankës Botërore duke e quajtur si ndërtim pa lejë! Banka Botërore ka bërë edhe një investim serioz në fshatin Lin duke ngritur inkubatorin e prodhimit të rasateve të koranit me një investim prej 1 milion dollarë. Inkubatori vazhdon punën, ndërsa laborator që do të monitoronte ujërat që do të futeshin në inkubator çuditërisht nuk funksionon! Këto janë disa investime të Bankës Botërore në Pogradec që nga pushtetarë të papërgjegjshëm janë bërë, siç thotë një fjalë e urtë popullore “rrush e kumbulla”.
Sigal