Si po përgjohen gazetarët, kritikët dhe kundërshtarët nga qeveritë autokratike

260
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë dhe avokatë në të gjithë botën, kanë qenë në shenjestër të qeverive autoritare, të cilat kanë përdorur një softwer të shitur nga kompania izraelite e mbikëqyrjes, “NSO Group”. Ky investigim i bujshëm, vjen nga puna e prestigjiozes britanike, “The Guardian” dhe 16 organizatave të tjera mediatike në mbarë botën. Investigimi sugjeron se softweri me emrin “Pegasus”, është përdorur gjerësisht në mënyrë abuzive kundër kritikëve dhe gazetarëve në vende me qeveri, të cilat kanë tipare autokratike. Kompania “NSO”, insiston se “Pegasus”, është krijuar vetëm për përdorim ndaj kriminelëve dhe terroristëve. Softweri i “NSO Group” është një nga më të fuqishmit të zhvilluar ndonjëherë nga një kompani private. Sapo të hyjë në telefonin tuaj, (pa u vënë re nga ju) mund ta shndërrojë atë, në një pajisje mbikëqyrjeje 24-orëshe. Ai mund të kopjojë mesazhet që dërgoni ose merrni, të mbledhë fotot tuaja, të regjistrojë telefonatat tuaja, të ndezë kamerën dhe mikrofononin e telefonit, kur përdoruesi nuk ka fare dijeni për këtë. ‘Pegasus’ është softweri që zhvillohet, tregtohet dhe licencohet për qeveritë në të gjithë botën, nga kompania izraelite “NSO Group”.

“Aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë dhe avokatë në të gjithë botën, kanë qenë në shenjestër të qeverive autoritare, të cilat kanë përdorur një softwer të shitur nga kompania izraelite e mbikëqyrjes, “NSO Group”. “

Ka aftësinë të infektojë miliarda telefona që përdorin sisteme operative iOS ose Android, të cilat janë sistemet operative të telefonëve Apple dhe Samsung. Gazetarët e “The Guardian” kanë mundur të sigurojnë një listë me më shumë se 50 mijë numra telefoni që besohet se janë identifikuar si “njerëz me interes” nga klientët e “NSO” që prej viti 2016. “The Guardian” dhe partnerët e tij mediatikë, kanë lajmëruar të zbulojnë si fillim identitetin e afro 180 personave. Ato përfshijnë drejtues biznesi, figura fetare, akademikë, punonjës të OJQ-ve, zyrtarë të sindikatave dhe zyrtarë të qeverisë, duke përfshirë ministra të kabineteve, presidentë dhe kryeministra. Lista përmban gjithashtu numrat e anëtarëve të familjes së ngushtë të sundimtarit të një vendi, të paspecifikuar, duke sugjeruar që sundimtari mund të ketë udhëzuar agjencitë e tyre të inteligjencës për të shqyrtuar mundësinë e monitorimit të të afërmve të tyre. Zbulimet e numrave do të fillojnë me gazetarë, duke përfshirë reporterë, redaktorë dhe drejtues redaksie në “Financial Times”, “CNN”, “New York Times”, “France 24”, “The Economist”, “Associated Press” dhe “Reuters”. Analiza e të dhënave që kanë rrjedhur për mediat, sugjeron se klienti i “NSO” që ka përzgjedhur më shumë numra telefoni, është Meksika, me 15 mijë të tilla. Në Meksikë disa agjensi të ndryshme qeveritare, kanë blerë ‘Pegasus’. Maroku dhe Emiratet e Bashkuara kanë përzgjedhur mbi 10 mijë numra. Ndërkohë, rreth një mijë numra, u përkasin vendeve Evropiane. Investigimi sugjeron se, qeveria hungareze e Viktor Orban, ka përdorur këtë teknologji, si pjesë e luftës së tij ndaj medias, duke targetuar gazetarët investigativë dhe rrethin e ngushtë të një prej ekzekutivëve të një media të pavarur. Në ditët në vijim, pritet publikimi i më shumë të dhënave lidhur me këtë skandal, përfshirë emrat e personave të targetuar.