Drejtori  Pirro Vengu, i bën “dhuratë” një vinç 4 milionë euro, firmës që mori me “koncesion” Terminalin e Kontenierëve

497
Sigal

Porti i Durrësit është kthyer në “biznes” fitimi për dhjetëra shtetarë. Nga punonjësi më i thjeshtë e deri në kupolën e shtetit, ministren Balluku dhe kryeministrin Rama. Gjithkush po tenton që të kapë ndonjë “kockë” me këtë pasuri publike, ku njerëz me pushtet “fshihen” pas kompanive që po e marrin në administrim. Në fillim të vitit 2021, Porti i Durrësit dha me koncesion 5 -vjeçar një nga terminalet më fitimprurës, ai i Kontenierëve. Më saktë, biznesi i ngarkim- shkarkimit, ku me disa mjete të trashëguara, Porti i Durrësit fitonte dhjetëra miliona euro në vit. Por, këtë shërbim e ka marrë privati prej disa muajsh, ndërsa në dokumentet e publikuara në atë kohë, privati do të bënte vetëm një investim 300 mijë dollarësh. Ndërkohë, për 5 vjet do të përfitonte minimalisht 30 milionë euro. Por, vetëm 6 muaj më pas, drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu, i ka bërë një “dhuratë” të çmuar kompanisë që ka fituar “koncesionin” e Terminalit të Kontenierëve. Sipas dokumenteve që disponon “BoldNews”, Autoriteti Portual i Durrësit, ka hapur një tender “mbi kufirin e lartë monetar”, me objekt “blerje vinçi MHC (Mobile Harbour Crane)”. Në të thuhet se fondi limit është 408.975.000 lekë pa TVSH, ndërkohë me TVSH shuma shkon në mbi 4 milionë euro.

Sipas dokumentit, kohëzgjatja e kontratës/marrëveshjes kuadër ose afati për zbatimin e saj, është 8 muaj nga dita e nënshkrimit të kontratës, ndërkohë që tenderi do të zhvillohet në datën 10 gusht 2021. Padyshim që Vengu di të zgjedhë edhe datat e zhvillimit të tenderëve, pasi i lë në ditë pushimi ose festash. “Koncesionin” e këtij terminali e dha në ditët e Vitit të Ri. Ndërkohë, blerjen e një vinçi 4 milionë eurosh, po e bën ditët e nxehta të gushtit, larg vëmendjes. Duke hulumtuar dokumentet e këtij tenderi, konstatojmë se Autoriteti Portual po blen një vinç të lëvizshëm portual. Në të ka disa kapacitete të ngritjes, përafërsisht 100 ton, ndërsa thuhet se “kapaciteti ngritës nën mbështetësin për një kontejner të jetë në 50 mt”. Gjithashtu të jetë i pajisur me mbështetësin për kontenierë, mundësisht për dy kontenierë dhe të ketë 5 orë maksimale. Pra, bëhet fjalë për një vinç për kontenierë. Por, a është dhënë me “koncesion” Terminali i Kontenierëve në Portin e Durrësit? Sipas investigimeve tona, Terminali i Kontenierëve në Portin e Durrësit, që vitin më të keq gjeneronte miliona euro fitime, ka kaluar në duart e një kompanie offshore Malteze. “Çorba” është gatuar gjatë ditëve festive të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, ku drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu, ka firmosur dhënien e këtij koncesioni. Fituesi është shpallur në datën 4 janar 2021, në ditën e parë të punës. Në tender, sipas dokumenteve, morën pjesë 2 firma. Fitues është “Hili Company Limited (ltd)” me një ofertë ekonomike 3.175.756.155 lekë, pa TVSH.