Si i siguroi Shqipëria maskat dhe mjetet mbrojtëse për spitalet, ja detajet

419
Sigal

Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 ka krijuar shumë pikëpyetje!

E padyshim, ndër to është edhe ajo se si superfuqitë më të mëdha të botës u gjenden përballë vështirësisë për të siguruar qoftë edhe maska mbrojtëse që praktikisht pak muaj më parë kushtonin më pak se 1euro!

Konkluzioni është se gjithçka ndodhi si rrjedhojë e presionit që u shtua mbi zinxhirin e prodhimit dhe furnizimit duke zhbalancuar parimin kërkesë-ofertë e si rrjedhojë duke prodhuar mangësi në treg e rritje shproporcionale të çmimit të tyre.

Pasojat e shkaktuara nga problemi i zinxhirit botëror të furnizimit të materialeve mbrojtëse u ndjenë edhe Shqipëri, edhe pse shumë larg asaj çfarë ndodhi në vendet e tjera.

Si u “boshatis” tregu botëror nga materialet mbrojtëse ndaj COVID-19

Origjina e historisë lidhet gjithnjë me Kinën, vendin ku u konstatua për herë të parë virusi. Kjo e fundit është prodhuesja kryesore globale e maskave dhe mjeteve mbrojtëse por është edhe ajo që u godit e para nga virusi, duke i bllokuar fabrikat e duke krijuar në këtë mënyrë ngërçin e parë të furnizimit me mjete mbrojtëse, fillimisht të atyre që ishin dhe janë në brezin e parë të betejës; mjekëve dhe pastaj qytetarëve.

Në këtë ngërç, shumë vende të botës vunë në dispozicion të Kinës rezervat e tyre, mbase pa llogaritur shumë mirë se në një të nesërme shumë të afërt do të gjendeshin përballe një nevoje të ngjashme.

Mes ketyre vendeve, ishte edhe Shqipëria. Kompanitë shqiptare ju bashkuan qindra e mijëra kompanive të tjera nga bota që u solidarizuan duke ridërguar në Kinë disa prej maskave që i kishin blerë po atje pak muaj më parë, në kohën kur kompanitë punonin me kapacitet të plotë. Situata do të vijonte të ishte e tillë deri në momentin kur në Europë konfirmohet vatra e re e virusit; Italia!

Rritja e përmasave të përhapjes së virusit do të prodhonin rritjen e masave parandaluese nga shtetet europiane, duke krijuar kështu një reflektim të asaj çfarë kishte ndodhur më herët në Kinë.

Shtetet e Europës kaluan në pozicion mbrojtës, ku secili shtet nisi të bëjë bilancin e tij, individualisht, duke mbyllur kufinjtë e duke mos lejuar eksportin e materialeve mjekësore.

Nga ana tjetër, kompanitë e këtyre vendeve, me procedura të përshpejtuara “lufte” u autorizuan që të importonin me çdo mënyrë mjete mbrojtëse si maska, doreza apo veshje speciale. U arrit deri aty, sa me apo pa akte normative, strukturat shtetërore morën kompetenca me motivin e interesit kombëtar, që të konfiskonin mallrat e kësaj natyre e më pas të bënin dëmshpërblimin përkatës.

Paralelisht u konstatua fenomeni i rritjes me shumëfish i çmimit të maskave e mjeteve mbrojtëse, ashtu sikurse nuk mungoi as lindja e atij që cilësohet si “treg i zi”. Janë me dhjetëra raportime mediatike në Francë, Itali, Rumani apo vende të tjera ku shprehet shqetësimi për mungesën apo rritjen e paprecedentë të çmimit të maskave apo për sekuestrime nga ana e policisë e mjeteve mbrojtëse në tregun e zi.

Praktikisht, në Europë shpërtheu një ‘luftë’ brenda luftës ku secili shtet kërkonte të siguronte sa më shumë mjete mbrojtëse për t’u përballur me pandeminë.

Në këtë periudhë, kur virusi po përhapej gjithnjë e më shumë në Europë, kompanitë në Kinë kishin rinisur punën, por tashmë me një mbingarkesë të dyfishtë; atë të shkaktuar nga masat parandaluese për virusin të autoriteteve kineze dhe atë të kërkesës tej mase të lartë nga ana e shteteve europiane për produktet e tyre. Krahas Kinës, Pakistani, India e Turqia gjithashtu po operonin me ngarkesë në këtë fushë.

Trysnia më e lartë në këtë periudhë ishte koha e dërgesës. Bllokimi i fluturimeve dhe mbyllja totale e shteteve e bënin të vështirë tej mase funksionimin normal të zinxhirit e si rrjedhojë do të shkaktonte jo në pak raste probleme në furnizimin me mallra të kësaj natyre, vonesa në dërgesa, transaksione të pezulluara e shpeshherë edhe kosto të larta financiare për kompanitë që ishin përfshirë në këtë garë me kohën.

Në kushtet e mbylljes totale të shteteve, jo në pak raste, për zbatimin e kontratave dhe sigurimin e mjeteve mbrojtëse u desh të luheshin edhe interesa gjeostrategjikë, ku shtetet ndihmonin njëri –tjetrin bazuar mbi to.

Çfarë ndodhi në Shqipëri?

Dhjëtëditëshi i parë i muajit mars prodhoi për Shqipërinë, ashtu si për shumë vende në botë, një situatë surreale. Epiqendra e re e virusit ishte në Itali, në vendin me të cilin Shqipëria ka shkëmbimet më të shumta të njerëzve dhe mallrave, ndaj edhe rreziku që infeksioni të përhapej në masë ishte shumë i lartë.

Por ndryshe nga Italia ku kolapsi i sistemit shendetësor ishte i papritur, për Shqipërinë do të ishte praktikisht fatalitet nëse përhapja do të kishte të njëjtin ritëm si në vendin fqinj.

Ndaj, autoritetet shqiptare ndërhynë menjëherë duke ndjekur strategjinë e frenimit të përhapjes së virusit me qëllim që të zbusnin goditjen me të cilët mund të përballej sistemi spitalor shqiptar, problemet e të cilit janë tashmë të ditura.

Masat që u morën ishin të ngjashme me ato të një lufte. E në një luftë, llogaritë e para bëhen për numrin e ushtarëve dhe me sasinë e rezervave.

Veç masave të njohura publikisht lidhur me kufizimin e lëvizshmërisë dhe të grumbullimeve, plani i gjendjes së jashtëzakonshme parashikoi edhe një serë lëvizjesh të shpejta, jo shumë të dukshme për syrin e publikut.

Hapi i parë që u bë ishte ajo e evidentimit të numrit të mjekëve, shtretërve dhe pajisjeve mjekësore. Padyshim që askush nuk e kishte parashikuar se një ditë do të duhej të përballeshim me një sfidë të tillë, ndaj edhe veç rezervave në spitale, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore kërkoi informacion edhe nga sektori privat, me qëllim që të bëhej një bilanc i rezervave të materialeve mjekësore që kishte vendi.

Rezultati i parë nuk ishte inkurajues. Rezervat e maskave, dorezave apo veshjeve për mjekët nuk ishin të mjaftueshme, përveçse për pak ditë. Hapi i parë që u ndërmor në këtë periudhë ishte ai i donacioneve nga ana e kompanive private për mjekët shqiptarë që do të përballeshin me infeksionin.

Në kushtet e tre skenarëve që kishte përgatitur shtabi i emergjencës për përhapjen e pandemisë, duhej edhe përgatitja e bazës njerëzore dhe materialeve për secilin skenar.

Tenderi “sekret” që ngriti pikëpyetje

Në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme qeveria shqiptare ndërmerr hapin e parë; teston tregun me qëllim që të përgatiste shpejt buxhetin për blerjen e tyre.

Pavarësisht se mjetet mbrojtëse kanë qenë në treg prej kohësh, në situatën aktuale duhej bërë një rivlerësim i tregut dhe çmimeve reference. Në fakt, për këtë të fundit, çmimi ishte padyshim një nga pikat që nuk mund të parashikohej me saktësi pasi ndryshonte nga ora në orë, sipas faktorëve të tregut.

Ndryshe nga më përpara ku stabiliteti i çmimeve të tyre kishte frekuencë mujore apo vjetore, tashmë ofertat ishin të vlefshme me orë të së njëjtës ditë.

Rruga që ndjek qeveria shqiptare është ajo e një procedure tenderuese direkte, pa kaluar në procedurat që ndiqen në situara normale. Kjo rrugë e zgjedhur do të shkaktonte debate më vonë.

Duke ndjekur praktikën ligjore që ndiqet në rastet e emergjencave, kompanive që kishin ofruar mallra të ngjashme ndër vite në vend, ju dërgua ftesë për ofertë për të përmbushur nevojat që kishin spitalet dhe institucionet për materiale mbrojtëse.

Pavarësisht numrit të lartë të kompanive që u ftuan nga institucioni përkates, vetëm pak prej tyre arritën të dorëzojnë oferta dhe të konfirmojnë interesin dhe mundësinë që të angazhoheshin në këtë operacion delikat. Dështimi operacional praktikisht do të sillte dështimin e një shteti në një prej emergjencave më të mëdha të pritshme.

Në këto kushte, në përgjigje të ftesës për negocim, dy kompani shqiptare, “Farma Net” dhe “Euromed” bashkojnë kapacitetet e tyre duke dorëzuar një ofertë të plotë si bashkim operatorësh ekonomike, për të siguruar të gjitha materialet e nevojshme dhe duke marrë përsipër edhe elementin kohë, pra për t’i sjellë sa më shpejt.

Ndërsa një kompani tjetër që mori pjesë në negociim, bëri një ofertë që përmbushte pjesërisht kërkesat e procedurës tenderuese. Në këtë mënyrë, oferta e grupit të operatorëve “Farmanet” dhe “Euromed” u shpall fituese.

Kjo procedurë e përshpejtuar u shpall në Fletoren Zyrtare të datës 22 mars 2020 ku u publikua edhe vendimi për miratimin e kontratës me objekt “Blerje materiale për mbrojtjen personale (MMP) për COVID-19”, me palë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe bashkimin e operatorëve, shoqëria “Farma Net Albania”, sh.p.k. dhe shoqëria “Euromed”, sh.p.k., me vlerë 346 105 800 (treqind e  dyzet e gjashtë milionë e njëqind e pesë mijë e tetëqind) lekë me TVSH, të zhvilluar me procedurën e drejtpërdrejtë me fond limit 307 864 333 (treqind e shtatë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e treqind e tridhjetë e tre) lekë pa TVSH.

Pas kësaj kontrate, mjekët shqiptarë dhe stafi i strukturave spitalore u pajis me mjetet mbrojtëse të nevojshme ndërsa qeveria në komunikimin publik konfirmoi zgjidhjen e problematikës së rezervave për mjete mbrojtëse për stafet spitalore.

Debati politik për “tenderin sekret” dhe çmimet

Rruga e shpejtë që ndoqi qeveria shqiptare për të sigutuar materialet mbrojtëse shkaktoi shumë debate në publik. Opozita ngriti vazhdimisht shqetësime lidhur me mungesën e mjeteve mbrojtëse në spitale, për çmimin e tyre, për cilësinë apo edhe për rrugën që qeveria ndoqi për realizimin e tenderit që u cilësua si “tender sekret”.

E në këtë rast, veç ministrisë së Shëndetësisë që dha shpjegime zyrtare, u përfshi edhe vetë kryeministri duke u ndalur veçmas në secilën prej pretendimeve të ngritura nga opozita.

Në një video të posaçme, kryeministri deklaroi se nuk ka pasur tendera sekretë por vetëm procedura tenderimi të realizuara në përputhje me ligjet në fuqi, për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesat thelbësore të shtetit.

Madje, kryeministri publikoi edhe disa imazhe që dëshmonin mënyrën sesi ishte realizuar procedura tenderuese, ku të pranishëm ishin disa pjesëmarrës dhe një komision i posaçëm.

Një akuzë tjetër ishte ajo se qeveria i ka blerë maskat FFP2 (që përdoren nëpër spitale) me 6.5 euro, pra më shtrenjtë se tregu. Por sipas kryeministrit, maskat janë blerë me 4.14 euro e për këtë ka publikuar edhe dokumentin përkatës, sipas të cilit 167 mijë maska janë blerë me 510 lekë copa.

Sa i përket veshjeve njëpërdorimëshe për dhomat e izolimit, për të cilat opozita ngriti pikëpyetje se janë blerë nga qeveria me 28 euro/copa, pra trefishimi i çmimit, sërish shpjegimi i kryeministrit ishte se ato janë blerë me një çmim më të ulët, 14.6 euro. Sipas dokumenteve të paraqitura nga kryeministri, janë blerë 25 mijë veshje me çmimin 1,790 lekë/ copë.

Një akuzë tjetër ishet ajo që maskat me të cilat janë pajisur mjekët dhe infermierët në spitalin infektiv janë të skaduara që në vitin 2014 por sipas kryeministri data e skadencës së maskave është 31 mars 2023.

Sa i përket syzeve mbrojtëse, akuza është se çmimi me të cilin janë blerë është 6 euro, pra më shumë se dyfishi. Ndërkohë, sipas qeverisë, çmimi i blerjes ka qenë 4.4 euro copa.

Debate politik vazhdon prej javësh ndërsa pyetjet dhe pikëpyetjet mbeten në kuadrin e deklarimeve publike, argumenteve e kundër-argumenteve.

Si ndodhi “ngatërresa” për çmimet?

Debate mes opozitës dhe mazhorancës për çmimet e mjeteve mbrojtëse lidhet me një “ngatërresë” që ka ndodhur mes dokumentit ‘konfidencial’ për testim tregu të njësisë së prokurimit, dhe dokumentit me çmime reale me të cilin janë blerë mjetet mbrojtëse.

Në momentin e testimit të tregut, çmimet e referencës për mjete mbrojtëse që kompanitë kanë dorëzuar në institucionin përkatës i referohën cmime të shitjes në tregun e hapur, janë të vlefshme për artikuj specifikë, të kompanive prodhuese të ndryshme, çmimet të ngjashme edhe në tregun ndërkombëtar. Ndërkohë, në momentin që kompanitë u ftuan për negocim për të dhënë një ofertë konkrete, ku çmimi ishte faktor ndikues për shkak të buxhetit të caktuar, atëhere kompanitë shqiptare ofruan çmime më të ulëta, jo vetëm në kuadrin e garës por edhe në kuadrin e reflektimit të ndryshimeve që kishte ndodhur në tregje ndërkohë.

Pra, sipas shpjegimit që jep qeveria dhe vetë kompanitë, çmimi me të cilat qeveria i ka blerë mjetet mbrojtëse është më i ulët sesa çmimi i tyre në momentin e testimit të tregut. Por ajo që po ndodh në përballje është se palët i marrin në referencë dy dokumente të ndryshme, opozita dokumentin ‘konfidencial’ për testim tregu ku çmimet janë më të larta, ndërsa qeveria dokumentit të blerjes së tyre ku çmimet janë më të ulëta.

Sfidat e sigurimit të maskave dhe mjeteve mbrojtëse

Pa humbur kohë, grupimi i shpallur fitues për furnizimin e spitaleve shqiptare me mjete mbrojtëse nisi punën për të siguruar materialet e nevojshme.

Situata kishte ndryshuar terësisht. Çmimet e maskave dhe mjeteve mbrojtëse ishin rritur në krahasim me ato që ishin llogaritur para tenderit duke krijuar në këtë mënyrë kosto shtesë, transporti ishte vështirësuar, natyra e blerjeve kërkonte parapagesë për mallin dhe në periudhën sa më të shpejtë pasi përndryshe një ofertues nga një vend tjetër i blinte duke e bërë të pamundur gjetjen e mallit.

Në këto kushte, grupi shqiptar vendos të ndërmarrë lëvizje operacionale në disa drejtime, në mënyrë që nëse njëri kanal nuk do të funksiononte apo do të ngecte, të mos krijoheshin pasoja katastrofike në rast të një shpërthimi të pamenaxhueshëm të pandemisë në Shqipëri. Gjithsesi, çmimi i rritur për materialet jashtë vendit ishin shqetësimi më i vogël. Gara në këtë rast ishte me kohën!

Dy drejtuesit e kompanive shqiptare Sokol Topçiu i “Farmanet” dhe Ëngjëll Hoxha i “Euromed” tregojnë peripecitë që u është dashur të kalojnë për sigurimin e mjeteve mbrojtëse. Paratë për blerjet, sipas tyre, në këtë rast ishin elementi më pak i rëndësishëm i procesit.

Kompanitë shqiptare tregojnë se u përballen fillimisht me anulimin e kontratave nga shtete europiane si Greqia apo Italia që vendosin të pezullojnë në mënyrë të papritur eksportin e materialeve mjekësore. Madje, si pasojë e masave ekstreme, ka evidenca që ngarkese e një kompanie tjetër, e destinuar për në Shqipëri, u sekuestrua kundrejt dëmshpërblimit nga autoritetet greke. Po ashtu, probleme pati dhe ka ende me një porosi në Indi. Pasi u bënë pagesat dhe ndërsa pritej nisja e produkteve për Shqipërinë, India merr vendimin për të ndaluar eksportin e çdo lloj pajisje mjekësore e si rrjedhojë kontrata pezullohet, së bashku me transaksionin financiar që ende sot mbetet i pasqaruar se si do të veprohet dhe nëse do të ketë një rimbursim.

Kjo i detyron kompanitë shqiptare që t’i riadresohen tregjeve të tjera, përvec Kinës, tashmë edhe Turqisë. Pasi arrihet të sigurohet, në letra, sasia e kërkuar në Kinë, sfida e re ishte ajo e tërheqjes së mallrave nga atje dhe për t’i sjellë në Shqipëri. Sasia e mallrave që duheshin transportuar ishte shumë e madhe, 26 ton, duke bërë të pamundur transportimin e tyre me një rrugë të vetme. Opsionet ishin shumë të kufizuara dhe alternativa më e përshtatshme ishte rrjeti postar ndërkombëtar DHL.

Megjithatë, edhe kjo do të rezultonte një sfidë e madhe për faktin se kompania ndërkombëtare e transportit po operonte ndryshe nga përpara për shkak të trysnisë, kostos me cmime të dyfishuara, dhe nuk siguronte sjelljen e plotë të mallit por vetëm pjesë-pjesë. Madje, nga 48 orë që ishte më para afati i dërgesave, këtë herë koha ishte 15 ditë, çka do të shkaktonte probleme të konsiderueshme nëse pandemia do të merrte një zgjerim ndryshe nga sa e mori. Duke parë vështirësitë e mëdha, mungesën e rrugëve të transportit dhe rrezikun se mos ngarkesa nuk vinte në kohë, kompanitë i adresohen Turqisë.

Pasi u porositën mallrat në Turqi dhe kur u arrit nënshkrimi i kontratës, vështirësia sërish mbetej te transporti i tyre, pasi edhe Turqia e kishte ndaluar eksportin e për këtë kërkohej një leje e posaçme. Në këtë rast, u ndërmor një operacion si logjistik, ashtu edhe diplomatik.

Qeveria shqiptare ndërhyri pranë autoriteteve turke në mënyrë që të sigurohej ky kanal direkt transporti për t’u furnizuar me mallrat e porositura dhe për t’i sjellë më pas në Shqipëri, duke krijuar në këtë mënyrë garancinë se në betejën me virusin, stafet spitalore shqiptare do të ishin të pajisura me mjetet e nevojshme.

Material i përgatitur nga portali SCAN