Shtëpitë me qira/ Ndryshon ligji, lehtësi për ata që përdorin platformat online, detyrimin për t’u regjistruar në QKB do ta kenë vetëm…

14
Sigal

Ligji i ri për turizmin që u votua në Kuvend me votat e mazhorancës socialiste ka pësuar disa ndryshime të fundit që prek të gjithë individët që japin apartamente me qira në platforma online.

Kuvendi ka miratuar ndryshimet që i lejon individëve që japin dhomat, apartamente apo vila me qira t’i deklarojnë të ardhurat nga ky aktivitet në Deklaratën Individuale Vjetore të Ardhurave dhe të mos jetë nevojë të regjistrohen si biznes në QKB.

Detyrimin për t’u regjistruar në QKB, do ta kenë vetëm sipërmarrësit që kanë bllok apartamentesh. Ekspertët mendojnë se kjo lehtëson tregun.

“Ky nuk është një aktivitet i mirëfilltë biznesi, kjo është një e ardhur pasive pra një investim që ata e kanë bërë përpara në kohë. Mund të jetë një investime me të ardhurat e tyre apo kredi nga sistemi bankar apo mënyra të tjera financimi që normalisht detyrimi për tu financuar si biznes është gjithë pjesa e burokracisë, kohës e kështu me radhë. Detyrimi për të paguar një ekonomist apo për të mbajtur ato regjistrimet, apo për të deklaruar pagën si i vetëpunësuar, pra lindin një sërë ngarkesash tatimore, proceduriale, që për një individ që nuk ka një sfond ekonomik bën që ta ndjekë të gjithë procedurën vetë dhe më pas të ketë probleme dhe vonesa që shoqërohen me gjoba dhe kamatvonesa. Normalisht e bën një procedurë më të lehtë për individët sepse edhe gjenerimi i kësaj deklarate bëhet në mënyrë automatike nga sistemi i tatimeve dhe pagimi bëhet më i thjeshtë duke dorëzuar deklaratën e gjeneruar nga sistemi dhe e paguna në bankë nëpërmjet llogarisë”, tha Igli Tola.

Ligji i ri për turizmin fokusin kryesor ka formalizimin e atij që po shndërrohet në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Kështu pritet të mblidhen të dhëna statistikore të detajuara nga strukturat akomoduese, ndërsa kush ofron këtë shërbim duhet të certifikohet dhe kategorizohet, ndryshe gjobitet.

“Mendoj që turizmi është ndër sektorët që ka më shumë informalitet në vend sepse një pjesë e madhe e tregut 30-40% nga shifrat paraprake dominohet nga njësitë e vogla që zotërohen nga një individ që normalisht duke mos qenë të regjistruar, duke mos qenë të deklaruar ne nuk e dimë dhe çfarë shërbimi ofrohet apo sa të kënaqur janë aty, sepse ne duam të zhvillojmë një turizëm të qëndrueshëm dhe jo të përjetojmë një bum, që më pas na kthehet mbrapsht”, tha Tola.

Edhe pse vjet erdhën 10 milionë turistë në vendin tonë, strukturat akomoduese raportuan gjysmën e tyre si vizitorë, ndërsa gjatë gushtit, pikut të sezonit nuk raportohej zënia e plotë e kapaciteti, duke bërë që qeveria ndryshojë ligjin për herë të parë nga 2015-ta për të adresuar informalitetin.