FSHZH:15 mld. lekë për rrugët e ‘100 fshatrave’ të oligarkëve

131
Sigal

Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon që përmes dy projekteve të veçanta të riparojë shtresat asfaltike të rrugëve në zonat që ishin në listën e 100 fshatrave si dhe të përmirësojë fasadat në disa zona urbane.

Këtë të mërkurë përmes hapjes në seri të disa procedurave të prokurimit FSHZH ka parashikuar një fond limit rreth 1.6 miliardë lekë apo rreth 13 milionë euro për kryerjen e këtyre ndërhyrjeve.

Konkretisht janë gjashtë kontrata ku e para: Ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike, (rajoni 1 dhe 2) me një vlerë 466 milionë lekë, ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike (rajoni 3)” 433 milionë lekë, Ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike, (rajoni 4) po 433 milionë lekë. Të gjitha këto kontrata kanë të bëjnë me riparimin e rrugëve problematike që janë raportuar nga njësitë e qeverisjes vendore.

“Nisur nga shqetësimi i përfaqësuesve të Njësive të Qeverisjes Vendore (NjVV) stafi i FSHZH ka bërë të mundur të bëjë verifikimin në terren të disa prej akseve rrugore, të cilat janë me problematikë për qarkullimin e automjeteve. Verifikimi në terren është bërë kryesisht në akset rrugore, të cilat lidhin zona turistike dhe që kanë potencial për zhvillimin e ekonomisë, kjo në përputhje dhe komplementare me programet e zhvillimit rajonal si programi për 100 fshatrat, etj.

Pas rikonjicionit në terren të këtyre akseve rrugore është konstatuar se në disa segmente të këtyre akseve, shtresat rrugore janë të dëmtuara. Gjendja teknike e shtresave rrugore në këto segmente është jashtë standardit dhe lëvizja e automjeteve bëhet me vështirësi. Në shumë raste dëmtimet e shtresave rrugore janë deri në thellësi, në të cilat janë krijuar gropëzime dhe çedime të konsiderueshme, të cilat në raste të veçanta këto dëmtime bëhen shkak edhe për aksidente serioze në këto akse rrugore” thuhet në raportin që shoqëron këto kontrata.

Ndërkohë që një tjetër grup kontratash është ajo për ndërhyrjet në blloqet e banimit. Konkretisht kemi të bëjmë me kontratën: Ndërhyrje rigjeneruese ne blloqet e banimit rigjenerimi i stokut të banesave në rajonin 1 dhe 2 me fond limit 461 milionë lekë, ndërhyrje rigjeneruese ne blloqet e banimit rigjenerimi i stokut të banesave në rajonin 3 me vlerë 349 milionë lekë, ndërhyrje rigjeneruese ne blloqet e banimit rigjenerimi i stokut të banesave në rajonin 4,349 milionë lekë.

Për të rritur cilësinë e jetës së komuniteteve që popullojnë zonat urbane shihen të nevojshme ndërhyrjet që kanë si qëllim rehabilitimin e blloqeve urbane në qytetet kryesore të vendit, për të krijuar një sistem të përmirësuar në të cilin zhvillohet jeta e banorëve të zonave. Ndërhyrjet rigjeneruese në blloqet e banimit, janë ambientet më të prekshme nga banorët e zonave për shkak se përbëjnë habitatin në të cilin zhvillohet jeta e përditshme”, sqaron FSHZH.