Shtëpitë me qira/ Çfarë duhet të dini për kontratat dhe sa duhet të paguani

545
Kontratat e qirasë duhet të regjistrohen në Hipotekë. Shërbimi ofrohet në faqen “e-albania”, kërkon dy ditë kohë dhe kushton 3.500 lekë. Shërbimi elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një aplikim për regjistrimin e kontratës së qirasë apo të nënqirasë.
Sipas informacionit të publikuar në faqen “e-albania”, ku ofrohen një numër i konsiderueshëm shërbimesh, çdo kontratë qiraje e bërë me akt noterial, për një pasuri të paluajtshme, me zgjatje kohore më shumë se 9 vjet, duhet të regjistrohet në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë së paluajtshme të qiradhënësit. Kontrata e qirasë, e bërë me akt noterial, për një pasuri të paluajtshme, me një zgjatje kohore mbi 1 vit, mund të regjistrohet në regjistrin e pasurisë së paluajtshme.
Kur një kontratë qiraje është për një pjesë të një pasurie të paluajtshme, atëherë kartela ekzistuese e pasurisë së paluajtshme mbyllet dhe hapen kartela të reja për pjesën/ pjesët që është/janë dhënë me qira dhe për pjesën/pjesët e pasurisë së paluajtshme që mbetet/mbeten, si dhe bëhen shënimet përkatëse në hartën kadastrale, sipas përcaktimeve të bëra me ligj. Pas dërgimit të aplikimit drejt ZRPP-së, ai do të procesohet nga specialisti i ZRPP-së dhe në varësi të informacionit, kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit me email, dërgimit të përgjigjes elektronike te “Dokumentet e mia” në profilin e qytetarit në “e-Albania”, si dhe me shërbim postar nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër.
KËRKESA
Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të ligjit Nr. 33/2012, bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit. Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i Përpunimit të Kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave. Minimalisht, në regjistër regjistrohen numri i kërkesës, data e paraqitjes dhe data e përfundimit të afatit për trajtim, sipas rendit kronologjik.
Kërkuesi, që paraqet një kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga ZRPP-ja, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe Kodin e Sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. Kthimi i përgjigjes elektronike dhe i materialeve të kërkuara nga
kërkuesi kryhet nëpërmjet dërgimit te “Dokumentet e mia” në “e-Albania” dhe informimit me email për shkarkimin e përgjigjes elektronike. Gjithashtu, nëse qytetari dëshiron përgjigjen në format letër, e merr nëpërmjet shërbimit postar. Çdo tarifë për shërbimin në ZRPP, paguhet në llogarinë bankare të Zyrës së Regjistrimit.
Sigal