Shtatë vite pa Dede Reshat Bardhin

846
Nga Jetmir BODINI
Dede Edmond Brahimaj: Pa vizionin e dede Reshat Bardhit, vështirë të ringrihej besimi bektashian në këto përmasa të sotme në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni e më gjerë
Dy prilli shënon një nga datat më të rëndësishme përkujtimore për miliona bektashinj në gjithë botën. Në këtë ditë, të vitit 2011, ndërroi jetë ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Kleriku i njohur Dede Reshati, ka merita të mëdha për rolin e këtij tarikati në funksion të rritjes së besimit në Zot, mesazhet për paqe, dashuri, mirësi e atdhetari, veçanërisht në ringritjen e bektashizmit botëror pas viteve ’90-të. Kjo datë përkujtohet nga bektashianët e kudondodhur në botë. “Pa vizionin e dede Reshat Bardhit, vështirë të ringrihej besimi bektashian në këto përmasa të sotme në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni e më gjerë. Myrshidi ynë e ngriti besimin bektashian në lartësinë e misionit të vet historik, në ato lartësi që përmend edhe Naim Frashëri me rilindësit e tjerë shqiptarë”-pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës, njofton klerikë dhe dashamirës të marrin pjesë në ceremoninë e Mevludit për këtë event në datën 7 prill 2018, në mjediset e Selisë. 

***
…Në fëmijërinë time të hershme, e kam pyetur shpesh gjyshen time nga nëna, Rabijen, për një foto që mbante tek koka e krevatit prej druri. Ajo merrte një foton në kornizë të vjetër dhe e puthte duke thënë: “T’u bëftë motra!” dhe pastaj ma jepte mua ta puthja. Ky rit, që përsëritej sa herë që unë shkoja tek gjyshja, iështe në të vërtetë fillimi i dridhshëm i takimeve të mia shpirtërore me baba Reshatin. Ky dervish bektashian, në vitet 80 të shekullit që lamë pas, përveçse adhurues për mijëra besimtarë, ishte vëllai i gjyshes sime. Një fat i mbarë apo i mbrapshtë, këtë ende sot nuk e kam mësuar prej Rabijes. I mbarë sepse dervishi i Lusnës, u bë i njohur në krejt botën bektashiane me veprën e tij monumentale. Fat i mbrapshtë, sepse jeta e tij kaloi përmes brengash e dallgësh të egra.

…Mbaj mend gjyshen Rabije, për kohën kur u ndalua besimi dhe u prishën institucionet fetare: “Mjekrën e pati hequr, por besimin në Zot jo! E kishte ndarë mendjen të duronte vuajtjet, me çdo çmim. E di ç’më tha? Rabije, mbaj mend. Kur ta rris mjekrën për së dyti, s’ka Zot nëne, me ma heq prapë”. E gjithë kjo bisedë m’u kujtua në vitin 1998, kur vazhdoja në Tiranë studimet në universitet. Për të parën herë, sytë më vajtën tek mjekra e baba Reshatit. Atje në fotografi, tek krevati i gjyshes, kishte qenë dervish dhe mjekra ishte e zezë. Tani i qe zbardhur plotësisht.

…E prita me kënaqësi ndërkaq propozimin e baba Reshatit për t’u punësuar në Kryegjyshatën Botërore Gjatë viteve të studimit shkoja pothuaj çdo javë në Kryegjyshatë dhe në çdo bisedë me babanë, s’ishte e vështirë të shihje interesimin e tij për shkollën, për diturinë Donte që ne të rinjtë, bashkë me librat e shkollës, të mbanim dhe ato të fesë. Mua më jepte vazhdimisht botime që bëheshin asaj kohe në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës, duke më nxitur të thithja kulturën bektashiane. Dikur më dha një libër që e kishte shkruar baba Rexhebi i teqesë bektashiane të Detroidit në SHBA. Më porositi ta lexoja me kujdes… E mbylli bisedën me shaka: “Mbaje afër këtë libër tek krevati dhe para se të flesh, lexo katër-pesë faqe Por mbaje tek jastëku, mos e var tek koka e krevatit, siç var Rabija fotografinë time”. Që nga viti 2002, bisedat dhe takimet e mia me baba Reshatin nuk kanë të mbaruar. Ato më kanë shërbyer dhe shërmejnë edhe sot, jo vetëm për marrëdhëniet e mia me besimin e shëndetshëm bektashian, por edhe me marrëdhëniet shpirtërore me njerëzit e tjerë, me të cilët na ka lidhur fati dhe misioni i përbashkët. Duke dashur të jem sa më korrekt me detyrën, përpara shumë vitesh e njoftova babain se duhej larguar nga puna dikush, i cili kish shkelje të ligjit të përsëritura. E pashë si diçka të natyrshme dhe të logjikshme këtë veprim.. Ja raportova si rast baba Reshatit dhe prita miratimin e tij. Po ky heshti gjatë. Më pyeti për punonjësin. E njihte vetë, shumë më mirë se sa unë. Pastaj më porositi që ta thërrisja edhe një herë, t’i tërhiqja vëmendjen, t’i thosha bile, se kam porosi për këtë nga baba Reshati. Çuditërisht, gjendja ndryshoi. Punonjësi u step kur i kujtova kujdesin e baba Reshatit. Siç duket, s’ia kishte marrë mendja zemërgjerësinë e tij. Punët vazhduan mirë më pas, edhe me ligjet e shtetit dhe me ligjet e shpirtit. Pas disa kohe baba Reshati më pyeti dhe unë nxitimthi i thashë: “Të ishte për mua, do ta kisha pushuar atë, por e bëra vetëm për hatrin tënd.”… Ky më pa drejt në sy dhe më shpjegoi: “Biri im! Po ta kesh bërë vetëm për mua, nuk është ndonjë gjë e madhe. Bile më mërzit. Në këtë botë, gjithçka të mirë, nëse e bën, bëje për hir të Allahut. Nëse e thua e bëra për këtë e atë, ti pret me siguri që kjo e mirë të kthehet tek ty. Qoftë dhe si shpërblim. Pra, do apo s’do, e fut veten në nefes. Po nefesi të largon nga dlirësia që kemi ne bektashinjtë. Ndërsa kur çdo të mirë e bën në emër të Allahut, atëherë je i pastër në këtë botë dhe tjetrën. Ne të gjithë duhet të sakrifikojmë për ditën e lume, kur njerëzit çdo të mirë, do ta bëjnë për hir të Allahut…” Ky ishte dede Reshati…

Në sa e sa biseda, doja të hapja ndonjë debat të vogël. Fjala ishte, se në Selinë e Kryegjyshatës Botërore, ne kryenim shumë punë në të njëjtën kohë. Duheshin paguar ustallarët e tyrbeve, të odeonit, nëpunësit e deri tek luleshtarët. Çuditem se nga e gjente kohën, por baba Reshati, jo vetëm që i njihte me emra të gjithë, por u kishte mësuar edhe hallet e tyre në shtëpi. Ajo çfarë më sipër e përmenda si debat, se jo rrallë babai paguante nga brezi i tij, pra dhurata që besimtarët i jepnin. Ndërsa mua më duhej që evidencat e pagesat të bëheshibn në bazë të rregullit. Kur ky ‘debat’ u përsërit dy herë, babai, me atë zemërgjerësinë karakteristike më tha: “I kemi ndarë gjërat. Ti do mbrosh ligjet e shtetit. Unë do mbroj ligjet e Zotit”. Paskëtaj unë u tërhoqa. Natyrshëm, ishte urtësia dhe mençuria e dhjetra dervishëve dhe baballarëve, të cilët ky, i takoi në rrugën e gjatë…

…Ishte 1 janari i vitit 2011, në mëngjes herët kur u ngjita në dhomën e tij. Po pushonte i dërmuar nga goditjet që jepte sëmundja. Më ndjeu dhe e përqafova. I thashë se natën e Vitit të Ri e kisha kaluar tek prindërit e mi, në Tiranë. Më pyeti nëse kisha shkuar tek Rabija ose jo. I thashë se shkova atje dhe shtova, për t’i bërë qejfin, se i pata çuar disa dhurata. Buzëqeshi plot mendim në sy. Mundi vetëm të më thoshte: “Rabija ime s’ka nevojë për dhurata. Ju jeni dhurata e Zotit për atë. Rabija ka nevojë, si çdo nënë tjetër, për dashurinë e bijve dhe bijave.” Se si m‘u duk që, edhe në ato halle që hiqte, baba Reshati shpërndante dashuri për gjithë të tjerët. Ne kemi qenë dhe mbetemi shumë të vegjël, përballë dimensionit njerëzor të tij…

Hirësia e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj për Dede Reshatin
Në historinë 800 vjeçare të besimit bektashian, emri i dede Reshat Bardhit, do të mbetet pa dyshim, sinonim i një mbijetese të shkëlqyer. Në konceptin tim, dede Reshat Bardhi i ka kaluar mrekullisht të gjitha etapat, jo vetëm tradicionale, por dhe morale e hyjnore, çka besimi ynë të ofron. Pa vizionin e dede Reshat Bardhit, vështirë të ringrihej besimi bektashian në këto përmasa të sotme në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni. Myrshidi ynë e ngriti besimin bektashian në lartësinë e misionit të vet historik, në ato lartësi që përmend edhe Naim Frashëri me rilindësit e tjerë shqiptarë. Duke afruar paqe dhe tolerancë, duke rrezatuar mirësinë tonë tradicionale, ne po kontribuojmë në një nga modelet e përkryera të harmonisë ndërfetare, edhe si dhuratë e Zotit, edhe si vlerë e ndërgjegjes sonë kombëtare.
Sigal