Shqipëria me monopol kolaudimi klintelistë që ushqen shtetarët, Somalia ka 56 firma dhe 2142 servise

863
Shqipëria është i vetmi vend në Rajon dhe në Evropë, që ka shërbim monopol për kolaudimin e automjeteve. Që prej 3 shtatorit të vitit 2009, kur shteti shqiptar i dha koncesionin kompanisë zvicerane “Societe Generale de Surveillance” (SGS), shërbimi kontrollit teknik të automjeteve, po funksion si shërbim i detyrueshëm vetëm në një “sportel” me tabelën SGS, shërbim që kontrollohet vetëm prej kësaj kompanie. Është kjo kompani e cila, kryen shërbim sipas interesave të saj, duke shpërfillur edhe kontratën koncesionare monopol, me vendosje dhe aplikim tarifash 5 herë më të larta se edhe në vendet e BE, monopol që vazhdon të ketë mbrojtjen e shtetit, i cili duhet t’ia heq, por që ia lejon për shkak të pazareve që “”ushqejnë” shtetarët e radhës. Përpara 20 muajsh, u deklarua me bujë se do të hiqeshin të gjithë monopolet, një prej të cilëve është edhe kolaudimi i automjeteve. Kjo nuk ka ndodhur. 
Firma zvicerane “SGS”, monopoli që po zhvat e po masakron shqiptarët me lejen e… shtetit shqiptar!
Kompania “Societe Generale de Surveillance” (SGS), vazhdon të jetë “monarke” e vetme e kolaudimit të automjeteve në Shqipëri, me tarifa 70-140% më të larta se në vendet e BE. Përse nuk hiqet ky monopol? Kush e mban në aktivitet? Kush përfiton “llokma” mujore prej këtij shërbimi? Madje, cilët janë pronarët e vërtetë të monopolit të kolaudimit? A janë shefat kontraktues të monopolit të kolaudimit në Shqipëri, “klientë” të drejtësisë në Zvicër, Itali, Francë, Gjermani, Maqedoni, Serbi, Bosnjë, Greqi e në 7 shtete të tjerë? Përse nuk dalin publikisht administratorët zviceranë të kompanisë “Societe Generale de Surveillance” (SGS) e cila njihet si firmë që bën biznes… orizi e fasulesh në vendet e pa zhvilluara? Ka një shqetësim, të cilin shteti nuk ndërhyn për ta zgjidhur: Për shkak të monopolit, në qendrat e kolaudimit dhe zyrat e firmës “Societe Generale de Surveillance” (SGS), shqiptarët përballen me skandalin e përsëritjes së qëllimshme të kolaudimit të automjeteve, me qëllim që të paguajnë nga 2, 3 e 5 herë për një kolaudim, ku vetëm për vitin 2014, janë mbi 982 mijë raste pagesash shtesë prej kthimit për “mangësi” të shpikura nga punonjësit e firmës zvicerane “Societe Generale de Surveillance” (SGS)! Këto abuzime në përsëritje kontrolli teknik, radhët e gjata me ditë e javë për një kolaudim dhe shpërfillja e ankesave të qytetarëve, ndodhin mbasi kompania zvicerane “Societe Generale de Surveillance” (SGS) është e vetmja që e kryen këtë shërbim në Shqipëri, pra monopol kombëtar lodhës, stresues e zhvatës financiarisht ndaj shqiptarëve. Shteti, në vend që të veprojë me masa ndëshkimi deri në heqje licence ndaj abuzimeve të firmës “Societe Generale de Surveillance” (SGS), po vazhdon ta “përkëdhel” këtë firmë abuzive, për të cilën thuhet, se në këto 20 muaj ka “kolauduar” edhe xhepat e 3 ministrave dhe 9 deputetëve që kanë në dorë vendimet dhe urdhrat. Një herë në vit, duhet të shkosh të bësh kolaudimin e automjetit atje ku gjenden qendrat e kontrollit teknik të firmës zvicerane “Societe Generale de Surveillance” (SGS). 
As Somalia nuk e ka monopol kolaudimin e automjeteve, Shqipëria nuk e heq
Dje në redaksinë e Gazetës “Telegraf” erdhi një informacion interesant: As në Somali, kolaudimi i makinave nuk është shërbim monopol, por veprojë 56 firma dhe 2142 autoservisë që kryejnë këtë shërbim. Shtrohet pyetja: Përse në Shqipëri, shërbimi i kolaudimit të automjeteve vazhdon të jetë monopol?! Ky monopol mbledh të arhdurat e kolaudimit të 610 mijë mjeteve që janë në Shqipëri, 40% prej të cilave i detyron të përsëritin me pagesa shtesë kolaudimin vjetor, për shkaqe…kot! Në vendet e BE, kontrolli teknik i mjeteve, ose kolaudimi siç quhet “popullorçe”, bëhet nëpër pika servisi e garazhe automekanike të licencuar. Në SHBA, p.sh., nuk bëhet fare kolaudim mjetesh. Në Itali, Gjermani, Francë, Austri e në Zvicër prej nga është kompania zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS), kolaudimi i mjeteve të reja bëhet 1 herë në 5 vitet e para pas daljes në qarkullim dhe 1 herë në dy vjet pas 5 vitesh nga kolaudimi i parë dhe përherë bëhet nëpër servise të licencuar. Në vendet e BE nuk paguan taksë të dytë, në rast kthimi për plotësim mangësish në automjet. Ndërsa në Shqipëri, kjo firmë shërben si monopol, që gjithë mjetet duhet të kolaudohen vetëm tek ajo. Që pas çdo kthimi për mangësi e defekte, duhet të paguash aq herë sa kthehesh. Që kontrollorët e kësaj firme të nxjerrin defekte në pjesët dhe pajisjet elektrike, motorike e xhenerike të shtrenjta, mbasi janë lidhur me forma tregu të auto-pjesëve të këmbimit në Tiranë, të cilave u kanë punësuar edhe ekspertë të instruktuar për të kthyer mjetet në kolaudim me detyrimin për të ndërruar pjesët dhe pajisjet e këmbimit. E për këto nuk kërkon askush llogari edhe pse ka denoncime të shumta.
———————————————————-
Firmës së kolaudimit “SGS”, i janë falur 153 milionë detyrime fiskale
Shteti shqiptar, i futur në “thes” prej kompanisë së kolaudimit zviceriane të automjeteve “Societe Generale de Surveillance” (SGS), ka përfituar një vlerë të madhe financiare prej llogarisë së shtetit shqiptar, në formë “dhurate”, prej detyrimeve fiskale, që duhej të arkëtonte në shtet. Fakti është ky: Në favor të koncesionarit “Societe Generale de Surveillance” (SGS)”, me vendim të Këshillit Drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Nr. 37, datë 17 dhjetor 2010 dhe me miratim të Drejtorisë së Politikave të Planifikimit Financiar dhe Statistikave të Ministrisë së Transporteve, janë falur 15 milionë e 333 mi mijë lekë të reja, të cilat përfaqësojnë fitimin neto vjetor, që sipas ligjit në fuqi duhet të kalonte në buxhetin e shtetit, si detyrim i firmës “Societe Generale de Surveillance” (SGS)” ndaj shteti shqiptar, në respektim të kontratës koncesionare. Kjo “dhuratë” është zbuluar nga ekipet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë veprimtarisë së tyre rutinë të kontrollit në këtë dikaster. Kompania “Societe Generale de Surveillance” (SGS)” është një subjekt privat, i cili ka marrë me koncesion gjithë veprimtarinë e kontrollit teknik të automjeteve në Republikën e Shqipërisë. 
—————————————–
Firma “SGS” e ka zhvatur koncesionin e kolaudimit, me aferë korruptive shtetërore
Gazeta “Telegraf”, dipsonon dosjet që provojnë zhvatjen e koncesionit monopol të kolaudimit të automjeteve prej firmës “Societe Generale de Surveillance” (SGS)”. Paditësi i parë, është një Shoqëri Tregtare e së Drejtës Franceze, e cila ka marrë pjesë në procedurën e prokurimit “Dhënie me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove”, të zhvilluar nga Autoriteti Kontraktues MPTT e Shqipërisë. Pasi ka kaluar fazën para-kualifikuese, paditësi ka paraqitur ofertën teknike dhe atë ekonomike pranë Autoritetit Kontraktues dhe në datën 18.12.2008 është zhvilluar procedura përzgjedhëse, ku janë hapur edhe ofertat përkatëse të dy shoqërive, që ishin paraqitur pas kualifikimit. Pas paraqitjes së ofertave dhe dokumenteve shoqëruese të tyre, pala paditëse franceze është njoftuar nga MPTT në datën 21.01.2009 me “dy rreshta shkresë” se ishte… skualifikuar! Agjencia e Prokurimit Publik (APP), pasi ka marrë në shqyrtim ankimin administrativ, arsyetoi në lidhje me shkaqet e skualifikimit të pretenduara nga AK dhe në përfundim të shqyrtimit administrativ APP, ka vendosur që MPPT si autoritet kontraktues, të bëjë rivlerësimin e procedurës së koncesionit sipas parashikimeve të nenit 25 të ligjit nr. 9663, dt. 18.12.2006 “Për Koncesionet”, pasi ka konsideruar, se shkaqet për skualifikim nuk qëndronin. Por, MPPT nuk zbatoi vendimin e APP dhe çështja u fitua me gjyq nga dikasteri.
——————————————-
Çmimet janë rritur me 10-15%, kontrata e ndalon rritjen deri në shtator 2019
UDHËZIM, Nr. 4, datë 2.8.2013
1. Tarifat e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë, caktohen sipas lidhjes nr. 1 që i bashkëlidhet këtij udhëzimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Niveli i tarifës për shërbimet është shprehur duke përfshirë TVSH-në.
2. Për ndjekjen dhe zbatimin e këtij udhëzimi, ngarkohet Drejtoria e Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore dhe Njësia e Projektit Koncesionar në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit.
3. Ky udhëzim hyn në fuqi në datën 6 shtator 2013 dhe botohet në Fletoren Zyrtare në numrin më të parë të radhës. 
———————————— 
Ja sa përqind e mjeteve, detyrohen të paguajnë nga 2-5 herë kolaudim, për të pasuruar firmën monopol SGS 
1. Tirana: 51%
2. Durrësi: 33%
3. Shkodër: 29%
4. Korça: 39%
5. Fieri: 31%
6. Vlora: 26%
7. Lezha: 22%
8. Dibra: 33%
9. Berati: 27%
10. Kukësi: 31%
11. Elbasani: 30%
12. Gjirokastra: 23%
:
Sigal