Shqipëria me burgjet plot, me numrin më të madh të të burgosurve në rajon

640
Shqipëria konsiderohet si një nga vendet më të korruptuara, të paktën në Europë, sipas treguesve ndërkombëtarë, por edhe ku ndëshkueshmëria është e ulët. Jo më kot, në qendër të debatit vitin e fundit ka qenë reforma në drejtësi, e cila nuk ka filluar ende zbatimin e plotë.
E megjithatë, burgjet në Shqipëri janë të mbushura plot. Sipas World Prison Brief (WPB) një sistem unik të dhënash që ofron akses në informacionin për sistemin e burgjeve në botë, Shqipëria renditet në listën e shteteve që i kanë burgjet e mbushura plot, mbi 100%. Për vendin tonë, niveli i zënies së burgjeve, bazuar në kapacitetin zyrtar, është 105.6%, duke u renditur në vendin e 109, nga 222 shtete.
Në Maqedoni, ky tregues është edhe më i lartë, 132%; në Serbi në nivele të ngjashme me Shqipërinë, në 106.4%; Në Mal të Zi, dhe Kosovë burgjet janë më “bosh”, me përkatësisht rreth 87% dhe 84% të kapacitetit të zënë. Më pak “mëkatarët” janë boshnjakët, me 61%.
Në fqinjin Itali, ku jetojnë një numër të madh emigrantësh, përfshirë dhe shqiptarë, kapaciteti i zëniës së burgjeve është 115%; në Greqi 101.4%.
Sipas raportit, në Shqipëri, vetëm 1.9% e të burgosurve janë gra, një ndër më të ulëtit në botë. 1.4% e të burgosurve janë të huaj. Në Itali, psh, 34% e atyre që mbahen të mbylur janë të huaj.
Në treguesin tjetër, të të burgosurve për 100 mijë banorë, Shqipëria renditet në vendin e 77 në botë, nga 222 shtete në total, me 187 të burgosur për 100 mijë banorë, niveli më i lartë në gjithë rajonin. Në Serbi ka 142 të burgosur për 100 mijë banorë; Në Maqedoni 156; Mal të Zi 182, Kosova me 106 dhe numri më i uët i të dënuarve është në Bosnjë, me 73 për 100 mijë banorë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Drejtësisë, të publikuara në 2015-n, kosto e një të burgosuri në Shqipëri është mesatarisht rreth 800 euro në muaj. Ndërsa një raport i hartuar nga prezenca e OSBE dhe Drejtoria e Burgjeve, vlerëson se një i burgosur i kushton shtetit shqiptar nga 369 euro deri në 1380 euro në muaj sipas kategorive. Një i paraburgosur ka kosto ditore 14.63 euro, një i burgosur që vuan dënimin i kushton shtetit 12.3 euro në ditë dhe një i dënuar por i sëmurë i kushton shtetit 46.23 euro në ditë.
Vendet me burgje të tejmbushura
Dikush që arrestohet dhe burgoset në Haiti do të duhet të durojë kushte shumë më të ashpra. Vendi i Karaibeve ka burgjet më të mbipopulluara të çdo vendi në mbarë botën dhe institucionet e tij po operojnë me kapacitet prej 454 për qind. Kjo ka bërë që 80 deri në 100 burra të mbushin një qeli të vetme në të njëjtën kohë, është e dukshme kequshqyerja dhe përhapja e sëmundjeve. Shumë nga të burgosurit e Haitit nuk janë dënuar për një krim dhe OKB ka thënë se të burgosurit janë subjekt i shkeljeve të përditshme të të drejtave të tyre njerëzore.
Situata në Filipine është e ngjashme dhe kushtet në burgjet e saj janë përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme që kur Presidenti Rodrigo Duterte filloi luftën e tij ndaj drogës. Kjo ka parë rritje të fortë të numrit të arrestimeve. Kjo ka bërë që normat e shfrytëzimit të arrijnë në 436 për qind të kapacitetit dhe burgu i Quezon City është një shembull i mirë. Një raport i ABC News pohon se objekti është ndërtuar për të strehuar 262 të burgosur dhe tani pret mbi 3.000 të burgosur. El Salvador vjen i treti për mbipopullimin e burgjeve me institucionet e saj që veprojnë në 348.2 përqind të kapacitetit të tyre./Monitor
Sigal