Raporti përfshin 27 vendet anëtare të BE-së (BE-27), si edhe Shqipërinë dhe Zvicrën.
Agjencia evidenton se vetëm 16 për qind e cilësisë së ujërave bregdetare për larje në Shqipëri rezulton shkëlyeshëm, ndërsa 49,6 për qind është konsideruar si cilësi e “mirë”, dhe 11,8 për qind me cilësi “minimale ”.
Sipas raportit, 22,7 për qind e plazheve të Shqipërisë janë klasifikuar “të dobëta”, në të cilat larja nëpër këto ujra të ndotura mund të kthehet në rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e njeriut, pasi kanë prani të baktereve si E. coli dhe enterokokë intestinalë.
Nëse gëlltitet, uji i ndotur mund të shkaktojë çrregullime të stomakut dhe diarre. Gjithashtu, mund të sjellë infeksione në veshë, sy dhe rrugët e sipërme të frymëmarrjes.
Gjithsej janë monitoruar 21.848 zona zyrtarisht të përcaktuara për larje, prej të cilave 119 në Shqipëri dhe 160 në Zvicër. Ky draft bazohet në analizën e të dhënave të raportuara nga këto vende për sezonet e larjes 2021–2024.
Të dhënat tregojnë se 85 për qind e ujrave të Evropës janë të cilësisë së “shkëlqyer”, kurse 96 për qind e tyre përmbushën të paktën cilësinë minimale të kërkuar nga BWD-ja.
Qipro kryeson në listë, ndjekur nga Bullgaria, Greqia, Austria dhe Kroacia, në të cilat mbi 95 për qind e ujërave të tyre u kategorizuan “shkëlqyeshëm”. Belgjika, Hungaria, Estonia, Polonia dhe Shqipëria pozicionohen në 5-shen e fundit.
Ndër sfidat kryesore paraqiten shkarkimi i ujërave të zeza të patrajtuara, mungesa e infrastrukturës adekuate dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme, sidomos në zonat bregdetare që përjetojnë një fluks të lartë turistësh gjatë sezonit veror.
Vendet anëtare të BE-së i menaxhojnë ujërat e tyre për larje në përputhje me Direktivën për Ujërat e Larjes (BWD). Para çdo sezoni larjeje, vendet përcaktojnë zonat kombëtare të larjes, caktojnë kohëzgjatjen e sezonit për secilën prej tyre dhe vendosin protokollet e monitorimit për ujërat bregdetare, ujërat kalimtare, lumenjtë dhe liqenet. Pishinat dhe qendrat termale nuk përfshihen në kërkesat e kësaj direktive.