Shpërthimet nga “Bankers” në Marinzë, Totozani rekomandime qeverisë

530
Pas gati dy muajsh nga shpërthimi i puseve të naftës në fshatin Marinzë të Fierit, Avokati i Popullit ka përfunduar hetimin administrativ në lidhje me masakrën mjedisore të shkaktuar nga kompania “Bankers Petroleum”, për të cilin ka përpiluar një raport, sipas të cilit dy javë pas shpërthimit në qendrën shëndetësore të Marinzës dhe në Spitalin Rajonal të Fierit janë paraqitur afro 250 persona (më shumë se 10% e banorëve të Marinzës) me simptoma, të cilat vijnë si rezultat i ndotjes.
Pas kryerjes së hetimeve, Avokati i Popullit, Igli Totozani kërkon që Ministra e Shëndetësisë, Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Energjisë të marrin këto masa:
1. Institucionet përgjegjë-se të marrin masa për evakuimin e përkohshëm të banorëve nga zona me rrezikshmëri të lartë intoksikimi, deri në normalizimin e situatës.
2. Të kryen të gjitha matjet e specializuara në mënyrë periodike për të mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm nivelin e ndotjes në vendburimin e Marinzës, në shkallë rajonale e më gjerë.
3. Të bëhet kontrolli sistematik për ruajtjen në mënyrë permanente të nivelit higjieno-sanitar, kimik në të gjithë zonën e Marinzës, në përputhje me normat ndërkombëtare.
4. Të kryhet falas kontrolli shëndetësor i specializuar bashkë me ekzaminimet laboratorike mjekësore të nevojshme, për të gjithë banorët e Marinzës dhe kurimin falas.
5. Të merren masa për moslejimin e konsumit të produkteve bujqësore dhe blegtorale të prodhuara në zonën e ekspozuar nga ndotja me elementë toksikë.
6. Të merren masa për ruajtjen e nivelit të pastërtisë ekologjike të ajrit, ujërave, tokave dhe bimëve në të gjithë zonën.
7. Të merren masat e nevojshme për dëmshpërblim material dhe jomaterial në ndihmë të banorëve të Marinzës të dëmtuar që lidhen me pronën, shëndetin dhe jetën.
8. Institucionet përgjegjë-se duhet të bëjnë transparente të gjithë vendimmarrjen e tyre lidhur me skemën e dëmshpërblimit dhe banorët që përfitojnë si dhe masën e dëmshpërblimit.
9. Të bëhet rehabilitimi i tokave bujqësore të Marinzës nga ndotjet toksike të tyre për shkak të shpërthimit të pusit të naftës.
10. Të ngrihet një komision ekspertësh shqiptarë prej Këshillit të Ministrave, nën kryesinë e një anëtari qeverie, për studimin e shpërnguljes së banorëve të Marinzës në rast se jeta dhe shëndeti i tyre rrezikohen edhe në të ardhmen.
Sigal