PD, Patozi: Qeveria frikë nga humbja në Vorë, nisi reprezalje policore

217
Partia Demokratike ka akuzuar sot koalicionin e majtë se po ushtron presion mbi qytetarët për të marrë votat në zgjedhjet e 21 qershorit. Në një dalje për mediat deputeti Astrit Patozi ka akuzuar qeverinë se në Bashkinë e Vlorës, qeveria e ka të sigurtë humbjen e për këtë shkak ka nisur një reprezalje policore ku janë shtuar së shumti rastet e incidenteve të dhunës për motive politike. 
“Vëllai i kryetarit të Partisë Socialiste të Prezës, Agim Kajmaku, goditi në një ambient publik shefin e kabinetit të kryetarit aktual të bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, i cili kandidon për zgjedhjet e 21 qershorit nën siglën e Partisë Demokratike. Zoti Subi Përzhilla u sulmua në mënyrë të papritur nga agresori i dhunshëm, sepse, sipas këtij të fundit, tani pushtetin e kishte e majta dhe askush tjetër nuk mund të guxonte të fitonte përveç saj dhe se Partia Demokratike as fushatë nuk duhet të bënte. 
Vetëm dy netë më parë një punonjës i policisë bashkiake u shoqërua pa asnjë shkak nga forcat e komisariatit 6 dhe u mbajt disa orë pa asnjë arsye bindëse, me pretekstin absurd që përdoret rëndom nga policia, “për disa verifikime”. Një kujtesë të fundit për Ilir Metën, i cili me sa duket qëndron në hije të gjithë kësaj që po ndodh në Vorë, pasi e ka zgjedhur vetë kandidatin e humbur të së majtës atje. Nuk do të arrish kurrë të kthesh kohën e zgjedhjeve më të këqija që janë mbajtur ndonjëherë në Shqipëri, ato të vitit 2001, kohën kur ti ishe kryeministër”, u shpreh Patozi.