Shpërndanin drogë, arrestohet pronari dhe banakieri i një lokali në Tiranë

438
Sigal

Policia e Tiranës ka goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në lokale duke arrestuar dy persona.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për kontrollin e ambienteve dhe lokaleve në të cilat dyshohet se kryhet veprimtari e kundërligjshme, falë dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative se në një lokal në rrugën “Skënder Luarasi” shpërndahej lëndë narkotike, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Shadow”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

B. B., 42 vjeç, banues në Tiranë (pronari i lokalit);

A. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për dhunë në familje (kamerieri i lokalit).

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë, pasi në rrugën “Skënder Luarasi” gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal bar-kafe, me pronar shtetasin B. B. dhe kamerier shtetasin A. B., shërbimet e Policisë gjetën në ambientet e brendshme të lokalit lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të futur në qese plastike dhe në dy kavanoza qelqi.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 736.4 gram lëndë e dyshuar narkotike kanabis, grirëse metalike dhe dy aparate celularë.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim.