Kanosën, dhunuan dhe vodhën shtetasit e huaj, arrestohen katër të rinjtë

469
Sigal

Katër të rinj arrestohen nga policia, si autore të vjedhjes me dhunë të dy shtetasve të huaj, të cilëve u kishin premtuar se do t’i transportonin drejt Tiranës, kundrejt pagesës.

Policia zbardh detaje nga zbulimi dhe dokumentimi edhe i 2 vjedhje të tjera me dhunë ndaj të huajve, autorë të dyshuar të të cilave dyshohet të jenë këta shtetas.

NJOFTIMI

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, gjatë patrullimit të tyre kanë konstatuar në qytetin e Korçës, dy shtetas të huaj të cilët i kanë kërkuar ndihmë punonjësve të Policisë, pasi disa shtetas që iu kishin premtuar kundrejt fitimit transportimin drejt Tiranës, i kishin kanosur këta të fundit dhe pasi i kishin dhunuar fizikisht iu kishin vjedhur 3 aparate celulari, 350 euro, si edhe çantat e tyre personale.

Falë veprimeve të shpejta, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje konkretisht shtetasve:

• M. R., 19 vjeç, banues në Korçë

• K. D., 20 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë.

• A. G., 19 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë.

• K. I., 19 vjeç, banues në Korçë.

Në vijim të hetimeve të kryera nga ana e specialistëve për Hetimin e Krimit, dyshohet se shtetasit e mësipërm, janë autorë të dyshuar edhe të dy ngjarjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Korçës, gjatë muajit dhjetor, ku kanë vjedhur me dhunë 4 shtetas të huaj, të cilëve iu kanë marrë 4 aparate celulare dhe shumën prej 440 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”.