Shkolla Skënderbej, fidanishtja e Ushtrisë Shqiptare

1578
Sigal

Nga Muharrem Dardha

Të dashur shokë skenderbegas! Nesër me 28 Mars, mbushen plot 75 vjet nga dita e krijimit të shkollës sonë ushtarake “Skënderbej”. Është kjo një ditë e veçantë për ne, një ditë që na sjell në mendje e në zemër kaq shumë kujtime e nostalgji për ato vite që kaluam në gjirin e saj, për shokët e klasës e të kompanisë, për të gjithë skenderbegasit, për mësuesit tanë të mrekullueshëm, për komandantët dhe komisarët e paharruar dhe për këdo e gjithçka tjetër që na lidh shpirtërisht me atë Oaz që mbante një emër simbol, Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej”.

Nesër në mëngjes, si në një ditë të vërtetë feste, do mblidheshim plot mall e hare në Tiranën tonë për t’u takuar e përkujtuar me nderim këtë ditë të shenjtë për të gjithë ne, por një armik, jo si ai që kemi mësuar e përfytyruar, por i një lloji tjetër, shumë më dinak dhe krejt i padukshëm, Covid-19, na e bën të pamundur.

Lufta kundër tij nuk dashka pushkë e mitralozë, as tanke, avionë bombardues apo nëndetëse, por një tjetër taktikë e strategji…

Të mbyllur në shtëpitë tona, si një domosdoshmëri për të sfiduar këtë armik, le të përkujtojmë e nderojmë shkollën tonë. E rrallë, shumë e rrallë kjo, por kështu u dashka në emër të jetës dhe ardhmërisë sonë…

Të gjithë e njohim historinë e shkollës sonë. Është një histori e lavdishme, e shkruar me shkronja të arta nga qindra dhe mijëra skenderbegas, duke filluar që nga 300-400 partizanët e vegjël që zbritën nga malet dhe u ulën në bangat e shkollës të sapoformuar në 28 marsin e largët të vitit 1948, e cila fillimisht u quajt “Shkolla e Pionierëve të Luftës” dhe pas dy vitesh shkolla ushtarake “Skënderbej”.

Me këtë emër të Kryeheroit tonë të lavdishëm shkolla jonë do të bëhej simbol i nderit dhe i krenarisë së Ushtrisë Shqiptare, një fidanishte e vërtetë ku u edukuan dhe u brumosën me cilësitë e virtytet më të larta breza të tërë djemsh të ardhur anëkend Shqipërisë për t’i shërbyer më pas me devotshmëri të lartë atdheut dhe popullit të tyre.

Me kohë numri i nxënësve filloi të rritej nga viti në vit dhe deri në mbylljen e pamerituar, në vitin 1992, janë rreth 35 mijë nxënës që mësuan në bangat e saj. Nga armata e nxënësve të saj dolën komandantë e komisarë, specialistë e teknicienë, gjeneralë dhe ushtarakë të zotë të njësive dhe reparteve të Ushtrisë Shqiptare dhe që shërbyen me devotshmëri të lartë për mbrojtjen e atdhut.

Mjaft skënderbegas studiuan në Universitetin e Tiranës e në shkolla të tjera të larta dhe u bënë inxhinierë, ekonomistë, mjekë, diplomatë e politikanē, artistë, shkrimtarë dhe sportistë të shquar në mbarë vendin tonë.

Kjo është shkolla jonë ushtarake “Skënderbej”, shkolla më e mirë, më e bukur, më e dashur, më fisnike dhe më dinjitoze në historinë e arsimit ushtarak shqiptar.

Dikur, pas një fotoje nga jeta në shkollën “Skënderbej” kam shkruar: Një gjë do të kujtoj, të shtrenjtë në jetë, jetën skenderbegase, miqësinë e vërtetë. Kanë kaluar mbi 50 vite dhe sërish i përmbahem këtyre fjalëve. Të qofshim falë o shkolla jonë e shtrenjtë! Gëzuar skënderbegas!