Shkolla emërmadhe e Trebishtit, dritare e diturisë dhe kulturës kombëtare

1112
Sigal

Nga Xhevahir Cirongu

Libri monografik me titull “Shkolla shqipe emërmadhe e Trebishtit” të autorit Hasan M. Shahinaj këto ditë doli nga shtypi dhe ai ndodhet tashmë në dorën e lexuesit tonë që e do aq shumë librin, këtë dritare të diturisë. Libri është voluminoz, trajton rrugëtimin e gjatë e plot fryte të arsimit e arsimimit trebishtar ndërshekullor. Monografia historiko – pedagogjike “Shkolla shqipe emërmadhe e Trebishtit”, botohet me rastin e 100 – Vjetorit të çeljes së së shkollës së parë shqipe në Trebisht të Gollobordës së Dibrës, (15 Prill 1914 – 15 Prill 2014). Kopertina e këtij libri ka një gjetje të bukur e na sjell para lexuesve pamjen e dy kohëve të asaj ndërtese, ku kanë marrë dijet e tyre shumë breza nxënësish, të cilët kanë shkëlqyer në gjithë fushat e jetës e të shkencës. Janë të shumtë ata nxënës e nxënëse që kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle, duke marrë edhe tituj shkencorë në gjithë fushat e shkencave . Libri përbëhet nga 453 faqesh i shoqëruar edhe me foto të planizuar në portrete. Ky libër çelet me një mirënjohje të vetë autorit, sepse ai ka qenë nxënës i shkëlqyer i kësaj shkolle emërmadhe të diturisë. Dhe ja si shkruan autori Hasan M. Shahinaj:“Këtë monografi ia kushtoj me përulje e nderime të merituara Shkollës sime të dashur, Trebisht, Universitetit të parë e të pa zëvendësueshëm të formimit tim profesional, në të cilin tempull dituror, kam mësuar për të punuar mbi çerekshekulli; një hapësirë kohore e mjaftueshme për të trokitur e reflektuar siç duhet në portën e madhe të historiografisë arsimore….“ Me shfletimin e këtij libri lexuesi ynë do gjejë atë gjerdan brezash e nxënësish, të cilët kanë bërë emër në shkallë kombëtare e ndërkombëtare me dijet e tyre në shërbim të shoqërisë sonë e më gjerë. Autori i librit ka lindur, më 13. 10. 1949, në Trebisht, Dibër (Sot është në pension), banon në qytetin e Durrësit.

Jetëshkrimi i shkrimtarit Hasan M. Shahinaj, Arsimi: U.T. Fakulteti Histori – Filologji- dega gjuhë – letërsi shqipe, diplomuar në 1970-ën, “Dalluar”. Vendi punës: Zv. Drejtor në Shkollën “Bajram Curri”, Durrës. Aktiviteti: Redaktor në gazetën profesionale “Mësuesi”, më pas bashkëpunëtor i rregullt i shtypit qendror, letrar e periodik dhe i revistave “Gjuha jonë”, “Studime filologjike”, “Pionieri” etj. Bashkëpunëtor për 40 – vjet rresht në organet e shtypit lokal si “Ushtima e maleve”, Dibër, “Shkumbini”, Elbasan: “Jeta e re” Shkodër dhe “Adriatiku”,Durrës. Qysh në vitin e dytë studentor ka shkruar poezi, reportazhe, skica, prozë dhe tregime, përralla e poezi për fëmijë. Përkthen librat e tij në gjuhët maqedonase e bullgare, madje zotëron gjuhën frënge, ruse e maqedonase. Për merita arsimore e drejtuese në maj 1994 është dekoruar nga ish- presidenti Sali Berisha me “Urdhrin Naim Frashëri, të Klasit të Dytë”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës. Prej vitit 2007 e në vazhdim, shkrimtari Hasan Shahinaj, është kryeredaktor i gazetës së pavarur “Zëri i Gollobordës”.

Botimet letrare të këtij autori janë si më poshtë vijon;

Virgjëri pa faj……., vëllim poetik,v. 1998

Struga magjike….,vëllim lirik, v. 1999

Vizioni shkollor,vëllim poetik, v. 2000

Rrëfimet e Drinkollit, përralla e tregime v.2001

Visaret e fëmijërisë, vëllim poetik për fëmijë, v. 2002

Urë ylberi i Drinit të Zi., vëllim në prozë për fëmijë, v. 2003

Blegërimet e Rekës, vëllim në prozë, v. 2004

Sfetigradi, anekdoda për Skënderbeun, v. 2005

Tregime të zgjedhura për fëmijë, v. 2006

Antologji e fjalës së mençur, v.2007

Kambanat e kujtesës, skenar filmi dokumentar, viti 2008

Shkolla emërmadhe e Trebishtit, monografi v. 7 mars 2018,

(botim, Jozef , Durrës 2018).