SHKODËR/ Benet Beci i jep 10 kontrata Broz Dodajt disa qindra MLN lekë pa garë

31
Sigal

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka vendosur t’i ndajë të gjitha paratë e tenderave me pronarin e firmës “Ndërtuesi 2000” shpk. Dhjetë kontrata i ka firmosur Beci biznesmenit Broz Dodaj që nga dita që ka hyrë në zyrën e kryetarit. Pasi i dha paratë e rikonstruksionit të një çerdheje, Beci menjëherë i ka dhënë kësaj kompanie një projekt të ri.

Dy muaj më parë, më datë 6 tetor 2023, Bashkia Shkodër ka bërë të ditur përmes një njoftimit publik se do të rikonstruktohen pallatet e vjetra në rrugën “Isuf Sokoli” me një fond 70 milionë lekë (të reja).

Pas dy muajve reklamë tashmë Beci ka filluar në praktikë.

Më datë 6 dhjetor 2023. Beci ka firmosur tenderin me objekt “Rikualifikim urban bllok pallatesh, rruga Isuf Sokoli” me një fond limit 600 milionë lekë.

“Blloku i pallateve në rrugën “Isuf Sokoli” do të pësojë një rikonstruksion të plotë. Bashkia Shkodër, me një fond prej 70 milion lekë të reja me TVSH, do të financojë tjetërsimin e kësaj zone në qytetin e Shkodrës”, thuhet në njoftimin e 6 tetorit.

Dhe këto 600 milionë lekë, Beci i çon tek ndërtuesi “i besuar”. Për tenderin e mbyllur ditën e djeshme janë paraqitur 18 oferta, por këto ose regjistrohen formalisht, ose fiktivisht, pasi e dinë se kush është fituesi. Beci i ka skualifikuar 17 prej pjesëmarrësve që në fazën e parë. Pra, i ka hequr të gjithë pretendentët për t’i hapur rrugë firmës ”Ndertuesi 2000” shpknë pronësi të Broz Dodajt.

Kjo kompani si zakonisht, edhe këtë tender e ka firmosur direkt pa u përballur me konkurrentë të tjerë.

Prandaj Open Data Albania e vlerëson me “Red Flag” këtë prokurim, si një sinjal për korrupsion që bëhet me taksat vendore.

Dy ditë më parë Gijotina.com tregoi se si Beci i fali Dodjat projektin me objekt  “Rikonstruksion i plotë i çerdhes “Manush Alimani” – Zbatim” me fond limit 124 milionë lekë (pa TVSH). Ky tender është hapur si garë që në muajin tetor, ndërsa me 3 nëntor 2023 është mbyllur pranimi. Kur u këqyrën zarfat me ofertat, pas 1 muaji, është bërë publik emri i fituesit.

Pra shohim që pazaret i kanë bërë që dy muaj më parë, sepse edhe në atë rast Beci skualifikoi 11 firma dhe ia la në tavolinë vetëm dosjen e firmës ”Ndertuesit 2000” shpk.

Në pak ditë u dhanë 730 milionë lekë pa garë nga paratë e mbledhura me taksat e qytetarëve shkodranë.

Ndërkohë, vlen të shtojmë se në njoftimin e bërë në tetor, vetë Bashkia Shkodër e thekson se pallateve do t’u rregullohet fasada nga jashtë dhe do të vendosen disa lojëra për fëmijë. Epo 600 milionë lekë për të lyer dy- tre pallate është një numër cirku që vetëm kryebashkiakë si Beci mund ta bëjnë.