Shiti 23 hektarë tokë me dokumenta false, ia mbath në Francë, nën hetim nga policia

238
Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka vendosur sekuestrimin e 23.000 m2 tokë në fshatin Baks Rrjoll, e dyshuar si e përfituar në bazë të dokumentave të fallsifikuar nga ana e shtetasit Vatë Lari.

Prokuroria e Shkodrës nisi hetimin në bazë të kallëzimit të një shtetasi dhe deri në këtë fazë të veprimeve, ka krijuar dyshime të arsyeshme se përfituesi i kësaj prone, Vatë Lari, duke fallsifikuar dokumentat zyrtarë të komunës dhe të komisionit të kthimit të tokave, është bërë në vitin 2013 pronar i sipërfaqes prej 23 hektarësh, të cilën e ka shitur menjëherë dhe më tej është larguar në drejtim të Francës.

Në bazë të hetimit të deritanishëm, rezulton se:
Zyra e Rregjistrimit të pasurisë së paluajtshme Shkodër ka rregjistruar pasurinë me siperfaqje 23 000 m2, lloji i pasurisë Arë, datë rregjistrimit 18.09.2013.

Është administruar nga Zyra e Rregjistrimit, praktika që i përket rregjistrimit të pasurisë. Nga praktika e administruar ka rezultuar se ka aplikuar për në ZVRPP Shkodër, Vate Lari më datë 18.09.2013. Në dosje ndodhet shkresa e Komunës Velipojë, datë 04.11.2008 pa numër prot, ku është dërguar për rregjistrim AMTP në emër të Vate Kol Marashi, sipërfaqja totale 23000 m2. Po ashtu, në dosje gjendet edhe, ndër të tjera, vërtetimi i Komunës Velipojë, datë 18.09.2013 ku thuhet se Vate Gjelosh Lari është i njëjti person me Vate Kol Marashi.

Lidhur me këtë procedim është pyetur Nikoll Marku, me detyrën e Kryetarit të Komunës Velipojë dhe Marash Keqi, punonjësi i Zyrës së Bujqësisë, të cilët ndër të tjera ka deklaruar se nuk kanë nënshkruar në atë shkresë që i është përcjellë Zyrës së Rregjistrimit, për të përcjellë dokumentacionin për rregjistrim AMTP në emër të shtetasit Vat Kel Marashi (Vat Gjelosh Lari) .

Për këtë arsye është kryer ekspertim grafik shkrimi lidhur me nënshkrimin e tyre tek shkresa përcjellëse e Komunës Velipojë dhe nga akti i ekspertimit grafik shkrimi datë 14.11.2016 ka rezultuar se nuk janë shkruar nga shtetasit Nikoll Marku me cilësinë e Kryetarit të Komunës Velipojë dhe Marash Keqi.

Nga praktika e administruar në Zyrën e Rregjistrimit ka rezultuar se pasuria e llojit Arë, e ndodhur në fshatin Baks Rrjoll Shkodër, me sipërfaqje 23000 m2, e rregjistruar në emër të Vate Lari, i është shitur personi me iniciale N.S, mbi bazën e kontratës së shitjes datë 05 Tetor 2013.

Për këtë arsye është pyetur N.S., i cili ka deklaruar se këtë sipërfaqje toke ja ka blerë Vat Lari, që është dhe që ndodhet prej vitesh në Francë bashkë me familjen e tij, sipas kontratës shitje pasurie të paluajtshme datë 11.10.2013.

Në këto kushte, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshimet e arsyeshme se Vat Lari e ka përfituar pronësinë në bazë të dokumenteve të falsifikuara. Për këtë arsye, akuza kërkoi nga gjykata vendosjen e sekuestros preventive për këtë pronë, kërkesë e cila u pranua nga gjykata e qytetit.