SHISH me 284 biznese sekrete, që i përdor si “gracka” kundër krimit

592
Nëpërmjet këtyre bizneseve, SHISH përveçse kryen veprimtari zbuluese është lejuar me ligj e vendime qeverie që të sigurojë edhe të ardhura financiare, të cilat sipas ligjit i përdor për të financuar veprimtarinë e tij, me synim prioritar pagesat e “spiunëve” që përdor dhe dietat e oficerëve e inspektorëve të saj, që rekruton si ekspertë dhe këshilltarë të jashtëm
Mos u çuditni, por edhe SHISH ka veprimtari biznesi në disa sektorë shërbimesh e prodhimesh, të miratuara me ligj nga shteti. Një informacion nga brenda SHISH, na bëri me dije, se shërbimi sekret zyrtar shqiptar, ushtron veprimtari biznesi legale në formë ilegale që nuk ekspozohet publikisht, të miratuar ligjërisht. Janë disa lloje biznesesh, të cilët kontrollohen ligjërisht e ekonomikisht nga SHISH, por që veprojnë në mënyrë të maskuar, me qëllimin vetëm në funksion të detyrës, për të mos u zbuluar. Këto biznese të SHISH, të miratuara me ligj të posaçëm, janë hapur e janë futur në aktivitet prej kupolës së SHISH e janë në dispozicion dhe kontroll të plotë e të vetëm prej SHISH, për të lehtësuar punën e tij përgjuese e zbuluese ndaj krimit, sidomos krimit ekonomik dhe trafiqeve. Sipas burimit të informacionit, SHISH ka 284 biznese në gjithë Shqipërinë, si kafene, hoteleri, ndërtim, markete, inerte, linja të vogla prodhimi ushqimore, agjenci turistike, kancelari, shkëmbim valute, agjenci pronash, veprimtari import-eksporti, noteri, avokati, shërbim bankar, arsim, shëndetësi etj. Të gjithë këto lloj biznesesh që po përdor SHISH kanë nisur aktivitetin e miratuar me ligj, 20 muaj më parë dhe vazhdojnë e veprojnë natyrshëm në treg e shërbime private, si gjithë bizneset e tjerë. Këto biznese, përdoren prej SHISH si “karrem” dhe “gracka” për individët dhe bizneset kriminale që veprojnë në Shqipëri. Nëpërmjet këtyre bizneseve, SHISH përveçse kryen veprimtari zbuluese është lejuar me ligj e vendime qeverie që të sigurojë edhe të ardhura financiare, të cilat sipas ligjit i përdor për të financuar veprimtarinë e tij, me synim prioritar pagesat e “spiunëve” që përdor dhe dietat e oficerëve e inspektorëve të saj, që rekruton si ekspertë dhe këshilltarë të jashtëm. Këto biznese janë të përjashtuar nga taksat dhe sigurimet shoqërore, paçka se i “kanë letrat sikur i paguajnë”, për të mos u zbuluar as nga institucionet kontrolluese, gjë të cilën e dinë vetëm titullarët e institucioneve kontrolluese të cilët lëshojnë edhe dokumentacionin e biznesit. Ata që drejtojnë këto biznese dhe që luajnë rolin e pronarëve të tyre, ose të gjoja qiramarrësve të lokaleve, janë oficerë të SHISH dhe si punonjës të tyre kamerierë, shitës, furrxhinj, dispeçerë, recepsionistë, bodigardë kazinosh, furnitorë, pastrues PUB-esh, motelesh, hotelesh etj, kanë të “punësuar” agjentë të SHISH dhe “spiunë” me pagesë. Pa bërë komente, po publikojmë Vendimin e Këshillit të Ministrave të muajit tetor 2013, që ka miratuar këtë veprimtari kamuflimi të SHISH.
Ja vendimi Nr. 297, datë 10. 04. 2013
PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR. 17, DATË 21.1.2000 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR PËRDORIMIN DHE KONTROLLIN E FONDEVE PUBLIKE PËR VEPRIMTARI SPECIFIKE, OPERATIVE, TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 10 të ligjit nr. 8391, datë 28. 10. 1998 “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Pas shkronjës “d” të pikës 1 të vendimit nr. 17, datë 21.1.2000 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet shkronja “e” me këtë përmbajtje: Krijimin dhe administrimin e pasurive dhe të aktiviteteve ekonomike, në funksion të realizimit të detyrave. Të ardhurat e krijuara nga administrimi i pasurive dhe aktiviteteve ekonomike me qëllim kamuflimi, do të përdoren sipas kësaj pike të vendimit”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha 
Botuar, në Fletore Zyrtare Nr. 63, datë 30 prill 2013 
Sigal