Shira të rrëmbyeshëm në gjithë qarkun, rrëshqitje gurësh në aksion nacional Berat-Skrapar, shoferët: Burim aksidentesh

228
Sigal

Shirat e rrëmbyeshëm dhe të pandërprerë, që kanë filluar që prej mëngjesit të sotëm në qarkun e Beratit, kanë sjellë problematika të shumta në aksin nacional Berat-Skrapar. Në fshatrat Vodicë dhe Fushë-Peshtan po vijon rrëshqitja e gurëve në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në këtë aks.

Shkëputja e gurëve nga faqja kodrinore përgjatë këtij aksi gjatë stinës së dimrit vijon të jetë një problem i pazgjidhur prej vitesh, edhe pse drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës janë ankuar shpeshherë.

Rënia e gurëve ka sjellë dimrin e vitit të kaluar edhe rrëshqitje të masiveve gurësh të mëdhenj, që fatmirësisht nuk kanë rënë mbi automjetet në ecje. Situata vijon të jetë e njëjtë që prej mëngjesit të sotëm, në prirje të punonjësve të mirëmbajtjes së bashkisë Poliçan për pastrimin e saj.

Drejtuesit e mjeteve shprehen se kjo rrugë është problematika sa herë që bie shi dhe mjaft e rrezikshme në qarkullim, sidomos gjatë natës pasi aksi nuk ka drita. Sipas drejtuesve të mjeteve, shmangia e rënies së gurëve mund të kryhet vetëm nëpërmjet rrethimit me rrjetë hekuri të zonës kodrinore përgjatë këtij aksi.

Aksi nacional Berat-Skrapar është një aks me shumë kthesa dhe i pandriçuar, gjë që jo vetëm sjell vështirësi në qarkullimin e mjeteve kur në rrugë ka prezencë të shtuar gurësh por shpesh-herë është shndërruar edhe në burim aksidentesh.

Prej vitesh është folur për një projekt madhor siç është rrethimi i zonës kodrinore me rrjeta metalike por projekti nuk është hedhur asnjëherë në letër.