Shtyhet sërish seanca për Enkeleda Hoxhën, kjo ishte arsyeja

154
Sigal

Shtyhet sërish seanca për ish-gjyqtaren e Krujës Enkeleda Hoxha dhe nëntë të pandehurve të akuzuar për korrupsion.

Arsyeja ka qenë mungesa e gjyqtarit Erion Çela për arsye shëndetësore.

Pas përgjimeve të kryera dhe sigurimit të provave të tjera, SPAK e akuzon Hoxhën për veprën “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.

Një ndër bashkëpunëtorët e Hoxhës për nxjerrjen e të dënuarve nga burgu përmes raporteve false dhe vendimeve të pambështetura në ligj, sipas SPAK është edhe avokati Aldo Tabaku.

Ky i fundit sipas SPAK bënte rolin e sekserit mes familjarëve të të dënuarve dhe gjyqtares Hoxha me qëllim lirimin e tyre.

Pjesë e dosjes është edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuci, e cila akuzohet se përgatiste dosjet e gjykimit në atë mënyrë që të dënuarit që kishin paguar të dilnin pikërisht para Hoxhës për gjykim.

GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për ish gjyqtaren e cila aktualisht ndodhet në burg nën hetimin për korrupsion.

Ajo akuzohet se ka liruar disa të fortë të dënuar me burgim përjetë. Hoxha u shkarkua nga detyra e gjyqtares më 17 mars dhe u la në burg nga Gjykata e Apelit.

Ajo u arrestua pas një super-operacioni të bërë në Gjykatën e Krujës, në seancë gjyqësore teksa po lironte një tjetër të dënuar.