Shërbimi Informativ i Shtetit zhvillon ceremoninë e diplomimit dhe betimit të punonjësve të rinj

444
Sigal

SHISH-i organizoi ceremoninë e betimit dhe shpërndarjes së certifikatave për kursantët
e rinj, pas përfundimit të kursit bazë të inteligjencës.
Punonjësit e rinj të Shërbimit, pas betimit, u bashkohen kolegëve të tyre në përmbushje
të misionit themelor të SHISH për mbrojtjen dhe forcimin e sigurisë kombëtare, duke
respektuar Kushtetutën, ligjet dhe liritë e të drejtat themelore të njeriut.
Gjatë ceremonisë, Drejtori i SHISH, z. Helidon Bendo, vlerësoi punën e sakrificat e
punonjësve të komunitetit të inteligjencës dhe u bëri thirrje të rejave dhe të rinjve të
aplikojnë dhe të bashkohen me SHISH-in, për t’i shërbyer Atdheut e sigurisë
kombëtare.

Ndër të tjera, Drejtori i SHISH, z. Helidon Bendo, theksoi:

“Sot është një ditë e veçantë, jo vetëm për ju që mbyllni kursin bazë të formimit
profesional, por edhe për mua si Drejtor i Shërbimit Informativ të Shtetit. Kur
vendosëm në procedurat e Shërbimit edhe kryerjen e betimit të punonjësve të rinj, nuk
synonim vetëm të zhvillonim një ceremoni apo të nënshkruanim një dokument. Synimi
ishte që betimi të përbënte një akt solemn, para Flamurit Kombëtar e atij të Shërbimit
Informativ, si një angazhim madhor për t’i shërbyer me përkushtim e ndershmëri
Republikës së Shqipërisë për forcimin e sigurisë kombëtare.
Jam i kënaqur që në rrugëtimin tonë të përbashkët na bashkohen kolegë të rinj. Për ju
duhet të ndihen krenarë stafi akademik, kolegët që dhanë kontribut në formimin tuaj
dhe, në veçanti familjet tuaja.

Gjatë kursit që ndoqët, ne i nxitim kursantët të jenë krijues, të mendojnë me
origjinalitet, por në radhë të parë, të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e shtetit shqiptar,
në funksion të sigurisë kombëtare, rajonale dhe të sigurisë së aleatëve dhe partnerëve
tanë. U mësojmë të sfidojnë të panjohurën dhe të përqafojnë idetë e reja, por në radhë të
parë, të jenë të përgjegjshëm, profesionalë e të respektojnë të drejtat e njeriut.
Përfundimi i trajnimit nuk është mbërritja në fundin e rrugës; është më tepër fillimi i një
udhëtimi të ri, edhe më emocionues dhe të paparashikueshëm. Megjithatë pasiguria nga e panjohura nuk duhet parë si pengesë, por si mundësi për të qenë më të motivuar në të
menduar dhe në të vepruar.

Dëshiroj t’ju transmetoj një mesazh në këtë ditë solemne: Punonjësi i SHISH-it nuk
është supernjeri, por është pjesë e shoqërisë, me hallet e shqetësimet e përditshme, me
vuajtjet e gëzimet e jetës. Ndaj për të qenë një punonjës i mirë duhet të jeni mbi të gjitha
qytetar i mirë. Profesioni e karriera kanë ciklet e tyre, kanë ulje-ngritjet e tyre, që
ndonjëherë na duken të padrejta, por në fund diçka është e sigurtë: “Qytetari i mirë,
besnik i Kushtetutës, ligjit e moralit shoqëror, bëhet një inspektor shumë i mirë dhe i
shpërblyer”.

Puna në terren është e vështirë, kërkon kurajë, përshtatshmëri dhe korrektesë. Ato që
keni mësuar në teori, tani do t’i zbatoni në praktikë, por këtu nuk ka vend për frikë e
stepje. Nëse zbatoni ligjin, rregullat e sigurisë operacionale, ruani sekretin, ruani
qëllimin dhe misionin e Shërbimit, do të jeni të suksesshëm.
Duke ju uruar suksese në këtë kapitull të ri të jetës suaj, shpreh bindjen që do t’i vini në
praktikë mësimet e përfituara dhe do të vazhdoni ndërveprimin pozitiv me kolegët. Kjo
organizatë nuk është e Drejtorit apo e Drejtorëve. Kjo është organizata juaj dhe nga
nesër do të jetë edhe shtëpia juaj”.