Sezoni i verës cel ishullin e Sazanit për turistët

1050
Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka njoftuar se ishulli i Sazanit këtë verë do të hapet për turistët. Këtë lajm e rikonfirmon edhe kryeministri Edi Rama në “Facebook”, të një artikulli të marrë nga organizata “Lonely Planet”, ku shkruan se ky projekt ka ngjallur kuriozitet në faqet ndërkombëtare për turizmin. “Kuriozitet i madh në faqet ndërkombëtare të turizmit për projektin tonë të çeljes së ishullit të Sazanit për Turistët”. Ishulli i Sazanit, njihet si një bazë ushtarake e ndërtuar gjatë regjimit të diktaturës, me rreth 3600 bunkerë dhe tunele, që do të përdoreshin për të përballuar sulmet e mundshme bërthamore. Ishulli i Sazanit ka gjithashtu biodiversitet të madh dhe zyrtarë të turizmit shpresojnë se ai mund të kthehet në një destinacion interesant për vëzhgimin e llojeve të ndryshme të zogjve, madje edhe një destinacion për zhytje. Ka edhe një ide për të përdorur tunelet anti-bërthamore si bodrume të verës. 
Teknikisht Sazani është ende një bazë ushtarake, me dy marinarë dhe një vendstrehim për anijet që patrullojnë në ujërat e asaj zone. Ishulli ka rreth 3600 bunkerë dhe shumë bunkerë të ndërtuar për t’i bërë ballë sulmeve bërthamore përgjatë regjimit komunist, por duke treguar njëkohësisht edhe shumat marramendëse të parave të shpenzuara për t’u mbrojtur nga “pushtimi perëndimor”. E tashmë që rreziku i atëhershëm duket thjesht një çmenduri, shteti shqiptar shpreson që të jenë pikërisht turistët perëndimorë që do ta “pushtojnë” Sazanin dhe zonën përreth, për të parë plazhet e virgjëra, malet e larta e për të zbuluar historinë që shkon deri në Greqinë e lashtë. Godinat e braktisura të ishullit të Sazanit, ishin përcaktuar të mbanin mbi 300 trupa ushtarake me furnizime të bollshme me ushqime, armatime dhe karburant për anijet, deri në 6 muaj. Aty gjendet dhe një shkollë e shkatërruar ku do mësonin fëmijët e familjeve të ushtarakëve. 
Sazani i cili gjendet në ngushticën e Otrantos që lidh detet Jon dhe Adriatik mund të arrihet për gjysmë ore me motoskaf nga Vlora. Në ishull gjenden specie të rralla të zogjve dhe zvarranikëve të cilët jetojnë në temperatura nga 10 – 25 gradë celcius. Gjysma e bregut të ishullit është e arritshme vetëm nëpërmjet ujit për shkak të shkëmbinjve të lartë në tokë por zyrtarët gjithsesi i qëndrojnë idesë se ai mbetet një vend i përsosur për çlodhje dhe aktivitete. “Është një ishull misterioz, pjesë e e Shqipërisë së epokës së vjetër komuniste”, thotë Celine Damery nga “France’s Conservatoire du Littoral”, i cili merret me ruajtjen e zonave bregdetare. Sipas Damery “Sazani është unik në Mesdhe përsa i përket biodiversitetit, peizazhit dhe trashëgimisë”.
Sigal