Sekuestrimi i pasurive të Llallës/ Ambasadorja Yuri Kim: Për këto lloj çështjesh u ngrit SPAK!

56

Adriatik Llalla pret të përballet me gjykatën për akuzën e fshehjes së pasurisë në tre episode, por ndaj tij kërkimet e SPAK vazhdojnë ende. Sipas një njoftimi zyrtar të prokurorisë së posaçme bazuar në ligjin antimafia , hetimet janë fokusuar tanimë tek pasuritë e ish-prokurorit që u shpall non grata nga amerikanë.

Por ndërkohë kur  nuk është shpallur ende data për nisjen  e gjykimit të  themelit ndaj ish prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla, prokuroria e posaçme SPAK kujtoi si arritje jo vetëm dorëzimin e ish-zyrtarit si të akuzuar por edhe bllokimin e disa prej pasurive të tij.

Këto pasuri të sekuestruara me vendim gjyqësor janë identifikuar që në nisje të procedimit penal dhe ndaj tyre SPAK ka aplikuar ligjin antimafia.

Përmes një njoftimi zyrtar SPAK deklaroi se gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorëve të posaçëm që Adriatik Llallës t’i sekuestrohen pesë asete pasurore, shumica e të cilave janë toka në zonën e Mjull Bathores si dhe një apartament në Durrës.

Bëhet fjalë për sipërfaqe tokash që shtetasi Gazmend Brahimi ia shiti ish-prokurorit të përgjithshëm gjatë kohës që ai mbante ende detyrën e kreut të akuzës , shitje të realizuara me çmime të lira. Në hetimin e SPAK rezulton se pasi ish-kreu i akuzës bëhej pronar,  brenda vitit ato rivlerësoheshin me çmime të shumëfishuara.

Pronat që gjykata i sekuestroi sipas njoftimit zyrtar janë 4500 metra katror truall blerë në dhjetor 2016, 12 mijë metra katror tokë arë blerë në 15 mars 2017, pasuri e paluajtshme prej 3 mijë metra katrorë tokë blerë në 15 mars 2017 dhe 2250 metra katrorë tokë e blerë në 15 maj 2017. Pas përfundimit të mandatit dhjetorin e 2017, Llalla u dorëhoq nga drejtësia, dhe për këtë shkak atij ju ndalua aktivizimi në sistem për 15 vitet e ardhshme.

Njëkohësisht me heitmet në Shqiperi , Llalla dhe familja e tij është shpallur non grata në ShBA dhe madje selia diplomatike në Tirane i ka përshëndetur herë pas herë teë rejat hetimore mbi këtë subjekt, si një mesazh dometheënës i drejtësisë që duhet të vihet ndaj të paprekshmeve.

Ambasadorja amerikane në një status në twitter thotë se SPAK po jep rezultate, duke përdorur Ligjin Anti-Mafia kundër korrupsionit, duke iu referuar rastit të ish-prokurorit Adriatik Llalla.

“SH.B.A. vazhdon të mbështesë fuqimisht zbatimin e Reformës në Drejtësi, siç kërkohet nga populli shqiptar & në përputhje me statusin e Shqipërisë si Aleate e NATO-s dhe aspirante e BE-së. Ky është saktësisht lloji i çështjes së korrupsionit që SPAK u krijua për të ndjekur penalisht”, thotë Kim.