Sejmen GJOKOLI/ Nderim për historinë, vlerësim për shoqërinë!

827
Vlerësimin që Presidenti i Republikës i bëri Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, duke e dekoruar me titullin e lartë “Nderi i Kombit “ dua ta ndaj në të dy anët e medaljes; e para lidhet me historinë dhe traditën e kësaj krahine, krijuar në shekuj dhe që është nga më të mëdhatë e më interesantet në rrjedhat e kohës së Shqipërisë dhe e dyta, ajo çka lidhet me punën dhe aktivitetin e shoqatës që mban emrin e saj. Po, ndërsa historia, tradita dhe kontributi i Labërisë në shekuj është vulosur jo vetëm në memorien e kombit, por edhe në sa e sa memuare e dokumente të shkruara, këtë radhë e veçanta qëndron tek aktiviteti i shoqatës, më saktë te veprimtaria e atyre që qëndrojnë të organizuar në mënyrën më vullnetare rreth këtij emri të madh e emblematik, siç është Labëria. Duke ndjekur në Presidencë ceremoninë me rastin e dorëzimit të dekoratës së lartë “Nderi i Kombit”, para sysh më shkoi e gjithë ajo kohë, kur një grup bij e bijash labë vendosën të krijojnë në Tiranë Shoqatën “Labëria”, ndër të parat organizata të shoqërisë civile, lindur qysh në fillimet e viteve të para të demokracisë. Nga largësia e njëzet e katër viteve të krijimit të Shoqatës “Labëria” më duhet që sot të vlerësoj në radhë të parë iniciatorët themelues për vizionin dhe largpamësinë e tyre për t’iu përgjigjur zhvillimeve të kohës, por edhe të tjerët më pas, që ditën të drejtojnë e organizojnë qysh nga forumet e larta e deri në secilën degë, ku rrojnë e punojnë lebër dhe që shoqatën e kanë konsideruar një vatër ku flitet e kuvendohet labërisht. Qartësia dhe mençuria e të gjithë atyre që themeluan shoqatën e “Labërisë”, ku si yll polar është sanksionuar misioni themeltar i veprimtarisë së saj, që është ruajtja dhe promovimi i vlerave historike, patriotike, atdhetare e kulturore të kësaj treve emër madhe. Dhe natyrshëm në këtë ditë ne, të sotmit që kemi nderin dhe jemi zgjedhur të drejtojmë e organizojmë veprimtarinë e shoqatës me shumë nderim, na duhet të kujtojmë e përmendim me emër, në pamundësi të gjithë ata drejtues të viteve të para, të paktën kryetarët e parë të shoqatës, si Agim Shehu, Halil Qendro e Nimet Balili, ku së bashku ndajnë rreth katërmbëdhjetë vite pune e përpjekje, duke ardhur më pas te kryetari aktual Ago Nezha, i cili po mbush dekadën. Për të përmendur më tej nënkryetarët në vite, si Enver Guga, Gafur Duda, Kastriot Zotaj, Maliq Lila, Dasho Matodashaj, Lavdie Nanaj, Fatmir Toçi, Agron Meta, Tomorr Lelo, Agim Çiraku, Agim Rrapaj e Robert Çelaj, si dhe Sekretarët e Përgjithshëm Xhemil Çela e Petrit Ruka. Dhe sa e sa aktivistë të tjerë të shquar e aktivizuar nga Tirana, Vlora, Tepelena, Gjirokastra, Patois, Fieri, Saranda, Himara, Orikumi e deri në Greqi, kudo ku shoqata gjallon me degët e nëndegët e saj. Por në këtë moment të veçantë vlerësues nuk mund të mos përmendim edhe ca personalitete të mëdhenj e intelektualë të shquar, që ndonëse në pasaportë nuk mbajnë si vendlindje Labërinë, me të janë lidhur shpirtërisht me zemër e kontribute. Më duhet të përmend këtu të madhin kosovar Prof. Rexhep Qosja që është edhe Kryetari ynë i nderit, por edhe të tjerë anëtarë nderi, si Dritëro Agolli, Alfred Moisiu, Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Engjëll Musai etj, të cilët me shoqatën “Labëria” kanë ndarë vlera dhe kontribute shpirtërore. Pa dyshim që në realizimin e misionit të shoqatës një vend të veçantë e të pazëvendësueshëm ka edhe gazeta “Labëria”, fillimisht me emrin “Arbëria”, e cila gjatë gjithë historisë së ekzistencës së saj ka qenë një sheshmejdan, nga ku është përcjellë pa retush historia e Labërisë, vlerat më të spikatura të njerëzve të saj në shekuj, por edhe puna e hallet e problematikat e Labërisë së sotme. Gazeta “Labëria” e përgatitur në vite nga kryeredaktorët, bijë të Labërisë, si Pëllumb Tare, Lirim Deda e në vazhdim shkrimtari e gazetari i palodhur, Albert Zholi mbetet zëri i shpirtit të krahinës, “sofra” e madhe, ku vjen e përcillet në breza historia, tradita, shpirti patriotik e atdhedashës, por edhe trashëgimia e rrallë kulturore shpirtërore e materiale e kësaj treve të jashtëzakonshme mes malesh e detesh. Është treva që më së shumti në gjirin e shpirtin e vet ruan e përcjell edhe kryeveprën tonë të vetme botërore, këngën e njohur labe, që vazhdon të mbetet ndër visaret e qenësishme të kombit tonë arbëror. Urime të gjithë anëtarëve, simpatizantëve, drejtuesve të të gjitha niveleve për vlerësimin e lartë që Presidenti i Republikës certifikoi! Më duhet të them, se shpirti juaj vullnetar, me firmën e institucionit më të lartë të shtetit, e ngjiti Shoqatën “Labëria” në panteonin e “Nderit të Kombit”. Faleminderit zoti President që ditët ta vlerësonit shpirtin atdhedashës, kulturëdashës e krijues të njerëzve të Labërisë tonë të dashur! Labëri dyzet kështjella,
Treqind palë fustanella…
Sigal