Saranda, një emër përmes legjendës së 40-Shenjtorëve dhe projekti ‘Lubjana 2’

6784
Sigal

EVIDENTIMI I VLERAVE/ Të rikthehet sërish tradita e 9 marsit, një festë e harruar nga të gjithë

Ky fillim viti shënoi në jetën e qytetet jugor, Sarandën, një serë aktivitetesh të iniciuara nga Bashkia e Sarandës, aktivitete të vijueshmërisë nga viti i kaluar si “Konferenca të gjithë për Sarandën”, takime të këshillit të të urtëve për rigjetjen, gjetjen dhe evidentimin e vlerave të harruara, të pluhurosura apo të diskutueshme deri tani. Ndërkohë që 10-ditshi i parë i muajit maj do të shënojë edhe festën e Midhjes, e kthyer tanimë në traditë së bashku me çeljen e sezonit turistik, i cili do të shoqërohet me një serë aktivitetesh kulturore-artistike gjatë muajve të verës. Por, për të ardhur çudi, asgjë dhe asnjë fjalë për 9 Marsin, që mund ta quajmë festa e emrit të qytetit,pasi siç dihet emri i Sarandës rrjedhe nga legjenda e 40-shenjtorëve, të mitizuar në tempullin Bazilik të Manastirit me të njëjtin emër. Kaloi 9 Marsi dhe nuk u tha asnjë fjalë, asnjë ceremoni në këtë tempull të legjendës trashëguese të emrit të qytetit. Kjo do të ishte festa më e bukur, me mesazh përcjellësja e dashurisë për jetën dhe qytetin, festa më popullore në Sarandë, pasi Saranda ka emrin e sajë me një histori të veçantë sa të bukur, mitike dhe historike.

Origjina e emrit të Sarandës

Po çfarë thotë legjenda? Tregohet se, 40 ushtarë romakë u nisën për të kryer një mision ushtarak, po nuk dihet vendi se ku. Origjina e këtyre ushtarëve ishte armen, aziatik dhe europianë. Mision i ngarkuar me urdhër të komandës ushtarake romake. Legjenda thotë se, duke lundruar, moti i keq i detyroi të ankoroheshin në gjirin e Onhezmit (Saranda e sotme).Banorët vendas, të cilët ishin me besim fetar tjetër nga ushtarët, ortodoks, i kapin dhe pas pyetjeve të shumta i detyrojnë të ndryshojnë besimin fetar të tyre, ose në të kundërt do të nënshtroheshin ndaj dënimit me vdekje në vaska të mbushura me ujë të ftohtë. Pasi të futeshin aty, do të qëndronin deri në ngrirje të trupave. Ata të vendosur në besimin e tyre fetar, katolik, nuk pranuan konvertimin e besimit, por vdekjen duke sakrifikuar të ngrinin në vaska me ujin e ftohtë. Ditët që pasuan i kaluan në izolim të plotë, deri ditën e ekzekutimit të tyre. Një detaj që duhet përmendur, pasi mos të kish ndodhur mundet të mos e kishim emrin e sotëm të qytetit, është se para ekzekutimit njëri nga ushtarët vdes dhe mbeten 39. Ditën që do futeshin në vaskat e ujit të ftohtë i mbushin mendjen pastruesit të tyre që t’i bashkohej grupit, pasi duhej të vdisnin 40 bashkë dhe jo 39 sa mbetën. Shërbëtori pranoi dhe kështu numri i tyre u plotësua 40. Momentin e fundit përsëri u ofrua falja e jetës në këmbim të ndryshimit të besimit fetar, përsëri nga ushtarët romak u pranua ekzekutimi në emër të lavdisë së zotit. Dhe kështu ndodhi. U futën të 40 në vaskat e ujit të ftohtë deri sa trupat e tyre ngrinë. Dhe kjo ndodhi në 9 Mars të largët të lashtësisë në shekullin e VI.

Manastiri që u ndërtua për sakrificat e heronjve

Për këtë sakrificë heroike, vet dënuesit, feja ortodokse, i shpalli të 40-shenjtorë, ku edhe sot në Manastirin me të njëjtin emër ekzistojnë të gdhendura emrat e tyre. Manastiri, ose Bazilika e madhe, është ndërtuar si shkak nga kjo legjendë, në kodrën në lindje të qytetit të Sarandës me një arkitekturë dhe ndërtim romak. Kati mbitokësor i këtij Manastiri të rrallë përbëhet nga një kishë me 7 konka (opisida) të ndërtuara në anën lindore të monumentit. Salla qendrore përbëhet nga një arkitekturë e zhvilluar që formohet nga kryqëzimi i shumë harqeve, shumë dritareve dhe dy hyrjeve të mëdha (njëra nga lindja dhe tjetra nga perëndimi), të gjitha të formuara nga harqet, apo qemerët. Oborri i këtij monumenti del përpara derës perëndimore dhe paraqet panoramën e detit dhe qytetit të bukur të Onhezmit (Sarandës). Kjo është shkatërruar nga bombardimet angleze gjatë luftës për çlirimin e Sarandës, ku forcat aleate angleze hapën rrugën e mësimjes partizane, pasi forcat gjermane qenë dislokuar në manastir dhe sot kanë ngelur dy-tre harqe në anën perëndimore. Ndërsa kati i nëndheshëm i cili quhet Kriptoportiku, i cili është një ndërtim që formohet nga qemer i madh i ndërtuar në anën perëndimore, i cili ndodhet në thellësi dhe më thellë akoma dy qemerë të tjerë që futen në formë tuneli dhe anash tyre duken gjurmë të pikturave dhe afreskeve me figura shenjtorësh. Ndodhen edhe dhomëza të vogla në të dy anët që sipas specialistëve të arkeologjisë, ndoshta plotësojnë detajin e legjendës të vaskave të ngrirjes së 40-shenjtorëve. Në anën perëndimore edhe sot gjenden shkallaret e vjetra, ku vizitorët kryenin pelegrinazhin në ditën e 9 Marsit të çdo viti dhe futeshin në dhomat e katit të nëndheshëm, ku drejtuesit e Manastirit, të besimit ortodoks, vendosnin bimë aromatike si dafina, rigon, rozmarinë, borzilok etj., duke krijuar një gjendje parajse dhe vizitorët që dilnin në lindje të bazilikës me 7 konka, dilnin të çliruar dhe të “pastruar” shpirtërisht nga aromat e “parajsës” së dhomëzave të nëndheshme. Kriptoportiku përdorej edhe si varrezë, por jo për qytetarët, vetëm për shërbestarët e manastirit, traditë që e gjejmë edhe tek besimi i sektit bektashian edhe në ditët e sotme. Përveç shkallareve, banorët e Onhezmit përdornin gjatë pelegrinazhit edhe rrugën përgjatë kodrës së Sarandës, gjurmët e së cilës janë edhe sot.

Reflektim për të ardhmen

I përmendëm këto cilësi dhe legjendën, jo vetëm për të vënë në dukje se sa vlerë ka kjo për qytetin dhe mungesa e një rruge për të shkuar pengon shumë edhe turistët për ta parë nga afër trashëgiminë kulturore dhe historike të Sarandës, por edhe se një meremet i vogël mund ta vërë në funksionim rrugën e vjetër dhe një inicim nga pushteti lokal në rikthim të traditës së 9 marsit për pelegrinazh, do të sjellë mjaft impakt për qytetin. U projektua gjatë qeverisjes së Kryebashkiakut Edmond Gjoka për një shkallare të përbërë prej më se 940 shkallësh prej Tunelit në hyrje të qytetit deri në Manastir të 40-shenjtorëve, por mbeti vetëm projekt. Ndërkohë që, interesi ndërkombëtar dhe më afër akoma, ai ballkanik është shtuar mjaft. Së fundi një projekt ballkanik “Lubjana 2” ka shtuar interesin për Manastirin e 40-Shenjtorëve. Ky projekt në fushën arkeologjike shtrihet vertikalisht nga Zagrebi (Kroaci) deri tek Manastiri i 40-Shenjtorëve (Sarandë). Ky projekt ka ngarkuar historianin dhe arkeologun e jugut, Halil Shabani, për të përgatitur historikun e plot të këtij manastiri, vepër e rrallë e qytetit të Sarandës, por siç thamë e lënë në haresë vetëm për rizgjim të një rituali pelegrinazhi.